Me cilën parti opozitare preferojnë koalicion? Flasin Agim Bahtiri nga VV-ja dhe Haxhi Avdyli nga Guxo
Tashmë (Komisioni Qendror i Zzgjedhjeve) ka publikuar në faqen e tyre zyrtare emrat e kandidatëve për deputetë nga gjitha subjektet politike, krahas me numrin e votave të fituara. Në këto rezultate, që janë preliminare, nuk janë të përfshira votat e diasporës si dhe ato me kusht. Nga rezultatet e deri tanishme, Vetëvendosje ka numrin më
Tashmë (Komisioni Qendror i Zzgjedhjeve) ka publikuar në faqen e tyre zyrtare emrat e kandidatëve për deputetë nga gjitha subjektet politike, krahas me numrin e votave të fituara.
Në këto rezultate, që janë preliminare, nuk janë të përfshira votat e diasporës si dhe ato me kusht.
Nga rezultatet e deri tanishme, Vetëvendosje ka numrin më të madh të votave të fituara ku do të përfaqësohet me 47 deputetë në Kuvendin e Kosovës, e pasuar nga PDK-ja me 25 deputetë, LDK me 20 deputetë dhe Koalicioni AAK-NISMA me 8 deputetë, Lista Serbe me 9 deputetë, si dhe pakicat jo-serbe me 10 deputetë dhe po ashtu Nenad Rashiq pritet të jetë deputet nga partia e tij.
Por, me numrin e këtyre deputetëve, Vetëvendosjes i vështirësohet çështja e formimit të Qeverisë, pasi që aktualisht ka vetëm 47 deputetë dhe bashkë me pakicat jo-serbe dhe deputetin Nenad Rashiq, arrin të i bëjnë 58 deputetë, tre deputetë më pak se sa shumica e thjeshtë e nevojshme për votimin e Qeverisë së re në Kuvend.
Kësisoji, Lëvizja Vetëvendosje, detyrohet të bëjë koalicion me partitë tjera opozitare, ose të ‘peshkojë’ deputetë të rinj nga opozita dhe në rast se nuk mund ta bëjë Qeverinë, i hapet rruga partisë apo koalicionit që ia garanton Presidentit të Kosovës, se i ka 61 vota të deputetëve, por kjo ndodhë pasi që Albin Kurti të dështoj të formoj Qeverinë e re.
Agim Bahtiri: Pas rezultateve finale flasim për koalicione
Sipas rezultateve preliminare, deputeti i zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje, Agim Bahtiri, për FrontOnline, ka folur rreth mundësisë së formimit të Qeverisë Kurti 3 me ndonjë nga partitë opozitare dhe rreth qëndrimit të tij.
Bahtiri, thotë se deri më tani janë duke i pritur rezultatet finale që më pas të shikohet dhe të flitet për formimin e Qeverisë.
”Po i presim, pasi që t’i kemi rezultatet atëherë shikojmë’’, tha ai për FrontOnline.
Bahtiri, nuk ka refuzuar mundësinë e diskutimit me opozitën por se ka thënë se pas rezultateve finale do të merren me çështjen e formimit të Qeverisë
‘’Mas rezultateve merremi me këto gjëra” tha ai Agim Bahtiri
Haxhi Avdyli: Nuk do të kemi nevojë për koalicione, por pas rezultateve finale flasim për Qeverinë e re
Deputeti nga Lista Guxo, Haxhi Avdyli, ka folur për FrontOnline, rreth mundësisë së formimit të Qeverisë së re.
Avdyli shprehet i bindur se me votat e diasporës do të marrin deputetë të mjafueshëm për formimin e Qeverisë.
”Me diasporë do të marrim edhe më shumë deputetë dhe nuk do të jetë e nevojshme për koalicion me partitë tjera’’ tha ai.
Avdyli deklaroi se e sheh si të hershme të flas për koalicionet e ardhshme.
‘’Në këtë drejtim është akoma herët edhe me diskutu edhe me fol për koalicion. Deri të numërohen votat e diasporës dhe me kusht, dhe atëherë do të hapet edhe tema e diskutimeve e të bërjes së Qeverisë dhe mund të deklarojmë’’ tha ai për FrontOnline.
Deputeti i GUXO ka thënë se nuk dëshiron të lëshohet në deklarata rreth asaj se a do të bëjë koalicion me opozitën VV apo jo.
‘’Parimisht nuk e shoh të nevojshme të jap deklaratë, pa e pasur numrin e deputetëve, pa e ditur se a do të ketë nevojë, për koalicion dhe nuk po lëshona në këtë me deklaratën’’ tha ai.
Muhaxhiri: Nuk duhet çuditur nëse ndonjë parti opozitare bën koalicion me VV-në
Analisti politik, Artan Muhaxhiri, për FrontOnline ka folur rreth mundësisë se formimit të Qeverisë së re të Kosovës.
Muhaxhiri, thotë se përveç votave të siguruara, duhet pasur parasysh edhe nenin 96 të Kushtetutës së Kosovës.
‘’Nuk është e qartë se si VV do e bëjë Qeverinë pa Listën Serbe duke e ditur nenin 96 të Kushtetutës që e imponon përfshirjen e përfaqësuesve politik të serbëve që me shumicë janë nga Lista Serbe’’, tha ai.
Muhaxhiri thotë se duhet ditur ky rregull për formimin e Qeverisë, sado që nuk është populist.
‘’Kushtetuta e Kosovës, përveç 61 deputetëve nevojitet edhe përfshirja e pakicave serbe dhe jo serbe dhe Qeveria e re duhet behët duke pasur këtë rregull parasysh’’ u shpreh ai.
Ndërkaq rreth koalicionit mes VV dhe partive opozitare, analisti politik, Artan Muhaxhiri thotë se nuk duhet çuditur nëse ndonjë parti opozitare bën koalicion me VV-në.
‘’Sa i përket mundësisë që VV ta bëjë koalicionin edhe me ndonjë parti tjetër që është në opozitë, asnjë skenar nuk është i çuditshëm, sepse jemi mësuar me ndryshime të qëndrimeve të partive’’ deklaroi ai.
Matoshi: Nëse VV-ja s’di, s’do ose s’mundet, i lëshon udhë të dytit për formimin e Qeverisë
Analisti politik, Halil Matoshi, për FrontOnline ka folur rreth formimit të Qeverisë së re.
Ai thotë se Vetëvendosje si parti fituese përvec se i takon e ka edhe për obligim formimin e Qeverisë së re.
‘’Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve kombëtare dhe jo vetëm që i takon, por ka obligim që ta krijojë Qeverinë e re’’, thotë ai.
Matoshi, deklaron se pasi qe VV-së i mungojnë votat, ajo duhet të gjejë partnerë për qeverisje e pastaj edhe partnerë për përballje ndërkombëtare.
‘’Po nuk i mjaftojnë votat? Për këtë demokracia është procedurë në bashkëpunim! VV-ja ka përgjegjësinë me gjete aleatë sot në qeverisje dhe nesër në përballje ndërkombëtare’’, thotë ai.
Analisti Matoshi, deklaron se nëse VV nuk di, nuk do ose nuk mundet ta bëjë Qeverinë, duhet të lëshoj pe.
‘’Nëse s’di, s’do ose s’mundet, i lëshon udhë të dytit’’ u shpreh ai.