U nënshkrua marrëveshja për ndërtimin e interkonektorit të gazsjellësit RMV- Greqi, pritet të jetë funksional në vitin 2027
Sot, në ambientet e Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, u nënshkrua solemnisht marrëveshja për ndërtimin e pjesës së Maqedonisë të interkonektorit të gazsjellësit Maqedonia e Veriut – Greqia, një projekt me rëndësi strategjike për të ardhmen energjetike të vendit dhe të rajonit, transmeton Portalb.mk. Në ceremoninë zyrtare të nënshkrimit morën pjesë edhe përfaqësues […]


Sot, në ambientet e Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, u nënshkrua solemnisht marrëveshja për ndërtimin e pjesës së Maqedonisë të interkonektorit të gazsjellësit Maqedonia e Veriut – Greqia, një projekt me rëndësi strategjike për të ardhmen energjetike të vendit dhe të rajonit, transmeton Portalb.mk.
Në ceremoninë zyrtare të nënshkrimit morën pjesë edhe përfaqësues të partnerit strategjik në anën greke – DESFA, si dhe përfaqësues të financuesve kryesorë ndërkombëtarë të projektit – Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Banka Evropiane e Investimeve (BEI). Ngjarja u mbështet gjithashtu nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Stopanska Banka SHA Shkup, si dhe anëtarët e Bordit Drejtues të NOMAGAS SHA Shkup, të cilët edhe një herë konfirmuan rëndësinë dhe mbështetjen e gjerë që ky projekt gëzon nga partnerët vendas dhe ndërkombëtarë.
Interkonektori, me gjatësi 68 kilometra, në territorin e Maqedonisë së Veriut, do të mundësojë transportin e gazit natyror dhe hidrogjenit, duke kontribuar në sigurinë energjetike, duke ulur ndotjen dhe duke përshpejtuar kalimin në burime të energjisë së gjelbër.
Në fjalën e saj, Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, theksoi se me nënshkrimin e marrëveshjes për ndërtimin e pjesës maqedonase të interkonektorit të gazit me Greqinë, shënojmë fillimin e investimit më të madh në energji në Maqedoninë e Veriut në dhjetë vitet e fundit.
“Ky interkonektor është provë se kur ka vullnet politik, besim rajonal dhe angazhim profesional – rezultatet janë reale dhe të prekshme”, tha ajo.
Projekti, vlera e të cilit vlerësohet mbi 5.1 miliardë denarë, do të zbatohet me mbështetjen e Bashkimit Evropian, Bankës Evropiane të Investimeve (BEI) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), përmes granteve, asistencës teknike dhe kredive të buta.
Drejtori Ekzekutiv i NOMAGAS ShA Shkup Muhamet Elmazi tha se ky është një projekt historik që jo vetëm lidh sistemin tonë energjetik me Greqinë, por na siguron edhe akses në tregjet evropiane të energjisë.
“Faleminderit të gjithë partnerëve për besimin dhe bashkëpunimin e tyre”, shtoi ai.
Gazsjellësi do të ketë një kapacitet fillestar prej 1.5 miliardë metrash kub gaz në vit, me mundësi zgjerimi deri në 3 miliardë. Kohëzgjatja e parashikuar e ndërtimit është 22 muaj, dhe interkonektori pritet të jetë funksional në vitin 2027. Ndërtimi do të kryhet nga kompania vendase “Rapid Build DOO”, dhe traseja e ndërtimit do të dorëzohet menjëherë pas nënshkrimit të kontratës.
Në fjalën e tij, drejtori i kompanisë së ndërtimit Rapid Build LLC, Toni Karanfilovski theksoi se kompania është plotësisht e përgatitur për zbatimin e këtij projekti kapital të infrastrukturës:
“Rapid Build është i pajisur me staf profesional dhe ka pajisje të plota teknike të nevojshme për kryerje në kohë dhe cilësore. Përvoja jonë deri më tani përfshin projekte të zbatuara me sukses jashtë vendit, gjë që është një konfirmim i seriozitetit, profesionalizmit dhe aftësisë sonë për të përmbushur të gjitha afatet dhe standardet e përcaktuara”, tha Karanfilovski.
Projekti përfaqëson një hap konkret përpara drejt përmbushjes së standardeve të BE-së për efikasitetin e energjisë dhe mbrojtjen e mjedisit. Linja ndërlidhëse do të kontribuojë gjithashtu në një ulje të ndjeshme të ndotjes, veçanërisht në komunat ku druri dhe nafta përdoren ende për ngrohje, gjë që do të përmirësojë cilësinë e ajrit dhe do të zvogëlojë emetimet e CO₂.
Ndërtimi i interkonektorit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë kishte ngecur në përzgjedhjen e realizuesit që do e ndërtojë atë, por tani që është përzgjedhur, mbetet të shihet nëse do të realizohet në afatin e paraparë.