Taravari: Fakt është se ka korrupsion në shëndetësi, i inkurajoj të gjithë të denoncojnë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, thotë se është fakt i pamohueshëm që në shëndetësi ka ryshfet, por duhet të ketë prova dhe inkurajon të gjithë ata që kanë informacione të raportojnë në institucionet kompetente, transmeton Portalb.mk. Taravari sot mori pjesë në konsultën e parë kombëtare për reformën e sektorit spitalor në vend, të organizuar në […]

Jan 30, 2025 - 15:00
 0  3
Taravari: Fakt është se ka korrupsion në shëndetësi, i inkurajoj të gjithë të denoncojnë
Arben Taravari dhe Agim Berisha. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, thotë se është fakt i pamohueshëm që në shëndetësi ka ryshfet, por duhet të ketë prova dhe inkurajon të gjithë ata që kanë informacione të raportojnë në institucionet kompetente, transmeton Portalb.mk.

Taravari sot mori pjesë në konsultën e parë kombëtare për reformën e sektorit spitalor në vend, të organizuar në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), dhe i pyetur për koment në lidhje me rastin e djeshëm, kur M.S (64) u arrestua për shkak të marrjes së ryshfetit në Spitalin klinik në Manastir, kirurg prej shumë kohësh në repartin kirurgjik të spitalit, tha: “Marrim denoncime dhe informacione në Ministrinë e Shëndetësisë, informojmë drejtorët. Tashmë ka një aksion. Ne po japim maksimumin tonë, punësime, marrëveshje kolektive, rritje pagash, kërkojmë edhe nga stafi mjekësor që të jetë korrekt dhe ta kryejë detyrën si duhet”.

Taravari tha se nuk do të zbulonte identitetin e mjekut sepse ekziston prezumim i pafajësisë. I pyetur nëse duhet t’i hiqet licenca nga Oda e Mjekësisë, ai tha se mendon se sigurisht që duhet, por për këtë duhet të flasë kryetarja e Odës.

“Ka pasur raportime edhe për klinikat kirurgjikale në Shkup, por konstatuam se nuk ka asgjë, se bëhet fjalë për operacion të rregullt. Duhet të jemi të kujdesshëm me të gjitha raportet, jo të gjitha mbajnë. Emrat do të bëhen të ditur pasi të konstatohet diçka. Ne nuk jemi gjyqtarët dhe polici. Inkurajoj të gjithë ata që kanë prova dhe informacione të raportojnë tek unë, në Ministrinë e Shëndetësisë, në polici apo drejtorët e spitaleve me të cilët jam në komunikim të përditshëm”, tha ministri.

Vitin e kaluar në korrik, Ministria e Shëndetësisë shpalli numrin e telefonit 072/899-001, ku qytetarët do të mund të raportojnë problemet dhe sugjerimet për punën e institucioneve shëndetësore dhe stafit.

“Ndani sugjerimet tuaja të kujdesit shëndetësor, raportoni keqpërdorimet, njihni mjekë të shkëlqyer dhe sugjeroni ide për reforma përmes linjës sonë të dedikuar telefonike. Qytetarët kanë mundësi edhe për komunikim personal me ministrin gjatë ditës së hapur, çdo të mërkurë nga ora 13:30 deri në 16:00”, thonë nga Ministria.