Kombi mbahet me gjuhën e tij
Është thënë prej kohësh se Shqipja është gjuha e njërës prej etnive më të lashta të kontinentit evropian. Ajo bën pjesë ndër gjuhët e veçanta indoevropiane, sepse është degë e trungut, jo degë e krandes. Këtë të vërtetë nuk e pohojnë vetëm folësit e saj, po edhe studiuesit e mëdhënj të gjuhëve të botës. Për […]
Është thënë prej kohësh se Shqipja është gjuha e njërës prej etnive më të lashta të kontinentit evropian. Ajo bën pjesë ndër gjuhët e veçanta indoevropiane, sepse është degë e trungut, jo degë e krandes. Këtë të vërtetë nuk e pohojnë vetëm folësit e saj, po edhe studiuesit e mëdhënj të gjuhëve të botës. Për shkak të vjetërsisë, Rilindësit e quajtën “Gjuhë perëndishë”. Ata e mëkëmbën dhe e shndërruan në mjet për ringjalljen e vetëdijes së shfytyruar ndër katrahura përsëritjesh që përsëriten përsëri.
Sami Frashëri, njëri ndër eruditët më të mëdhenj shqiptarë, ishte i bindur se, për sa kohë një komb arrin ta ruajë gjuhën, ai i ka të gjitha mundësitë të mbahet gjallë, të mbijetojë tallazet e historisë, të mos shkrihet me të tjerët dhe të mos bëhet i huaj në vendin e vet.
Kjo është arsyeja përse prometejët tanë e vendosën gjuhën në qendër të levizjeve rilindëse dhe përse me aq ngulm u angazuan për alfabetin dhe njësimin e Shqipes, për hapjen e shkollave, për botimin e gazetave, revistave dhe librave shqip.
Larg Shqipërisë, Sami Frashëri që kishte ushqyer shpirtin me dije universale dhe që i njihte detajet e historisë së njerëzimit, formimin e kombeve dhe rëndësinë e gjuhës dhe emancipimit…, e kuptonte më mirë se gjithkush tjetër katandisjen e shqiptarëve. O, ç’turp i math!, thoshte Ai. Sot Shqipëtarëtë janë robër të poshtëruar’ e tunjurë, të shkelur’ e të çpërndarë… Bijt e tyre janë lakuriq me një këmishë që s’ka ku ta zërë qeni!
Sipas Tij, kjo qe pasojë e prapambetjes së shqiptarëve, të cilët, në raport me fqinjët, kishin ngecur në të gjitha fushat e jetës dhe, si të tillë, dukeshin të paaftë të formojnë dhe të qeverisin shtet. I bindur se kombi mbahet me gjuhën e tij, Samiu e përsëriste në vazhdimësi se: s’mund të ketë shqipëtarë pa gjuhë shqipe, pa shkronja shqipe e pa shkolla… Ndaj: Ata njerës, që harojnë a lënë gjuhën’ e tyre e flasinë një tjatrë gjuhë, me kohë bëhenë njerëzit’ e atij kombi q’i flasinë gjuhënë e dalinë nga kombëri’ e tyre. Kaqë kombe, që janë shuarë, mos pandehni se vdiqn’ a u vranë të tërë; jo kurrë; po u përzienë me të tjerë kombe, muarrë gjuhën’ e atyre, edhe u bënë nga ata…
Për të argumentuar të sipërthënën, Ai hodhi dritë shkencore mbi të vërtetën e disa gjjndjeve (kombëve), që sot nuk ekzistojnë, sepse: u shuan’ e u haruanë duke humburë gjuhën’ e tyre.
Në përpjekjet e pandalshme për të mbrojtur të drejtat e nëpërkëmbura të kombit të tij dhe jo vetëm, humanisti dhe demokrati shqiptar la pas vetes apele të vlefshme dhe aktuale për gjithë njerëzimin, si kjo me të cilën po e mbyll kolumnën e sotme: Ne nuk duam gjënë e tjetrit, por s’duam të lëmë dhe gjënë tonë e të drejtën sheshit të na i rrëmbejnë me pahir…
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.