Ndahet nga jeta Olloman Sulejmani, ish-deputet dhe nënkryetari i parë shqiptar i Parlamentit të Maqedonisë
Ka ndërruar jetë Olloman Sulejmani, ish-deputet dhe nënkryetari i parë shqiptar i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut. Lajmi është bërë i ditur nga familjarët e tij nga Kërçova përmes një postimi prekës në rrjetet sociale, përcjell INA. “Me dhimbje të thellë dhe trishtim të madh ju njoftoj për ndarjen nga jeta të babait tonë, Olloman […]

Ka ndërruar jetë Olloman Sulejmani, ish-deputet dhe nënkryetari i parë shqiptar i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut.
Lajmi është bërë i ditur nga familjarët e tij nga Kërçova përmes një postimi prekës në rrjetet sociale, përcjell INA.
“Me dhimbje të thellë dhe trishtim të madh ju njoftoj për ndarjen nga jeta të babait tonë, Olloman Sulejmani. Ai ishte një njeri me vlera të larta njerëzore dhe një kontribuues i jashtëzakonshëm i jetës shoqërore, politike dhe kulturore të vendit. Humbja e tij është e madhe për të gjithë ne”, thuhet në njoftimin e familjes.
Sulejmani mbahet mend si një figurë e urtë, e dashur dhe gjithmonë e përkushtuar për të ndihmuar të tjerët. Ai ka qenë një zë i rëndësishëm në skenën politike shqiptare në Maqedoni, duke lënë gjurmë të pashlyeshme me angazhimin dhe përkushtimin e tij.
Varrimi i të ndjerit do të bëhet të dielën, më 4 maj 2025, në orën 14:00, në varrezat e reja të qytetit – Pashinë e Epërme.
Kush ishte Olloman Sulejmani?
Olloman Sulejmani lindi në vitin 1950 në fshatin Kolibarë, në rajonin e Kërçovës, Maqedonia e Veriut. Ai ishte një figurë e shquar në jetën politike dhe arsimore të shqiptarëve në Maqedoni. Pas përfundimit të studimeve në Fakultetin Filologjik, punoi si profesor në shkollën e mesme shtetërore “Mirko Milevski” në Kërçovë dhe më pas në Njësinë territoriale të Ministrisë së Arsimit në të njëjtin qytet. 
Në vitet 1990–1994, ai shërbeu si deputet i Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD) në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë dhe më 13 maj 2001 u zgjodh nënkryetar i Kuvendit, duke u bërë shqiptari i parë që mbante këtë post të lartë institucional. Sulejmani ishte gjithashtu kryetar i parë i Degës së PPD-së në Kërçovë dhe kontribuoi ndjeshëm në hapjen e shkollës shqipe në fshatin Baçishtë, si dhe në themelimin e televizionit të parë shqiptar në Maqedoni, TV Gurra.(INA)