Ministria e Energjetikës e RMV-së është vendosur në një godinë pa leje për shfrytëzim, ndërtesa barok kushtoi 15 milionë euro
Ministria e re e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale është vendosur në objektin barok të Elektranave të Maqedonisë së Veriut (EMV) përballë Muzeut të Qytetit të Shkupit, i cili është pa pranim teknik. Ky objekt ka mbetur bosh që kur është ndërtuar, pasi nuk ka mundur të marrë leje përdorimi dhe ka kushtuar 15 milionë […]
Ministria e re e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale është vendosur në objektin barok të Elektranave të Maqedonisë së Veriut (EMV) përballë Muzeut të Qytetit të Shkupit, i cili është pa pranim teknik. Ky objekt ka mbetur bosh që kur është ndërtuar, pasi nuk ka mundur të marrë leje përdorimi dhe ka kushtuar 15 milionë euro, shkruan Sdk.mk, transmeton Portalb.mk.
Gjatë ndërtimit në kuadër të projektit “Shkupi 2014” janë bërë një sërë ndryshimesh dhe për këtë nuk është paraqitur asnjë kërkesë për marrjen e aprovimit nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Menaxhmenti i kaluar i EMV-së, pra kur ishte në pushtet LSDM-ja, tha se objekti ka një sërë mangësish dhe për këtë arsye nuk mund të merret pranim teknik. Kompania u ankua gjithashtu se gjatë ndërtimit janë bërë një sërë lëshimesh, instalimet nuk janë bërë siç duhet, nuk ka qasje në parkingun nëntokësor. Por në vitet e kaluara nuk është bërë asgjë për vënien në funksion të objektit dhe parandalimin e shembjes së saj.
Pas ndryshimit të qeverisë dhe krijimit të Ministrisë së re të Energjetikës, ajo u vendos në këtë godinë.
Ministria është përgjigjur se me vendim të Qeverisë objekti u është dorëzuar në shfrytëzim.
“Të gjitha të drejtat dhe detyrimet për shfrytëzimin e hapësirës afariste janë të rregulluara me marrëveshje ndërmjet SHA EMV dhe Ministrisë së Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Energjetikës.
Nga aty Sdk nuk mori përgjigje në pyetjet se deri ku është procedura që objekti të marrë pranimin teknik dhe çfarë po bëhet për këtë problem. Meqenëse objekti nuk ka parking, Ministria u përgjigj se parkingjet publike përreth objektit i shfrytëzojnë për vetura zyrtare.
Objekti barok i EMV-së filloi të ndërtohet në vitin 2013, në kuadër të projektit “Shkupi 2014” me vlerë 700 milionë euro, i cili u realizua në të gjithë qendrën e qytetit nga qeveria e atëhershme e VMRO-DPMNE-së në krye me Nikolla Gruevskin.
Objekti ka humbur vazhdimisht afatin e përfundimit, si dhe shumën e nevojshme për ndërtimin e tij. Ndërtesa fillimisht ishte menduar të kushtonte 9.8 milionë euro. Gjatë ndërtimit çmimi rritet në 14.6 milionë euro, pra rritet me 48.4 përqind. Krahas kësaj, janë edhe shpenzimet e krijimit të një projekti bazë rreth 50 mijë euro, mbikëqyrja e ndërtimit nga instituti ndërtimor Maqedoni SHA Shkup rreth 30 mijë euro dhe mobilimi prej 470 mijë euro.
Me ndryshimin e qeverisë, menaxhmenti i ri i EMV-së ka lidhur kontratë të re shtesë për shkak se nuk kanë përfunduar plotësisht punimet e ndërtimit, nuk janë vendosur instalimet e nevojshme dhe janë rregulluar defektet që janë bërë gjatë ndërtimit, sepse një pjesë e madhe e punimeve ndërtimore nuk janë kryer siç duhet.
Nuk ka qasje në parkingun nëntokësor në ndërtesë sepse ishte planifikuar të ndërtohej një rrugë në mes të parkut pas ndërtesave nga Muri i Qytetit.
Ndryshe, pranimi teknik, është i obligueshëm dhe i domosdoshëm në të cilin përmblidhen të gjitha të dhënat e projektit dhe tregon se projekti është teknikisht i realizuar sipas kërkesave.