Mucunski: Zgjerimi i BE-së duhet të ndodhë për shumë arsye, një prej tyre është ndikimi malinj rus që ekziston në rajon
Këtë vit kemi një përvjetor të kthjellët – 20 vjet nga marrja e statusit kandidat për anëtarësim në BE dhe ky prioritet kyç i politikës së jashtme të vendit nuk është përmbushur, tha ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski në një intervistë për televizionin Euronews. Mucunski shtoi se në ato […]


Këtë vit kemi një përvjetor të kthjellët – 20 vjet nga marrja e statusit kandidat për anëtarësim në BE dhe ky prioritet kyç i politikës së jashtme të vendit nuk është përmbushur, tha ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski në një intervistë për televizionin Euronews. Mucunski shtoi se në ato 20 vjet BE-ja është zgjeruar dhe ka fituar anëtarë të rinj. Ai përkujtoi se Maqedonia ka filluar procesin e stabilizim-asociimit së bashku me Kroacinë, e cila tashmë është anëtare jo vetëm e BE-së, por edhe e zonës Shengen dhe eurozonës, ndërsa vendi ynë as që ka filluar negociatat, transmeton Portalb.mk.
“Sigurisht që ka pasur edhe disa faje nga ana e disa qeverive për mosplotësimin e kushteve në fusha të caktuara, pa dyshim. Por është gjithashtu fakt që ne jemi viktima të shumë bilateralizimave të procesit evropian. Në vend që të fokusohemi te kriteret dhe meritat, ne po fokusohemi në çështje dypalëshe që nuk kanë të bëjnë me thelbin e anëtarësimit të vendit tonë”, tha Mucunski në intervistë.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski thotë se zgjerimi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor nuk është domosdoshmëri për Unionin vetëm për arsye ekonomike dhe tregtare, por është domosdoshmëri për stabilitet politik dhe të sigurisë në kontinentin evropian.
I pyetur se kur vendi do të miratojë ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë, e cila është kusht për fillimin e negociatave, ai u përgjigj se kjo çështje është më e madhe. Ai përkujtoi se vendi ka bërë shumë kompromise të vështira deri më tani, ka ndryshuar flamurin, monedhën, ka ndryshuar disa herë Kushtetutën, madje ka ndryshuar edhe emrin, vetëm sepse i është thënë se ka një dritare mundësie që duhet shfrytëzuar për anëtarësim në BE.
“Prandaj, pyetja dhe dilema që ne po i shtrojmë si institucioneve evropiane, ashtu edhe vendeve anëtare është – cili do të jetë kompromisi përfundimtar? A e dimë se nëse bëhen ndryshimet kushtetuese, pas gjashtë muajsh apo një viti nuk do të ketë më veto për shkak të një çështjeje dypalëshe? – a mendoni vërtet se BE-ja është e ndershme në synimet e saj të zgjerimit”, shtoi Mucunski.
Ndikimi malinj rus në rajon, sipas ministrit, është një nga arsyet e shumta pse duhet të ketë integrim në BE. Ky ndikim, shtoi ai, vjen për para të lira, përmes një përzierje metodash konvencionale, duke përfituar nga fakti se Bashkimi Evropian nuk po jep atë që pret rajoni.
“Shoqëria jonë dhe struktura jonë politike, nga qeveria tek opozita, janë jashtëzakonisht pro-evropiane. Dhe shoqëria dëshiron të shkojë drejt anëtarësimit në BE. Por një nga gjërat që ndodh kur nuk ka qartësi në informacionin që vjen nga Bashkimi Evropian dhe nga vendet anëtare, veçanërisht në shembullin tonë, është se ndikimi rus përfiton nga kjo. Ata thonë – dëgjoni, BE-ja nuk është e ndershme, nuk do ta integrojë kurrë rajonin. Dhe nëse asgjë e besueshme nuk jepet nga pala tjetër, atëherë është një betejë që forcat pro-BE në vend duhet të bëjnë kundër të gjitha këtyre sferave të ndryshme të ndikimit që ekzistojnë dhe që mund ta shfrytëzojnë atë. Dhe unë mendoj se kjo është një nga arsyet pse BE-ja duhet të jetë e shpejtë në qfrimin e saj në rajon dhe të tregojë se ka qartësi në proces, se ka një vizion strategjik”, tha ministri në intervistë.
Ai është pyetur edhe për qëndrimin e qeverisë aktuale ndaj Marrëveshjes së Prespës, nëse kjo çështje është mbyllur apo ka sërish probleme, duke qenë se disa ministra nuk e përdorin emrin Maqedonia e Veriut. Ai u përgjigj se si individ, nëse do të jepte dorëheqje nga posti i tij, nuk do të thoshte kurrë se marrëveshja e Prespës ishte e mirë apo se riemërtimi i vendit ishte i drejtë, por si ministër e di që marrëveshjet duhet të respektohen.
“Ne jemi një vend që do t’i respektojë obligimet e veta, por edhe një vend që pret që partnerët e tij, fqinjët në rajon, të respektojnë edhe obligimet e tyre nga ato marrëveshje që kanë me ne”, tha Mucunski.
Ministri Mucunski në dy ditët e fundit po merr pjesë në edicionin e 10-të të “Forumit Ekonomik Delfi”, i cili këtë vit mbahet nga 9 deri më 12 prill në qytetin Delfi të Greqisë.
Në panelin e diskutimit me temën: “A është aleanca BE-SHBA përtej riparimit?” , Mucunski tha se zgjerimi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor nuk është domosdoshmëri për Bashkimin vetëm për arsye ekonomike dhe tregtare, por është domosdoshmëri për stabilitet politik dhe të sigurisë në kontinentin evropian.
Ai foli në diskutim edhe për kërcënimet dhe rreziqet që vijnë në rajon nga Kina, Rusia, Koreja e Veriut dhe Irani.
Mucunski sot informoi se është takuar me kolegun e tij, ministrin e Jashtëm grek, Jorgo Gerapetritis, në margjinat e Forumit Ekonomik Delfi në Greqi.
Mucunski në forum foli për perspektivën e vendit në BE, marrëdhëniet me SHBA-në dhe bashkëpunimin transatlantik, ndërsa fjalimin e filloi me mirënjohje për Greqinë dhe popullin grek për ndihmën e dhënë për vendin tonë pas zjarrit tragjik në Koçan, mirënjohje që u prit me duartrokitje nga të pranishmit.
Mucunski vuri në dukje se “jetat e disa njerëzve u shpëtuan drejtpërdrejt nga mjekët grekë” dhe iu referua vizitës së tij në spitalet në Selanik, ku janë shtruar pesë të plagosur.
“Ajo që mund të them është se solidariteti i sinqertë që keni treguar, si nga Qeveria, ashtu edhe nga populli dhe nga profesionistët mjekësorë, është diçka që do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e popullit tim dhe për këtë ju falënderoj”, tha ministri, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Athina.
Diskutimi i panelit ishte me temën: “A është aleanca BE-SHBA përtej riparimit?”, ndërsa ministri i Jashtëm tha se SHBA-ja është një investitor i madh si në politikë dhe siguri, ashtu edhe në stabilitetin ekonomik në rajon.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese. Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash. Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.
- LEXO: Mickoski nga Uashingtoni: Fillimisht negociatat, pastaj ndryshimet kushtetuese
- Lexo: Mickoski nga Uashingtoni: Evropa duhet të jetë parimore në vend që të ketë standarde të dyfishta
- LEXO: RMV: Të dhëna dëshpëruese për eurointegrimet, vetëm 20 përqind e qytetarëve janë pro ndryshimeve kushtetuese