Ministri bullgar: Ndërtimi i Korridorit 8 është prioritet

Ndërtimi i Korridorit 8 është prioritet. Kështu ka deklaruar zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve i Bullgarisë, Grozdan Karaxhov, transmeton Portalb.mk. “Para dy vitesh, si Ministër i Zhvillimit Rajonal, propozova projekte për lidhjen e Rumanisë dhe Maqedonisë së Veriut. Njëra prej tyre është për autostradën Dupnicë – Gjushevë (Deve Bair), për të cilën kam […]

shkurt 7, 2025 - 15:00
 0  4
Ministri bullgar: Ndërtimi i Korridorit 8 është prioritet
Flamuri i Maqedonise dhe ai i Bullgarisë. Foto: Qeveria e RMV-së

Ndërtimi i Korridorit 8 është prioritet. Kështu ka deklaruar zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve i Bullgarisë, Grozdan Karaxhov, transmeton Portalb.mk.

“Para dy vitesh, si Ministër i Zhvillimit Rajonal, propozova projekte për lidhjen e Rumanisë dhe Maqedonisë së Veriut. Njëra prej tyre është për autostradën Dupnicë – Gjushevë (Deve Bair), për të cilën kam filluar përgatitjet për rilevim gjeologjik. Dhe kjo është e lidhur ngushtë me projekte të tjera”, ka deklaruar Karaxhov.

Ai ka theksuar se Sofja ka dërguar një projekt-marrëveshje ndërqeveritare në Shkup muajin e kaluar për përgatitjen, ndërtimin dhe funksionimin e tunelit hekurudhor ndërkufitar për Korridorin 8 që lidh të dy vendet.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit i RMV-së, Aleksandar Nikolloski ka thënë se ende nuk është arritur marrëveshje, por po zhvillohen bisedime intensive dhe është çështje kohe, javësh e jo muajsh kur do të dalin me lajme pozitive, nëse ka vullnet të mirë nga ana e Bullgarisë.

Më 15 janar Ministria Bullgare e Transportit dhe Lidhjeve njoftoi se Qeveria e Bullgarisë i ka dërguar Republikës së Maqedonisë së Veriut një projekt-kontratë për përgatitjen, ndërtimin dhe funksionimin e një tuneli hekurudhor ndërkufitar që lidh dy vendet.

Propozimi i shtetit bullgar, siç u njoftua në atë kohë, është që të dy qeveritë të ndërmarrin angazhime specifike dhe të qarta për realizimin e tunelit hekurudhor kufitar, i cili është pjesë kyçe e ndërtimit të Korridorit 8 të transportit evropian, i cili lidh Detin e Zi me detin Adriatik dhe kalon nëpër territoret e Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Qeveria maqedonase më 28 janar njoftoi se ka marrë draft tekstin e Marrëveshjes për përgatitjen, ndërtimin dhe shfrytëzimin e tunelit ndërkufitar nga rruga hekurudhore e Korridorit 8, e cila ishte përgatitur dhe dërguar nga Bullgaria tek autoritetet maqedonase.

Ndryshe, Qeveria e Bullgarisë më 30 dhjetor të vitit të kaluar miratoi projekt-marrëveshjen me Maqedoninë e Veriut për ndërtimin dhe funksionimin e tunelit hekurudhor ndërkufitar “Deve Bair”, dhe siç njoftoi atëherë Ministria e Transportit bullgar, do të formohet një komision i përzier dhe teksti i marrëveshjes do të diskutohet me palën maqedonase.