Miratohet buxheti i Tetovës, mbi 17 milionë euro për projekte kapitale

Me 27 vota pro, Këshilli Komunal ka miratuar buxhetin e Komunës së Tetovës për vitin 2026. Propozim-buxheti kap vlerën mbi 44 milionë euro, nga të cilat rreth 17 milionë euro janë të dedikuara për projekte kapitale. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, theksoi se buxheti për vitin 2026 është më i madh krahasuar me […]

dhjetor 30, 2025 - 16:00
 0
Miratohet buxheti i Tetovës, mbi 17 milionë euro për projekte kapitale

Me 27 vota pro, Këshilli Komunal ka miratuar buxhetin e Komunës së Tetovës për vitin 2026. Propozim-buxheti kap vlerën mbi 44 milionë euro, nga të cilat rreth 17 milionë euro janë të dedikuara për projekte kapitale. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, theksoi se buxheti për vitin 2026 është më i madh krahasuar me vitin paraprak dhe se bëhet fjalë për një buxhet zhvillimor.

“Për herë të parë, rreth 40 për qind e buxhetit është e dedikuar për investime kapitale. Në buxhetet e mëparshme, 70 deri në 80 për qind shkonin për paga dhe shpenzime operative. Ky buxhet parasheh ndërtimin e shkollave të reja, pishina, rrugë, kanalizim, ujë të pijshëm dhe projekte të tjera në interes të drejtpërdrejtë të qytetarëve”, deklaroi Kasami.

Ai sqaroi se janë paraparë mbi 200 mijë euro për projektimin dhe depërtimin e një rruge të re në fshatin Shipkovicë, e cila do të jetë pjesë e lidhjes rrugore Tetovë-Prizren.

“Në Shipkovicë do të ndërtohet një qarkore, në mënyrë që rruga të mos kalojë përmes fshatit, pasi rruga ekzistuese nuk i plotëson kushtet. Janë ndarë mbi 200 mijë euro për projektimin dhe depërtimin e kësaj qarkoreje. Segmenti nga Tetova deri në Shipkovicë i plotëson kushtet, ndërsa pjesa nga Shipkovica drejt fshatrave të tjera do të zgjerohet”, shtoi Kasami.

Këshilltari nga Lista Më Mirë për Tetovën, Agron Arifi, kritikoi disa zëra të buxhetit, duke theksuar se në të janë përfshirë mjete për rrugë që, sipas tij, janë realizuar gjatë fushatës zgjedhore.

“Bëhet fjalë për projekte që janë realizuar gjatë vitit 2025 dhe që do të paguhen nga buxheti i vitit 2026. Gjithashtu, kemi punësime me kontrata në Komunën e Tetovës, me një vlerë rreth 570 mijë euro. Propozova një amendament për rregullimin e fushës sportive në Gjimnazin ‘Kiril Pejçinoviç’, por nuk u pranua me arsyetimin se aty do të ketë investim privat”, tha Arifi.

Gjatë seancës, këshilltarët e Aleanca Kombëtare për Integrim akuzuan se edhe për vitin 2026 është paraparë një buxhet i konsiderueshëm për punësime, të cilat i cilësuan si punësime të militantëve partiakë. Këto akuza u hodhën poshtë nga kryetari Kasami, i cili deklaroi se në Komunën e Tetovës askush nuk merr pagë pa kryer punë. Po ashtu, këshilltarët e AKI-së kërkuan që të ndahen mjete edhe për rrugën në fshatin Gajre, duke theksuar se ajo është lënë në harresë dhe ndodhet në gjendje të rënduar infrastrukturore. (koha.mk)