Mevlan Ademi: Mos na përdorni! Pankartat nuk janë të studentëve
Debati rreth pankartave të vendosura në Shkup po thellohet, ndërsa përfaqësues të studentëve dhe figura publike po ngrenë shqetësime serioze për përpjekje të mundshme për politizim të protestës. Përfaqësuesi i The post Mevlan Ademi: Mos na përdorni! Pankartat nuk janë të studentëve appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Debati rreth pankartave të vendosura në Shkup po thellohet, ndërsa përfaqësues të studentëve dhe figura publike po ngrenë shqetësime serioze për përpjekje të mundshme për politizim të protestës.
Përfaqësuesi i studentëve, Mevlan Ademi, ka reaguar qartë duke u distancuar nga mesazhet e shfaqura në hapësirat publike.
“Mos nxirrni banerë në emrin tonë! Mos e politizoni çështjen! Nëse mundeni, jepni zgjidhje — nëse jo, ejani në protestë!”, ka deklaruar ai, duke theksuar se studentët nuk qëndrojnë pas pankartave në fjalë.
Ndërkohë, reagimet publike janë intensifikuar, me akuza gjithnjë e më të forta për prapaskena politike. Aktivistja qytetare Nafie Selmani ka drejtuar kritika të ashpra ndaj VLEN-it.
“VLEN-i, përveçse nuk ka vullnet, e as kapacitet e takat t’i ndihmojë studentët, tani po përdor forma nga më banalet për t’i penguar ata në ushtrimin e të drejtës së tyre themelore. NUK VLEN #meStudentët”, deklaroi ajo.
Sipas raportimit të Gazeta Flaka, janë shtuar dyshimet se pankartat nuk janë vendosur nga vetë studentët, por nga aktivistë partiakë. Burime jozyrtare bëjnë të ditur se fushata mund të mos ketë qenë spontane.
Sipas tyre, pankartat dyshohet se janë vendosur nga aktivistë me pagesë të lidhur me struktura brenda VLEN-it, me qëllim që protestës studentore t’i jepet një kahje politike.
“Ata s’janë studentë, as që kanë kryer fakultate – janë militantë partiak”, theksojnë burimet.
Po ashtu, sipas të njëjtave burime, nga terreni janë siguruar fotografi ku shihen aktivistë të njohur nga Çair teksa vendosin pankartat. Këto pamje pritet të publikohen gjatë ditës në rrjetet sociale.
Për zhvillimet ka reaguar edhe analisti Sefer Selimi, i cili ka ngritur akuza të drejtpërdrejta për manipulim të zërit të studentëve.
“Pasi Hristijan Mickoski ua ka ndal zanin aty ku duhet të flitet për studentët dhe shqiptarët, tash duan ta vjedhin edhe zanin e studentëve. Në çfarë gjendje dëshpërimi duhet të jesh për të bërë një veprim të tillë?”, u shpreh Selimi, duke shtuar me ironi: “Bash më intereson kush e ka pas këtë ide briliante?”
Reagim ka ardhur edhe nga Imrane Veliu – Aliu, e cila theksoi se çështja tashmë ka tejkaluar dimensionin akademik.
“Nuk më dhemb që po na heshtin… më dhemb mënyra si po na shpërfillin. Nuk është më çështje vetëm e një provimi… është çështje dinjiteti, gjuhe dhe identiteti. Studentët kërkojnë diçka bazike – të mësojnë dhe të testohen në gjuhën e tyre,” deklaroi ajo.
Ajo shtoi se përballë kësaj kërkese ka pasur “devijim, manipulim dhe përpjekje për ta kthyer thelbin në zhurmë politike”, duke theksuar se studentët, pavarësisht gjithçkaje, kanë vendosur të vazhdojnë të flasin.
Deri më tani, nuk ka reagim zyrtar nga palët e përmendura lidhur me këto pretendime. Ndërkohë, publikimi i mundshëm i pamjeve nga terreni pritet të ndikojë në zhvillimet e mëtejshme të kësaj çështjeje. Gazeta Flaka
The post Mevlan Ademi: Mos na përdorni! Pankartat nuk janë të studentëve appeared first on Flaka, në çdo lajm... .