Me trup në Maqedoninë e Veriut, me mendje në Kosovë
Shkruan: Sefer TAHIRI Ka mundësi që këtyre ditëve, me të drejtë, sidomos gjeneratat e reja në Kosovë, kjo “gjenerata e kullerave” dhe ndonjë patriot i regjur “kosovarocentrist”, së bashku të gjithë si në kor, të çuditen si me ra nga marsi se pse gjithë ky interesim i madh, madje i tepruar i shqiptarëve të Maqedonisë […]
Shkruan: Sefer TAHIRI
Ka mundësi që këtyre ditëve, me të drejtë, sidomos gjeneratat e reja në Kosovë, kjo “gjenerata e kullerave” dhe ndonjë patriot i regjur “kosovarocentrist”, së bashku të gjithë si në kor, të çuditen si me ra nga marsi se pse gjithë ky interesim i madh, madje i tepruar i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për Kosovën, zgjedhjet, të ardhmen e saj. Më shumë edhe se sa për Shqipërinë, shtetin amë!
Me Kosovën kemi ndërlidhje shumëplanëshe, që përbëjnë një identitet të unifikuar kulturor dhe gjuhësor e që formëson atë etnik! Kjo më nuk është çështje Kushtetute, shteti, kufiri, sistemi…
Do mundohem, të shpjegoj se pse shqiptari i Maqedonisë së Veriut thotë “Edhe unë jam Kosovë”, natyrisht me distancimin se kjo trajtesë apo vrojtim sociologjik e politologjik nuk do t’i ofrojë të gjitha përgjigjet!
Sociologu i njohur, Fehmi Agani, ideologu i çështjes shqiptare me të drejtë thoshte “Kosova është Piemonti i shqiptarisë”.
Fizikisht jemi shumë afër dhe rrjedhimisht kemi lidhje të veçanta familjare, por dhe kulturore, historike dhe politike me Kosovën. Kemi vuajtur dhe kemi kënduar së bashku!
Një pjesë bukur e madhe e shqiptarëve të Maqedonisë me vite dritare të vetme informimi kishin Radio Televizionin e Prishtinës, zërat e mrekullueshëm të të cilëve i dëgjonim dhe i shikonim me ëndje, ndërsa Rilindja ishte gazetë shumë e lexuar.
Ne gjithmonë me përulje, por edhe ballëlartë duhet të themi hapur se indin kulturor shqiptar na e ka ruajtur gjallë, midis tjerash Universiteti i Prishtinës. Atyre burrave dhe grave mësimdhënëse, që kanë arsimuar gjenerata të tëra shqiptarësh ndër ne, duhet thënë faleminderit dhe respekt pafund.
Ne, së bashku me shqiptarët e Kosovës, kemi qenë pjesë e një sistemi, sado i keq që ka qenë ai dhe brenda tij kemi pasur shumë më shumë interaksione ekonomike, kulturore, arsimore e politike. Kemi pasur halle të njëjta. Shqiptarët këndej kufirit burgoseshin sepse brohoritnin Kosova Republikë.
Kam qenë klasa e 7-të, kur për shkak se një nxënës kishte shkruar në dërrasë të zezë Kosova Republikë, pushteti komunist urdhëroi që në çdo klasë të lexohej vendimi për dënimin e shkrimit të kësaj parulle vetëm pse ishte shkruar Kosova Republikë! Paramendoni.
Në stadiumet tona brohoritej “Jetën e japim, Kosovën se japim”. Ju kujtohet edhe ajo e famshmja “Republikë, Kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë” !
Lidhja Demokratike e Kosovës si parti e parë politike e shqiptarëve në ish Jugosllavi, e themeluar në 23 dhjetor të vitit 1989 vendosi themelet dhe më pas trasoi trajektoren e hartimit dhe artikulimit të kërkesave legjitime dhe substanciale të shqiptarëve të Kosovës.
Në 5 maj të vitit 1990 u themelua partia e parë e shqiptarëve në vendin tonë, Partia e Prosperitetit Demokratik. LDK-ja dhe PPD-ja kishin ngjashmëri, pasi veçanti e tyre ishte politikbërja e “butë” dhe sendërtimi i kërkesave të shqiptarëve përmes rrugës institucionale.
Përderisa PPD-ja bënte politikë në stilin “hap pas hapi”, LDK-ja promovonte të ashtuquajturën politikë me mjete paqësore e tipit gandian.
Më 22 korrik të vitit themelohet Këshilli koordinues i partive politike shqiptare në ish Jugosllavi, në krye me Ibrahim Rugovën, në të cilin dominonin LDK-ja dhe PPD-ja. Rugova ishte padyshim politikan i dashur i epokës së demokracisë së re shqiptare.
Pas vitit 1993, kur në Maqedoninë e Veriut nga Kosova vjen Arbër Xhaferi politika shqiptare në Maqedoninë e Veriut gjithmonë i ka dhënë përparësi Kosovës, statusit të saj, pavarësimit të saj. I ndjeri Xhaferi në doktrinën e vet politike vend të veçantë i kushtonte Kosovës.
Ne e pranonim si fakt të kryer që para statusit të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, duhet zgjidhur statusi i Kosovës.
Në punën time profesionale si gazetar e kam pranuar me vetëdije këtë logjikë, duke vlerësuar edhe sot se ka qenë e drejtë! Kjo është më tepër shpjegim për ata që disi me prepotencë thonë “Ju keni shtetin tuaj, atje zgjidhni çështjet tuaja”!
Nga viti 1999 deri në vitin 2002, Partia Demokratike Shqiptare ishte në raporte të shkëlqyera me Partinë Demokratike të Kosovës, e cila ishte vazhdimësi politike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Xhaferi ishte tepër i afërt me strukturat e PDK-së, ndërsa vetë ka dhënë kontribut në hartimin e linjave programore strategjike të partisë së krahut të luftës. Jorastësisht autostrada që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut sot quhet Arbër Xhaferi!
Në vitin 2000 në shenjë mbështetjeje për PDSH-në e Xhaferit, në Tetovë, selinë e kësaj partie zbarkuan drejtuesit e PDK-së, si Fatmir Limaj, Jakup Krasniqi e shumë të tjerë.
Nga fillimi i luftës çlirimtare në Kosovë nën siglën e UÇK-së në horizont dukej rënia e figurës paqësore të Rugovës dhe shkëlqimi i figurës ushtarake të Hashim Thaçit.
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut gjithmonë kanë qenë të gatshëm të sakrifikojnë për Kosovën. E dëshmuan në vitin 1999, gjatë luftës çlirimtare, pasi një pjesë e tyre ishin pjesë aktive e saj, ndërsa nga vendi kemi shumë dëshmorë, ndër më të njohurit Ismet Jashari, komandant Kumanova dhe Mujdin Aliu.
Shqiptarët i hapën shtëpitë e tyre, siç i hapën shqiptarët në Kosovë në vitin 2001. Kampet e refugjatëve u hapën pikërisht në rajonet shqiptare!
Politikani i njohur maqedonas Vasil Tupurkovski në intervistën për javoren Fokus pati deklaruar se “Maqedonasit nuk dhanë as një gotë ujë për shqiptarët e Kosovës, të dëbuar nga pushteti serb”! Bllaca, gjithmonë do të jetë trualli i kujtesës së përbashkët historike të një golgote, që rrallë e njeh historia e njerëzimit.
Pas luftës së vitit 2001, BDI-ja e Ali Ahmetit vendosi relacione të shkëlqyera me partinë homologe në Kosovë, të drejtuar nga Hashim Thaçi, ndërsa PDSH-ja duke dashur të tregojë se pas humbjes së relacioneve me PDK-në ka partner strategjik në Kosovë, vendosi bashkëpunim shumë të mirë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, e drejtuar nga Ramush Haradinaj.
Nga viti 2006 e këndej, deri më sot, BDI-ja i ka ruajtur relacionet me PDK-në, ndërsa edhe me AAK-në ka pasur raporte të mira. Kjo ndërlidhet me faktin se të trija këto parti janë zgjatim politik i ushtrive çlirimtare, ndërsa më herët i Lëvizjes Popullore të Kosovës.
Pas daljes në skenën politike të Lëvizjes BESA dhe Aleancës për Shqiptarët, vendosen relacione të mirëfillta komunikimi dhe bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2024, Kurti kishte rol vendimtar për bashkimin e forcave opozitare në koalicionin VLEN, i cili sot është në pushtet në Maqedoninë e Veriut. Ka pasur disa takime mes Kurtit dhe liderëve të VLENI-t, ndërsa siç ka njoftuar njëri nga eksponentët e VLENI-t, të njëjtat janë inicuar nga vlenistët e jo nga Kurti.
Një eksponent i Vetëvendosjes, filozofi Elvis Hoxha, BDI-në e quajti parti e regjimit! Qëndrim i qartë dhe pa ekuivoke.
Vetëvendosja kishte tre kandidatë në listën e VLENIT, ndërsa Bekim Qoku u zgjodh deputet. Ka pasur shumë zëra se VV-ja do të formohet në Maqedoninë e Veriut, por si duket mungon Albin Kurti.
Kurti ishte lider i lëvizjes studentore të shqiptarëve në Kosovë, ndërsa nga viti 2005, bëri opozitë aktive revolucionare ndaj qeverisë së Ibrahim Rugovës, veçanërisht Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt, duke ndërthurur filozofinë politike me protestat masive nëpër rrugët e Kosovës.
Kurtin e duan shqiptarët e këtushëm me një eufori të jashtëzakonshme. Kjo meqë është i ditur, i pakorruptuar e i pakorruptueshëm. Populist po se po sepse populizmi ende në Ballkan është njëra nga doktrinat dominuese politike, e cila tërheq si magnet njerëzit e shtresave të ndryshme shoqërore.
Albin Kurti është me siguri kompensim për liderin apo politikanin e guximshëm që duan ta kenë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
Në mbështetje të Vetëvendosjes në Çarshinë e Shkupit nga koalicioni VLEN hapet shtabi i saj. Zgjedhjet në kojshi, shtabi në Çarshi do të kishin thënë ironikët!
Natyrisht se në vendin tonë ka edhe mbështetës të Partisë Demokratike të Kosovës, për shkak të lidhshmërisë emotive me krahun e luftës dhe solidarizim me ish krerët e ish UÇK-së, të cilët akuzohen nga Tribunali i Hagës. Për shkak të ndarjes në tabore, mbështetje më pak ka LDK-ja e AAK-ja.
Kushdo që do ta formojë qeverinë e re në Kosovë ka për detyrë të ndikojë tek Qeveria e Maqedonisë së Veriut tua ndalojë tipave si Stoilkoviq që Kosovën ta quajnë edhe Metohi. Duhet të lehtësohet kalimi i kufirit, sepse çfarë rëndësie kanë mbledhjet e përbashkëta me fjalë të bukura e formalitete të shumta, si dhe ardhja e Kurtit në Shkup kur qytetarët presin me orë të tëra për të hyrë dhe besa edhe për të dalë nga Maqedonia e Veriut.
Dikur masat e dhunshme të Serbisë ndalonin komunikimin mes shqiptarëve këndej dhe andej kufirit dhe nuk ka asnjë justifikim për pritjet e gjata në kufi.
Duhet të angazhohet për zbatimin e marrëveshjes ndërqeveritare, që të përfundohet rruga Shkup – Bllacë, e cila e lidh me autostradën e Kosovës, e njohur si “Rruga e kombit”.
Kjo rrugë, edhe pse ka përfunduar në vitin 2010, 15 vite pas ende nuk ka përfunduar në pjesën e Maqedonisë së Veriut, edhe pse është e gjatë vetëm 12.5 kilometra. Kryeministri Hristijan Mickoski u shpreh se është shtuar numri i qytetarëve nga Kosova që vijnë në Maqedoninë e Veriut dhe shpenzojnë para. Nga viti 2011 të ndërtohej nga një kilometër, sot kjo rrugë do të ishte punë e kryer që në vitin 2023.
Përveç rrugës Shkup – Bllacë, pritet të jetësohet edhe rruga Tetovë – Prizren! Ngjashëm edhe ky projekt premtohet nga Bashkimi Demokratik për Integrim që nga viti 2011. Nga ky vit nuk ka pasur zgjedhje lokale ose parlamentare që kjo rrugë nuk është premtuar, rrugë e cila ka rëndësi të madhe për banorët e të dy shteteve.
Edhe kjo rrugë, do të presë vullnetin politik të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, i cili ka munguar gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së dhe pas vitit 2017, edhe gjatë qeverisjes mes LSDM-së dhe BDI-së. Shpresojmë nuk do t’i mungojë qeverisë së VMRO- DPMNE-së-VLEN.
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut mbase mund të kenë preferencat e tyre politike për partitë në Kosovë, një pjesë e tyre edhe do të votojnë pasi kanë shtetësi, por para së gjithash duhet pasur parasysh një fakt se nëse e duam Kosovën, atëherë për të ardhmen e saj le të vendosin qytetarët e saj! Ata e dinë më së miri se çfarë Kosove duan!