Lumi Markova doli nga shtrati, vërshoi shtëpi dhe rrugë
Nga reshjet e dendura të shiut Lumi Markova ka dalë nga shtrati në Batincë përballë Draçevës duke vërshuar rrugë dhe shtëpi, transmeton Portalb.mk nga Radio Mof. Prej pasdites dhe mbrëmjes së djeshme janë ndërmarrë veprime nga institucionet, megjithatë autoritetet parashikojnë se reshjet mund të mos ndalojnë gjatë natës, ndaj kanë njoftuar të gjitha institucionet përkatëse […]


Nga reshjet e dendura të shiut Lumi Markova ka dalë nga shtrati në Batincë përballë Draçevës duke vërshuar rrugë dhe shtëpi, transmeton Portalb.mk nga Radio Mof.
Prej pasdites dhe mbrëmjes së djeshme janë ndërmarrë veprime nga institucionet, megjithatë autoritetet parashikojnë se reshjet mund të mos ndalojnë gjatë natës, ndaj kanë njoftuar të gjitha institucionet përkatëse se situata mund të përshkallëzohet.
Situata ndryshon nga ora në orë, dhe disa media kanë raportuar se niveli i lumit është kritik në urat që lidhin vendbanimet lokale me Shkupin.
Konkretisht, te ura para hyrjes në Draçevë ka pasur problem me rrjedhjen e ujit.
Kryetari i Komunës së Studeniçanit, Azem Sadiki tha se situata është duke u përmirësuar.
“Në disa vende ka një derdhje nga shtrati i lumit. Kemi marrë dy-tri makineri për të sanuar situatën. Mendoj se nuk është shumë rrezik që popullata të evakuohet, për momentin ka dëme materiale në oborret e amvisërive”, tha ai.
Nga terreni pas mesnate ka folur edhe kryetari i Komunës së Kisella Vodës, Orce Gjorgjievski.
“Gjithë mbrëmjen qëndrojmë në terren dhe i ndihmojmë popullit tonë, në këto momente po i hapim pusetat, po mobilizojmë resurset që banorët të mos pësojnë pasoja katastrofike”, tha Gjorgievski.
Ai paraprakisht theksoi se ajo që është shqetësuese është se të gjitha institucionet nuk e kanë përfunduar punën e tyre – me theks në Qytetin e Shkupit, nga i cili disa herë kanë kërkuar rregullimin e shtratit të lumit, por u është thënë se nuk kanë mjete të planifikuara për këtë qëllim.
Nga Qyteti i Shkupit, nga ana tjetër, theksuan se kanalet kulluese dhe shtrati i lumit Markova janë në kompetencë të drejtpërdrejtë të Komunës së Studeniçanit dhe Ministrisë së Mjedisit.
“Qyteti i Shkupit në disa raste ka apeluar në komunë për nevojën e pastrimit të kanaleve dhe shtratit të lumit, por fatkeqësisht apelet nuk kanë rezultuar me asnjë rezultat nga përgjegjësit”, njoftojnë nga Qyteti i Shkupit.
Reshje të shiut ka pasur në disa territore të vendit.