“Moda dhe muzika, prioriteti i tij nuk është më futbolli” – legjenda italiane kritikon Leaon
Ish-futbollisti italian Paolo Di Canio e ka kritikuar ashpër yllin e Milanit, Rafael Leão, duke vënë në dyshim përkushtimin e tij ndaj futbollit. Sulmuesi portugez ishte në qendër të kritikave edhe nga tifozët e Milanit, të cilët e fishkëllyen gjatë humbjes 3-0 në shtëpi ndaj Udineses. Leao këtë sezon është përdorur shpesh si sulmues qendror, […]


Ish-futbollisti italian Paolo Di Canio e ka kritikuar ashpër yllin e Milanit, Rafael Leão, duke vënë në dyshim përkushtimin e tij ndaj futbollit.
Sulmuesi portugez ishte në qendër të kritikave edhe nga tifozët e Milanit, të cilët e fishkëllyen gjatë humbjes 3-0 në shtëpi ndaj Udineses. Leao këtë sezon është përdorur shpesh si sulmues qendror, pavarësisht se pozicioni i tij natyror mbetet krahu i majtë.
Në një analizë për Sky Sport, Di Canio u shpreh se Leao nuk po bën lëvizjet e nevojshme për një sulmues dhe shpesh duket i painteresuar kur nuk e ka topin. Sipas tij, çdo sulmues duhet të punojë vazhdimisht për ekipin, gjë që portugezi nuk po e bën në nivelin e duhur.
“Po flasim për një lojtar që duhet të bëjë dhjetëra lëvizje për të marrë topin, por ai nuk i bën as gjysmën. Ai nuk krijon hapësira për bashkëlojtarët dhe shpesh duket dembel kur nuk është në posedim”, deklaroi Di Canio.
Ish-sulmuesi italian shtoi se problemi nuk është vetëm taktik, por edhe në përqendrim dhe prioritete. Sipas tij, Leao është shpërqendruar nga aktivitetet jashtë futbollit, si moda dhe muzika, gjë që ndikon në performancën e tij në fushë.
“Prioriteti i tij duket se është bërë diçka tjetër. Nuk është e njëjta gjë si të kalosh pak kohë të lirë – këto angazhime kërkojnë energji fizike dhe mendore”, theksoi ai.
Leao, i cili u shpall lojtari më i mirë në Serie A në sezonin 2021/22 dhe ndihmoi Milanin të fitojë titullin, këtë edicion ka regjistruar 10 gola dhe 2 asistime në 26 paraqitje.
Megjithatë, sipas mediave italiane si La Gazzetta dello Sport, nuk përjashtohet mundësia që ai të largohet nga Milani në fund të sezonit, pavarësisht kontratës që e lidh me klubin deri në vitin 2028.