Mickoski: Nuk votoj ndryshime kushtetuese nën presion
“Derisa të mos tregoni karakter dhe vlera në të cilat besoni, nuk do t’ju vlerësojnë. E dini atë tregimin me kërmillin, nëse mendoni se me zvarritje do të arrini në majë, gaboheni, të paktën unë nuk mendoj kështu. Unë mbroj tezën se më mirë vështirë, sesa turpshëm. Këto janë parimet dhe vlerat në të cilat […]

“Derisa të mos tregoni karakter dhe vlera në të cilat besoni, nuk do t’ju vlerësojnë. E dini atë tregimin me kërmillin, nëse mendoni se me zvarritje do të arrini në majë, gaboheni, të paktën unë nuk mendoj kështu. Unë mbroj tezën se më mirë vështirë, sesa turpshëm. Këto janë parimet dhe vlerat në të cilat besoj”, tha kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në emisionin “Samo intervju” në televizionin Kanal 5.
Kryeministri Mickoski thotë se anëtarësimi i Maqedonisë në BE nuk varet nga asnjë rezolutë, por nga marrëdhëniet bilaterale, të cilat, për fat të keq, sipas tij, i ka lejuar Bashkimi Evropian.
“Afrimi ose largësia jonë me BE-në nuk varet nga fakti nëse ne jemi ko-sponsorë të kësaj apo asaj rezolute, por varet ekskluzivisht nga çështjet bilaterale, të cilat, për fat të keq, vetë BE-ja i ka lejuar të ndodhin. A gaboj unë, nuk e di, a do të kem sukses në këtë, nuk e di, unë e kam fituar legjitimitetin nga qytetarët nëntë muaj më parë, gjysmë milioni njerëz dolën dhe votuan,” tha Mickoski.
“Nuk kam ndërmend të puth stilolapsa, të buzëqesh ndërsa më fyejnë, më poshtërojnë dhe më nënvlerësojnë, ajo që mendoj dhe argumentet që kam, nuk po them se janë më të drejtat dhe më të saktat, por unë e kam marrë besimin e qytetarëve për t’i paraqitur ato argumente që mbrojnë interesat e këtij shteti dhe të të gjithë qytetarëve,” theksoi Mickoski.
I pyetur nëse Uashingtoni thotë se ndryshimet kushtetuese duhet të votohen, Mickoski u përgjigj:
“Nuk do t’i votoj, kjo nuk do të ndodhë. Nuk do t’i votoj derisa edhe Bullgaria të përmbushë detyrimet e saj të marra, e kjo është të respektojë të drejtat e të gjitha pakicave.”