LSDM dhe BDI me kritika për ekipin këshillues të kryeministrit Mickoski, VMRO-VLEN në mbrojtje

Bashkimi Demokratik për Integrim ka vazhduar akuzat kundër pushtetit për faktin e mungesës së shqiptarëve në institucione kyçe. Ata thonë se Qeveria vazhdon me krijimin e “zonave pa shqiptarë” në institucionet shtetërore, duke i larguar në mënyrë sistematike shqiptarët nga pozicionet vendimmarrëse. “Këtë herë, kjo qasje reflektohet në përbërjen e ekipit këshillues të Kryeministrit, ku […]

Jan 30, 2025 - 15:00
 0  4
LSDM dhe BDI me kritika për ekipin këshillues të kryeministrit Mickoski, VMRO-VLEN në mbrojtje
Izetr Mexhiti dhe Hristijan Mickoski. Foto: Qeveria e RMV-së

Bashkimi Demokratik për Integrim ka vazhduar akuzat kundër pushtetit për faktin e mungesës së shqiptarëve në institucione kyçe. Ata thonë se Qeveria vazhdon me krijimin e “zonave pa shqiptarë” në institucionet shtetërore, duke i larguar në mënyrë sistematike shqiptarët nga pozicionet vendimmarrëse. “Këtë herë, kjo qasje reflektohet në përbërjen e ekipit këshillues të Kryeministrit, ku pothuajse nuk ka asnjë shqiptar”, thonë nga kjo parti, transmeton Portalb.mk.

“Kjo politikë e majorizimit nuk është e re dhe përfaqëson një ristrukturim të njëanshëm të sistemit shtetëror, duke promovuar dominimin monoetnik. Kjo qasje tregon qartë se mekanizmat e balansuesit etnik janë ende të domosdoshëm për të ruajtur karakterin multietnik të shtetit – një nga arritjet më të rëndësishme që tani është seriozisht e rrezikuar. Ndërtimi i institucioneve funksionale dhe gjithëpërfshirëse është thelbësor për barazinë etnike, por edhe për vlerat evropiane mbi të cilat duhet të bazohet stabiliteti dhe progresi afatgjatë i vendit. Me këtë veprim,Qeveria  jo vetëm që ka degraduar partnerin shqiptar në qeveri, por ka krijuar ndjenjën e përjashtimit dhe të papranueshmërisë për çdo shqiptar në këtë shtet”, thonë nga BDI.

Pas kumtesës së BDI,reagoi VMRO, e cila thotë se krijimi i zonave pa shqiptarë, siç thuhet në njoftimin e BDI-së, është vetëm në mendjen e Ahmetit dhe të arratisurit Artan Grubi.

“A ka zonë më të madhe pa shqiptarë që BDI-ja dhe Ahmeti e krijuan pas mbi 20 viteve të qeverisjes së tyre ku dëbuan dhjetëra e qindra mijëra njerëz jashtë vendit në kërkim të një standardi më të mirë. Dhe ky njoftimi i tyre është një tjetër gënjeshtër dhe manipulim sepse në ekipin e këshilltarëve të qeverisë ka edhe një shqiptar dhe ai është profesori Sener Bilali, i cili është këshilltar i jashtëm i kryeministrit për marrëdhëniet ndërkomunitare, si dhe disa koordinatorë të tjerë kombëtarë të cilët janë shqiptarë. Për dallim nga BDI-ja, ne politikën nuk e shohim nga prizmi nëse dikush është maqedonas apo shqiptar, por vetëm përmes prizmit të kompetencave dhe aftësive”, thonë nga VMRO.

VLEN nga ana tjetër reagoi duke thënë se BDI-ja non grata, në vend që të reflektojë e të rifreskojë radhët, vazhdon me retorikën e saj të nënçmimit të inteligjencës së shqiptarëve.

“Kjo parti, që heshti për Sopotin, Monstrën, Lagjen e Trimave, rastin “Alfa”, vrasjen e Harun Aliut, enciklopedinë ofenduese, projektin korruptiv Shkupi 2014 dhe dhjetëra raste të tjera që do mbushnin një libër të tërë, sot guxon të akuzojë të tjerët për “mospërfaqësim. I gjithë opinion e di se një grusht njerëzish të BDI-së, pas 22 vitesh pushtet, u bënë milionerë me Soravi dhe Llotari, ndërsa shqiptarët mbetën me premtime boshe. Tani ata jetojnë me ankthin e ditës se kur do ta gjejnë veten në listat e zeza”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

LSDM në ndërkohë thotë se kuadro të vjetra inkriminuese të DPMNE-së nga koha e regjimit do ta këshillojnë kryeministrin Mickoski.

“Në vend të ndryshimeve dhe reformave të premtuara nga Mickoski, ai solli një regjim të ricikluar, versionin 2.0. Ish-ministri i financave, Zoran Stavrevski, i njohur për politikat katastrofike “s’kemi për bukë e shpenzojmë për çokollatë”, që i varfëroi qytetarët dhe natyrisht shprehjen “jemi të çmendur” të thënë nga ai personalisht.  Çfarë këshille mund të japë Stavrevski? Pra, këtu po shohim tashmë, njerëzit nuk kanë bukë për të ngrënë, çmimet po rriten dhe qeveria kërkon të blejë një avion. Në vend të qytetarëve, qeveria e Mickoskit kujdeset për luksin e saj. Pagat e punëtorëve nuk mjaftojnë për të mbuluar shportën sindikale. Debakli i politikave me shportat e qeverisë mbushi xhepat e tregtarëve të mëdhenj dhe zbrazi xhepat e qytetarëve. Në mesin e këshilltarëve të Mickoskit është edhe ish-zëvendëskryeministri i akuzuar dhe i amnistuar Vladimir Peshevski. I njohur gjithashtu si një ekspert “i orientuar nga marrëveshje” për destinacionet “off shore”, përqindjet dhe komisionet. Tashmë është e qartë se për cilat çështje strategjike do ta këshillojë Mickoskin. Edhe ish-kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski do ta këshilloka Mickoskin. Ky është konfirmim se të gjitha politikat e gabuara, të dëmshme të regjimit të Gruevskit jetojnë në qeverinë e Mickoskit”, thonë nga LSDM.

Kujtojmë se Fokus.mk ka zbuluar emrat e të gjithë këshilltarëve të Jashtëm të kryeministrit Mickoski. Profesori universitar dhe ish-deputeti Aleksandar Spasenovski, e këshillon kryeministrin për çështje evropiane. Cvetko Micevski është këshilltar i jashtëm në zyrën e kryeministrit për infrastrukturë, ndërsa Sasho Markovski është këshilltar për politikë të jashtme dhe përfaqësues special në procesin e negociatave të kryeministrit me BE-në.

Johanes Hajdeker, është këshilltar i jashtëm – ekspert në forcimin e kapaciteteve të ekipit ekonomik dhe koordinimin me departamentet e tjera ministrore në përgatitjen dhe zbatimin e politikave ekonomike. Gjithashtu, Llazar Jovevski është këshilltar i jashtëm për punë dhe politikë sociale, Snezhana Trpevska është këshilltare për avancimin e arsimit, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, ndërsa Goce Naumovski është këshilltar për çështje juridike.

Ndryshe, në mesin e këshilltarëve ka edhe ish-zyrtarë të njohur, si ish-ministri i Financave Zoran Stavrevski (financa dhe banka), ish zëvendëskryeministri për ekonomi Vlladimir Peshevski (çështjet strategjike ekonomike), ish-kryeparlamentari Trajko Veljanoski (politikë dhe sistem gjyqësor).

Sa i përket këshilltarëve të tjerë të kryeministrit, ka ish-zyrtarë të lartë të sigurisë – Ljubço Andonovski, këshilltar për siguri kombëtare dhe Goran Nikolovski, këshilltar për siguri strategjike.

Gjithashtu, bazuar në listën e publikuar, kryeministri këshillohet nga Shener Bilalli për marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve, Mimoza Rajl për kulturë, Jovan Pejkovski për shkenca politike dhe ekonomike dhe Dame Dimitrovski për mjedis dhe klimë.

Kryeministri Mickoski, dje në në një konferencë për media, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, tha se ka 17 këshilltarë. Prej tyre, siç theksoi ai, tre-katër punojnë me orar të plotë në qeveri dhe marrin pagesë mujore prej 90 mijë denarë, ndërsa të tjerët marrin pagë prej 60 mijë denarë.