Maqedonia e Veriut sot mbush plot 5 vjet që është pjesë e NATO-s
Maqedonia e Veriut sot mbush plot 5 vjet që është pjesë e NATO-s. Më 27 Mars 2020,vendi zyrtarisht u bë anëtar i NATO-s, ndërsa më 30 mars, flamuri i Maqedonisë, si flamuri i vendit aleat të 30, u ngrit në selinë e NATO-s në Bruksel, përpara Komandës supreme të forcave aleate (SHAPE) – Komanda aleate për operacione në Mons, […]


Maqedonia e Veriut sot mbush plot 5 vjet që është pjesë e NATO-s. Më 27 Mars 2020,vendi zyrtarisht u bë anëtar i NATO-s, ndërsa më 30 mars, flamuri i Maqedonisë, si flamuri i vendit aleat të 30, u ngrit në selinë e NATO-s në Bruksel, përpara Komandës supreme të forcave aleate (SHAPE) – Komanda aleate për operacione në Mons, Belgjikë dhe Komanda aleate për transformime në Norfolk, Virxhinia, SHBA, transmeton Portalb.mk.
Me rastin e pesëvjetorit, sot në Klubin e deputetëve në Shkup do të mbahet takim i ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski me ambasadorët e vendeve anëtare dhe partnerët e Aleancës. Sipas rendit të ditës, në fillim të manifestimit do të flasë ministri Mucunski, pas së cilës do të ketë një diskutim të mbyllur.
Nesër (28.03.2025) duke filluar nga ora 10:00 në Kazermën “Ilinden” në Shkup shënohet 5 vjetorin e anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Aleancën NATO.
Me këtë rast fjalimin do ta kenë presidentja dhe komandanti i përgjithshëm i Armatës, Gordana Siljanovska Davkova, ministri i Mbrojtjes Vllado Misajlovski, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneralmajor Sashko Lafçiski dhe komandanti i Komandës së Përbashkët të Forcave Aleate në Napoli, Admiral Stuartch.
Në këtë manifestim do të jenë të pranishëm kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, ministra në qeveri, përfaqësues nga trupi ushtarako-diplomatik në vend dhe mysafirë të tjerë.
Fjalimet do të pasohen me ushtrime demonstruese nga pjesëtarët e Ushtrisë.
Nga Rezoluta e Anëtarësimit, veto nga Greqia, përmes Marrëveshjes së Prespës deri te anëtarësimi i plotë
Angazhimi për integrimin euroatlantik daton që nga viti 1993, kur Kuvendi miratoi një Rezolutë që përcaktonte prioritetet e jashtme politike të vendit, përkatësisht anëtarësimin në NATO dhe BE.
Në nëntor të vitit 1995 vendi u bë anëtare e Partneritetit për Paqe, ndërsa në qershor të vitit vijues u hap Zyra ndërlidhëse e Republikës së Maqedonisë me NATO-n.
Më pas pasoi hapja e Zyrës Ndërlidhëse në vitin 1996 dhe vitin e ardhshëm, në vitin 1997, shteti u pranua në procesin PARP. Menjëherë pas kësaj, në Bruksel u hap Misioni i Republikës së Maqedonisë në NATO.
Në Samitin e Uashingtonit në prill 1999, vendi u bë zyrtarisht vend kandidat. Vendi qëndroi me atë status për njëzet vjet.
Më e afërta me NATO-n ishte në vitin 2008, në samitin në Bukuresht, por Aleanca atëherë arriti në përfundimin se vendi ishte teknikisht gati për të hyrë, por hyrja u pengua nga vetoja greke për shkak të mosmarrëveshjes së pazgjidhur të emrit. Pas gati tre dekadash mosmarrëveshja u tejkalua me Marrëveshjen e Prespës të nënshkruar më 17 qershor 2018, dhe dera e NATO-s u hap.
Më pak se një muaj pas marrëveshjes së arritur me Greqinë, në Samitin e NATO-s në Bruksel (11-12 korrik 2018), në një takim në nivel të krerëve të shteteve dhe qeverive, Aleanca mori vendim për të ftuar Maqedoninë e Veriut të nisë negociatat për anëtarësim në Aleancë.
Më 1 gusht 2018, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s i dërgoi një letër Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut së bashku me Planin për zbatimin e procesit të anëtarësimit në NATO, dhe në tetor të po këtij viti, në një takim në Bruksel përfunduan zyrtarisht bisedimet e pranimit. Më 6 shkurt 2019, përfaqësuesit e përhershëm të 29 vendeve anëtare të Aleancës në selinë e NATO-s nënshkruan protokollin e anëtarësimit për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Pas kësaj ngjarje, filloi faza tjetër, në të cilën protokolli i anëtarësimit u ratifikua në parlamentet kombëtare dhe institucionet e vendeve anëtare të Aleancës, si dhe u ratifikua edhe në Kuvendin e RMV-së.
Zyrtarizimit të anëtarësimit të plotë, i ka paraprirë nënshkrimi i Instrumentit të anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO nga presidenti Stevo Pendarovski më 20 mars 2020.
Më shumë lajme për lidhjen midis Maqedonisë së Veriut dhe NATO-s mund të gjeni KËTU dhe KËTU.