Mijëra studentë në Shkup: “Gjuha shqipe nuk negociohet” – kërkohet dorëheqja e ministrit Igor Filkov
Me moton “Respekto ligjin për gjuhët, respekto Kushtetutën”, mijëra studentë shqiptarë protestuan sot në Shkup, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe. Protesta nisi nga The post Mijëra studentë në Shkup: “Gjuha shqipe nuk negociohet” – kërkohet dorëheqja e ministrit Igor Filkov appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Me moton “Respekto ligjin për gjuhët, respekto Kushtetutën”, mijëra studentë shqiptarë protestuan sot në Shkup, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
Protesta nisi nga Ura e Gurit dhe përfundoi para Ministrisë së Drejtësisë, ku studentët shprehën revoltën për, siç thonë, mohimin e një të drejte të garantuar me ligj.
Gjatë marshit, ata brohoritën:
“Ne flasim shqip, gjuha shqipe nuk negociohet, gjuha shqipe është zyrtare, drejtësi, barazi, nuk ka shtet pa rininë. Zëri ynë nuk do të ndalet, Igor Filkov dorëheqje.”
Njëri nga organizatorët, Mevlan Ademi, në fjalimin e tij para Ministrisë së Drejtësisë, e cilësoi absurde që në vitin 2026 studentëve shqiptarë t’u mohohet e drejta për të dhënë provime në gjuhën shqipe.
“Kjo protestë nuk duhej të ndodhte kurrë… por para se të jemi studentë apo profesionistë, ne jemi shqiptarë dhe kur preket gjuha, preket vetë themeli ynë. Shqipja nuk negociohet. Nuk kërkojmë favore, kërkojmë barazi,” deklaroi Ademi.
Ai shtoi se studentët nuk do të tërhiqen derisa shteti të respektojë Kushtetutën dhe të drejtën për përdorimin e gjuhës shqipe.
“Shqipja nuk është opsion, është identitet… nuk ka barazi pa shqipen dhe nuk ka të ardhme pa të,” theksoi ai.
Kryetari i Unionit Studentor të UNT-së, Besar Sejdiu, falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe përsëriti kërkesën kryesore të studentëve:
“Kërkesa jonë është e thjeshtë – respektoni Kushtetutën dhe ligjin, as më shumë e as më pak.”
Ai paralajmëroi se çdo zvarritje përbën përpjekje për mohimin e një të drejte të kahershme.
“Ne këtu do të jemi, ndërsa ju zbatoni Kushtetutën dhe ligjin,” shtoi Sejdiu.
Ndërkohë, kryetari i Parlamentit Studentor pranë UEJL-së, Besian Rexhepi, theksoi se studentët kërkojnë zgjidhje konkrete dhe jo justifikime.
“Në një shtet multietnik si Maqedonia e Veriut kemi nevojë për ligje që respektojnë diversitetin. Ky është një mesazh i drejtpërdrejtë për ministrin e drejtësisë që ta marrë seriozisht këtë çështje,” u shpreh ai, duke i bërë thirrje edhe kryeministrit të reflektojë përtej deklaratave.
Studenti Jon Selimi theksoi se prania e tyre në rrugë nuk është e rastësishme.
“Jemi këtu sepse jemi lodhur duke trokitur në dyer të mbyllura. Ligjet nuk prodhojnë obligime vetëm për qytetarët, por edhe për institucionet. Kërkesa jonë është e thjeshtë: zbatojeni ligjin ashtu siç është,” deklaroi ai.
Protesta u mbyll para Ministrisë së Drejtësisë me thirrje për dorëheqjen e ministrit Igor Filkov dhe me mesazhin se studentët nuk do të ndalen derisa të garantohet plotësisht përdorimi i gjuhës shqipe në sistemin arsimor dhe në institucionet shtetërore. Gazeta Flaka
The post Mijëra studentë në Shkup: “Gjuha shqipe nuk negociohet” – kërkohet dorëheqja e ministrit Igor Filkov appeared first on Flaka, në çdo lajm... .