Muhaxheri: Mos formimi i institucioneve dëmton ekonominë, qytetarët dhe frikëson investitorët e huaj
Arton Muhaxheri, njohës i çështjeve ekonomike, ka deklaruar se mosformimi i institucioneve pas zgjedhjeve ka pasoja të rënda, jo vetëm në nivelin politik, por edhe në nivelin ekonomik. Sipas tij, Kosova po paraqitet si një shtet jo serioz dhe i paqëndrueshëm, duke dërguar sinjale negative për investitorët potencialë, të cilët kërkojnë stabilitet politik dhe funksionalitet
Arton Muhaxheri, njohës i çështjeve ekonomike, ka deklaruar se mosformimi i institucioneve pas zgjedhjeve ka pasoja të rënda, jo vetëm në nivelin politik, por edhe në nivelin ekonomik. Sipas tij, Kosova po paraqitet si një shtet jo serioz dhe i paqëndrueshëm, duke dërguar sinjale negative për investitorët potencialë, të cilët kërkojnë stabilitet politik dhe funksionalitet institucional për të investuar.
‘’ Mos krijimi i institucioneve pas zgjedhjeve ka pasoja serioze për vendin, si brenda ashtu edhe jashtë. Në radhë të parë, Kosova paraqitet si një shtet jo serioz dhe i paqëndrueshëm. Kjo dërgon sinjale negative tek investitorët potencialë, të cilët kërkojnë stabilitet politik dhe funksionalitet institucional para se të marrin vendime për të investuar’’, tha Muhaxheri.
Muhaxheri ka theksuar se vonesat në krijimin e institucioneve kanë krijuar pasiguri për qytetarët dhe bizneset, duke bllokuar zhvillimin ekonomik dhe investimet e planifikuara. Pa një qeveri funksionale, sipas tij, buxheti nuk miratohet në kohë, investimet publike nuk nisin, dhe projektet zhvillimore mbeten të paralizuara.
‘’ Vonesat në formimin e institucioneve krijojnë pasiguri – si për qytetarët, ashtu edhe për bizneset. Askush nuk di çfarë do të ndodhë me politikat fiskale, me subvencionet, me projektet kapitale. Kjo paralizon zhvillimin ekonomik dhe i bllokon investimet e planifikuara, Në mungesë të një qeverie funksionale: Nuk miratohet buxheti në kohë’’, deklaroi Muhaxheri.
Po ashtu, krijohet një imazh të dobët ndërkombëtar për Kosovën, duke i larguar investimet e huaja dhe duke e ndaluar rritjen e ekonomisë.
Në fund, ai ka paralajmëruar se këto vonesa dhe pasiguri nuk janë thjesht çështje politike – ato kanë pasoja të drejtpërdrejta për mirëqenien e qytetarëve. Sa më shumë të vonohet formimi i institucioneve, aq më të thella bëhen pasojat ekonomike dhe sociale për Kosovën.
‘’Dëmet janë të shumta: Ndërtohet imazh i dobët ndërkombëtar. Largohet kapitali i huaj. Ekonomia stagnon. Rritet papunësia. Shteti duket i paaftë për të funksionuar normalisht. Në fund të ditës, këto vonesa nuk janë vetëm çështje politike – janë çështje që prekin drejtpërdrejt mirëqenien e qytetarëve. Sa më gjatë të mbetemi pa institucione, aq më të thella bëhen pasojat ekonomike dhe sociale’’, përfundoi Muhaxheri.