Maqedonia e Veriut e varur nga ndihma e jashtme, nuk ka kapacitete të brendshme për të bërë reforma që çojnë vendin në Bashkimin Evropian

Demokratizimi i brendshëm. Plotësimi i kritereve dhe domosdoshmëria e reformave të cilat i kërkon BE nga vendet kandidate. Zgjerimi i BE-së si mjeti i fuqishëm për transformimin e vendeve. Ishin këto çështjet e shtruara në debatin kushtuar sundimit të ligjit dhe procesit eurointegrues, nën organizimin e Institutit për Demokraci “Societas Civilis”- Shkup dhe Institutit për […]

maj 7, 2025 - 19:00
 0  6
Maqedonia e Veriut e varur nga ndihma e jashtme, nuk ka kapacitete të brendshme për të bërë reforma që çojnë vendin në Bashkimin Evropian
Debat për procesin eurointegrues, nën organizimin e Institutit për Demokraci "Societas Civilis"- Shkup dhe Institutit për Politikë Europiane- Berlin

Demokratizimi i brendshëm. Plotësimi i kritereve dhe domosdoshmëria e reformave të cilat i kërkon BE nga vendet kandidate. Zgjerimi i BE-së si mjeti i fuqishëm për transformimin e vendeve. Ishin këto çështjet e shtruara në debatin kushtuar sundimit të ligjit dhe procesit eurointegrues, nën organizimin e Institutit për Demokraci “Societas Civilis”- Shkup dhe Institutit për Politikë Europiane – Berlin, shkruan Portalb.mk.

Drejtorë ekzekutiv të instituteve të ndryshme që kanë për studim BE-në dhe procesin eurointegrues dhe profesorë universitar diskutuan përvojat e shteteve të ndryshme, mundësitë dhe sfidat në procesin e zgjerimit të BE-së.

Funda Tekin, nga Instituti për Politika Europiane (IEP) në prezantimin e saj, veçoi se procedura e aderimit në BE është e bazuar në merita, ka kritere dhe negociata aderimi, dhe kapitujt më të rëndësishëm hapen fillimisht.

“Është një procedurë e qartë në letër, por duhet të jemi të vetëdijshëm se politika e zgjerimit është subjekt i politizimit. Logjika e parë quhet logjika e modernizimit dhe fokusohet në marrëdhënien mes BE-së dhe vendeve kandidate, është meritokratike dhe e përqendruar në demokratizimin e brendshëm. Këtu përballohemi me probleme kredibiliteti, gjë që dobëson dëshirën për modernizim në vendet kandidate. Ka një logjikë të dytë, atë gjeopolitike, e cila është më ndërkombëtare sesa e brendshme dhe më e drejtuar jashtë sesa brenda. Ajo është e preokupuar me forcimin e sigurisë dhe fuqisë së BE-së, dhe pas agresionit rus, kjo logjikë ka marrë epërsi, gjë që shpjegon përshpejtimin e procedurave me Moldavinë dhe Ukrainën”, tha Tekin.

“Nëse shohim çështjen e sundimit të ligjit, logjika e dytë nuk është zgjidhje, vendimi përfundimtar për aderim është subjekt i konfirmimeve të dyfishta nga dy trupa të ndryshme”, përfundoi Tekin.

Profesori universitar, Marko Krtolica u fokusua në çështjen se si mund të mësojnë vendet kandidate të BE-së nga dinamikat pas-zgjerimit të vendeve që përjetuan rënien e demokracisë?

“Në një periudhë kur rënia e demokracisë është më e dukshme, gjetja e mënyrave për të matur dhe parandaluar është e rëndësishme. Mund të mësojmë diçka, por përvojat e vendeve që tashmë janë anëtare nuk janë shumë të dobishme për ne. Zgjerimi i BE-së është mjeti më i fuqishëm për transformimin e vendeve, për këtë nuk ka dilemë. Qasja fillestare ishte ajo e karrotës dhe shkopit dhe lidhej me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, por kjo nuk është shumë e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor”, sqaroi në paraqitjen e tij profesori Krtolica.

Ai kujtoi se në vitin 2017, Maqedonia e Veriut bëri kompromise të mëdha, por që nuk rezultoi me shpërblim, gjë që dërgoi një sinjal te vendet e tjera për të mos bërë kompromise.

“Pas agresionit rus, dinamika ndryshoi dhe tani po shohim data të qarta, gjë që tregon një rritje të parametrave të sundimit të ligjit; kur ke një datë të qartë, mund të shohësh përparimin. Kur data është e paqartë, elitat politike e shfrytëzojnë atë. Është dhimbshme që na duhen shtysa nga jashtme, në vend të kapacitetit të brendshëm për të bërë reforma të brendshme. Rritja dhe axhenda e reformave është një mënyrë shumë më e mirë për të gjykuar vendet, por duhet të marrim parasysh gjithashtu se demokracitë nuk nuk janë të përsosura; ka rënie edhe në shtetet anëtare, është e dukshme që mund të shohësh rënien e demokracisë edhe kur je bërë anëtar. Do të jetë e vështirë të ruhet sundimi i ligjit në vitet e ardhshme dhe do të duhet të përcaktojmë çfarë është e kundërta e demokracive dhe të bashkëpunojmë”, theksoi Krtolica.

Simonida Kacarska, nga Instituti për Politika Europiane (EPI) u përqëndrua në modelet që sponsorizon dhe promovon BE-ja në lidhje me sundimin e ligjit.

“Shpesh mendojmë për kapitullin 23 si për ne, por ai u krijua fillimisht për Turqinë. I vetmi kandidatë që filloi negociatat ishte Kroacia, por për shkak të bllokimit nga Sllovenia pati vonesa. Komisioni, duke u bazuar në ato përvoja, filloi të krijojë modele për vetëqeverisje; Maqedonia bëri reformat më të gjera në sundimin e ligjit dhe është një studim i mirë për të hulumtuar se si funksionojnë këto modele. Atëherë kishte debate se çfarë do të thoshte kjo për gjyqësorin, gjë që sinjalizoi se ndryshimi i politikës mund të çonte në kapjen e disa personave në krye të gjyqësorit. Arritëm në vitin 2015 kur u shpallëm si një shtet i kapur nga partitë politike dhe negociatat u pezulluan për shkak të problemit me gjyqësorin. Çfarë mësuam nga ky rast është se midis 2005 dhe 2009 pati një shtytje të madhe nga BE-ja për liberalizimin e vizave. Pas 2010, BE-ja u tërhoq.

Në dekadën tjetër, ajo që shohim nga këto modele është se kur u nënshkrua Marrëveshja e Prespës, u përmirësuam pak, por sapo perspektiva për zgjerim u ndal, u kthyem prapa”, deklaroi Kacarska.

Ndryshe, Bajdan Veseloski, profesor nga Ukraina fokusin e vuri në përvojën e shtetit të Ukrainës.

“Ukraina duhet të shmangë imitimin e shembullit në disa vende ku liderët shpallin reforma pa i zbatuar ato. Reformat duhet të jenë shoqërore, jo vetëm teknike. Në lidhje me bllokimin e Hungarisë për hapjen e kapitujve të negociatave, ka takime dypalëshe midis dy vendeve, por Ukraina duhet të mobilizojë gjithashtu mbështetje për këtë nga vende të tjera”, tha profesori ukrainas Veseloski.

Kujtojmë se së fundmi në opinion ka tërhequr vëmendjen  Marta Kos, komisionerja e BE-së për Zgjerim, e cila e ka përshkruar rastin e RMV-së si një histori të trishtueshme. Duke folur rreth Ballkanit Perëndimor, Kos tha se ka dy ose tre histori të trishtueshme në rajon – njëra është Kosova, tjetra është Maqedonia e Veriut dhe e treta është Bosnja dhe Hercegovina.

Kujtojmë se meardhjen e VMRO-DPMNE-së në pushtet ka ndryshuar edhe retorika ndaj BE-së. Tani nuk flitet për kushtin që duhet të përmbush Maqedonia e Veriut në lidhje me ndryshimin e Kushtetutës, por kryefjala e ekzekutivit është se Evropa duhet të jetë parimore dhe të mos veprojë me standarde të dyfishta. Insistimi i VMRO-DPMNE-së, dhe kushti i saj për garanci në rrugëtimin drejt BE-së, e pastaj ndryshimet kushtetuese shkon në kundërshtim me kushtin e BE-së për negociatat.

Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.