Kanë kaluar 43 ditë nga vdekja e Vedat Ademit nga Kumanova, ende nuk ka rezultate të obduksionit nga mjekësia ligjore

Kanë kaluar dyzetë e tre ditë nga vdekja e 32-vjeçarit Vedat Ademi i cili ndërroi jetë më 17 mars në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës. Nga Mjekësia ligjore për Portalb.mk thonë se rasti është në fazën përfundimtare dhe se po kryhet edhe një hetim shtesë për të përmbyllur të gjitha rezultatet finale të obduksionit, shkruan […]

Prill 28, 2025 - 19:01
 0  6
Kanë kaluar 43 ditë nga vdekja e Vedat Ademit nga Kumanova, ende nuk ka rezultate të obduksionit nga mjekësia ligjore
Vedat Ademi, foto nga profili i tij në Facebook

Kanë kaluar dyzetë e tre ditë nga vdekja e 32-vjeçarit Vedat Ademi i cili ndërroi jetë më 17 mars në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës. Nga Mjekësia ligjore për Portalb.mk thonë se rasti është në fazën përfundimtare dhe se po kryhet edhe një hetim shtesë për të përmbyllur të gjitha rezultatet finale të obduksionit, shkruan Portalb.mk

Portalb.mk e kontaktoi drejtorin e Mjekësisë Ligjore, Aleksandar Stankov i cili theksoi se çështja është drejt përfundimit, dhe se po bëhet edhe një hetim tjetër për të përmbyllur rastin.

“Rasti është drejt përfundimit, megjithatë duhet të bëjmë edhe një hetim tjetër me qëllim që të mbyllim të gjitha çështjet në lidhje me rastin”, deklaroi Stankov.

Rikujtojmë se që me 4 prill, Stankov tha se “janë duke u bërë disa analiza shtesë”.

Të njëjtën asokohe e konfirmoi edhe Prokuroria.

“Kemi marrë vetëm raportin e komisionit të posaçëm të ngritur përmes Inspektoratit Shtetëror Sanitar Shëndetësor, jo atë të Mjeksësisë Ligjore” tha zëdhënësja e Prokurorisë, Biljana Arsovska më 4 prill.

Ajo tha se të dyshuarit mund të akuzohen për njërën apo të dy veprat penale: “Mjekim i pandërgjegjshëm i të sëmurëve” dhe tjetra “Vepra të rënda kundër shëndetit të njerëzve”. Por, për të ngritur akuzën, prokuroria është në pritje të raportit të autopsisë.

Sead Ademi vëllai i të ndjerit Vedat Ademi për Portalb.mk thotë se gati se çdo ditë kërkojnë deri te autoritetet kompetente në lidhje me rezultatet e obduksionit.

“Së fundi kemi biseduar me Mjekësinë Ligjore nga atje na thanë se ende nuk ka dal rezultati për shkak se janë duke i pritur disa rezultate prej në Gjermani dhe se do të zgjasë procedura deri në tre muaj. Më duket se kjo i bie që kanë mbetur edhe një muaj e gjysmë deri në zbardhjen e rastit dhe që t’i kemi rezultatet. Shpresojmë që të ketë drejtësi në zbardhjen e rezultateve, edhe pse ende nuk dihet a do të ketë apo jo ”, tha Ademi.

Kujtojmë se 32-vjeçari Vedat Ademi nga Kumanova ka ndërruar jetë në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës më 17 mars. Ai paraprakisht kishte ardhur për kontroll pasi është ankuar për probleme me stomakun. Portalb.mk bisedoi me Amet Ademin babain e 32-vjeçarit të ndjerë Vedat Ademi dhe Sead Ademin vëllain e të ndjerit, ata thanë se i është dhënë ilaç ndaj të cilit ishte alergjik, dhe se për këtë fajësojnë mjekun i cili ishte kujdestar, Zoran Gjeorgjievski.

Drejtori i Spitalit, Stefan Trajanovski pranoi se i është dhënë terapi, por se në vend të përmirësimit ai ka pasur dhimbje në gjoks pas çka ka ndërruar jetë. Policia konfirmoi rastin, dhe deklaroi se pas urdhrit të prokurorit, trupi i pajetë është dorëzuar për obduksion dhe ende priten rezultatet. Më 19 mars Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari e shkarkoi drejtorin Stefan Trajanovski, në vend të tij u caktua Sasho Stoshevski. Pas obduksionit pritet të qartësohet përgjegjësia e mjekut kujdestar.