Ndotja e lumit ‘Drini i Zi’: Mungesa e veprimeve institucionale kërcënon ekosistemin dhe shëndetin e banorëve
Lumi ‘Drini i Zi’ dhe degët e tij në Maqedoninë e Veriut përballen me probleme të ndryshme duke filluar nga ndotja me kimikate deri te krijimi i deponive rreth shtratit të lumit, për të cilat qytetarët janë të shqetësuar se dëmton shëndetin e tyre. Por, pavarësisht se qytetarët ankohen për këto probleme, institucionet nga ana […]
![Ndotja e lumit ‘Drini i Zi’: Mungesa e veprimeve institucionale kërcënon ekosistemin dhe shëndetin e banorëve](https://i0.wp.com/portalb.mk/wp-content/uploads/2023/11/Drini-i-Zi-5.jpg?fit=1024%2C768&quality=89&ssl=1)
![Shtrati i lumit Drini i Zi në Strugë, pjesa e shtratit nga penda në rrjedhën për në Dibër: Fotografuar nga Sh.A/Portalb.mk 17.11.2023](https://portalb.mk/wp-content/uploads/2023/11/Drini-i-Zi-5.jpg)
Lumi ‘Drini i Zi’ dhe degët e tij në Maqedoninë e Veriut përballen me probleme të ndryshme duke filluar nga ndotja me kimikate deri te krijimi i deponive rreth shtratit të lumit, për të cilat qytetarët janë të shqetësuar se dëmton shëndetin e tyre. Por, pavarësisht se qytetarët ankohen për këto probleme, institucionet nga ana tjetër mburren se cilësia e ujit është e mirë dhe se punojnë në këtë drejtim, shkruan Portalb.mk.
‘Drini i Zi’ buron nga Liqeni i Ohrit, ka gjatësi të përgjithshme e prej 149 kilometrave kurse brenda Maqedonisë së Veriut lumi është i gjatë 56 kilometra.
Nga Ohri kalon në Strugë dhe më tej në Dibër nga ku kalon në territorin e Shqipërisë, ku më pas bashkohet me ‘Drinin e Bardhë’ duke formuar lumin e bashkuar ‘Drini’ që derdhet në Detin Adriatik.
Në pjesën e RMV-së rrjedha e lumit është e ndërprerë nga dy liqene artificiale (Dibër dhe Glloboçicë), të cilat shërbejnë për përfitimin e rrymës elektrike.
Por, përgjatë kësaj rruge lumi përballet me shumë probleme.
Qytetarët në hall: Ndotja ndikon në jetët tona
Portalb.mk gjatë muajit nëntor 2024 ka biseduar me qytetarët për ndotjen e Lumit ‘Drini i Zi’ dhe ndikimin që ai ka në jetët e tyre. Lumi, siç thonë qytetarët është burim i rëndësishëm i ujit të pijshëm, përdoret për ujitje të sipërfaqeve bujqësore dhe është i rëndësishëm për rekreacion dhe turizëm.
Megjithatë, sipas tyre, ka mjaft probleme në këtë drejtim me ndotjen, që siç thonë ata ndikon në shëndetin e tyre dhe shkakton aroma të pakëndshme në mjedis.
Ata thonë se lumi ndotet edhe nga fabrikat të cilat shkarkojnë substanca ndotëse në lum.
Në ujërat e ‘Drinit të Zi’ rriten një numër i madh peshqish si krapi, trofta, ngjala dhe të tjera. Por, për shkak të ndotjes, qytetarët thonë se ka pasur rënie të popullsisë së peshqive dhe specieve tjera shtazore, ndërsa bimësia përgjatë brigjeve të lumit është dëmtuar ose shkatërruar.
Problematike sipas tyre mbeten deponitë e paligjshme pranë lumit të cilat shkaktohen nga vetë banorët vendas dhe bizneset apo kompanitë, ndërgjegjësimi i të cilëve është i ulët.
“Ndotësi kryesor indirekt i Drinit të Zi është edhe deponia e qytetit, bëhet fjalë për deponi ilegale të pozicionuar shumë pranë rrjedhës së lumit. Plus dhe ndotja e liqenit kalon në Drin. Ndotja që vjen nga liqeni është e pamundur të kontrollohet”, tha një qytetare nga Struga.
Për të zgjidhur këtë problem ata sugjerojnë: Përfshirje më të madhe të autoriteteve, gjoba më të larta të ndotësve dhe menaxhim më të mirë të mbeturinave.
Qytetarët janë të ndarë në mendime, disa thonë se kanë dëgjuar për investime për impiante të trajtimit të ujit nga fondet e BE-së në zonat e tyre, disa të tjerë jo.
“Duhet reagim urgjent”
Nderim Pollozhani është aktivist mjedisor nga Struga, tha se gjendja alarmante e ‘Drinit të Zi’ kërkon reagim urgjent dhe të vendosur. Sipas tij, ujërat e zeza dhe mbeturinat e amvisërive po derdhen në lumë në mënyrë të pakontrolluar, duke shkatërruar një ekosistem të tërë.
“Kjo situatë nuk është thjesht një problem mjedisor, por një kërcënim i drejtpërdrejtë për shëndetin publik dhe cilësinë e jetës në rajon. Institucionet përkatëse duket se nuk po ndërmarrin hapa të mjaftueshëm për të zgjidhur këtë problem kritik. Peshkimi në këto kushte duhet të ndalohet menjëherë, pasi peshqit e rritur në këtë mjedis toksik përbëjnë një rrezik të madh për shëndetin e njerëzve”, tha Pollozhani.
Ai shtoi se ndotja e ujërave krijon një zinxhir të rrezikshëm që çon në ndotjen e tokës dhe bimëve, duke shkaktuar sëmundje të parikuperueshme dhe duke rrezikuar shëndetin e gjeneratave të ardhshme.
“Nevojitet një ndërhyrje emergjente nga institucionet për të ndaluar ndotjen, për të mbrojtur biodiversitetin dhe për të garantuar një mjedis të shëndetshëm për banorët përgjatë ‘Drinit të Zi’. Nëse nuk merren masa tani, pasojat do të jenë katastrofale, duke përfshirë shkatërrimin e burimeve natyrore dhe kërcënimin e shëndetit të mijëra njerëzve”, tha Pollozhani.
Aktivisti i mjedisit nga Dibra, Shuip Marku thekson se shqetësimet kryesore lidhur me Basenin e ‘Drinit’ janë ndotja e krijuar nga prania e lëndëve të tepërta (ujërat e zeza shtëpiake dhe industriale), ndotja që çon në zvogëlimin e përmbajtjes e oksigjenit ne ujë me pasoja për speciet e rëndësishme ekologjike, si dhe mbetjet e ngurta industriale dhe komunale nga minierat dhe vendbanimet.
“Tjetër problem shfaqet ndryshueshmëria natyrore e regjimit hidrologjik qe ndodh si rezultat i ndryshueshmërisë klimatike, dhe në disa nënpellgje për shkak të mbishfrytëzimit sezonal të burimeve ujore dhe prodhimit të hidrocentraleve, ndikon në sasinë e ujit të disponueshëm për ekosistemin dhe zhvillimin socio-ekonomik”, thotë Marku.
Ai vë në pah se rëndësia e biodiversitetit të pellgut të Drinit është e lartë, megjithëse është nën presion për shkak të kërcënimeve të shumta ndaj ekosistemeve të pellgut nga ndotja, ndryshimet në sasinë e ujit, speciet e huaja, humbja e ligatinave, aktivitetet e paligjshme dhe ndryshueshmëria dhe ndryshimet klimatike.
“Ndryshueshmëria e regjimit të transportit të sedimentit, i cili ndikohet nga ngjarjet natyrore (p.sh. reshjet), ndryshueshmëria dhe ndryshimi i klimës (siç janë rritja e ngjarjeve ekstreme të motit, ngjarjet e reshjeve dhe thatësirat), dhe ndikimet antropogjene nga minierat e rërës, prerja, pyjet, keqmenaxhimi i përdorimit të tokës dhe prodhimi i hidrocentraleve”, theksoi Marku
Ndotja e lumit është e dënueshme, raste janë regjistruar edhe në polici
Veprat penale kundër mjedisit jetësor dhe natyrës sipas Kodit Penal të RMV-së janë të përfshira në Nenin 218 “Ndotja e mjedisit jetësor dhe natyrës” ku dënimet janë me burg prej tre deri në dhjetë vite, apo edhe dënime me para, varësisht rrethanave të kryerjes së veprës.
Gjithashtu Neni 223 parasheh “Ndotjen e ushqimit të bagëtisë ose ujit”, ku dënimet janë me para ose me burg deri në tre vjet.
Që këto raste ekzistojnë dhe ndotja e ‘Drinit të Zi’ është realitet, e konfirmojnë edhe të dhënat nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Nga MPB-ja thonë se nga viti 2020 deri në 2024 në Departamentin për Punë të Brendshme në Strugë janë paraqitur vepra penale për të cilat janë marrë masa dhe veprime përkatëse.
Në Sektorin e Punëve të Brendshme të Strugës në periudhën pesëvjeçare (2020-2024) janë paraqitur disa vepra penale për të cilat janë ndërmarrë masa dhe aktivitete si në vijim:
“Në vitin 2020 është paraqitur vepra penale për “Ndotja të mjedisit dhe natyrës” e parashikuar në nenin 218 të Kodit Penal, në mënyrë që në periudhën e kaluar sasia e ujit në rrjedhën e lumit Drini i Zi është reduktuar ndjeshëm, duke shkatërruar kështu florën dhe faunën, si dhe ka pasur rrezik për shëndetin e njerëzve. Pas raportimit nga Zyra e Jashtme për Çështje Kriminale Strugë, është dorëzuar kërkesë në Komunën e Strugës – Inspektorati i Mjedisit për mbikëqyrje inspektuese nga ana e tyre.
Në vitin 2021 është paraqitur vepra penale për “Ndotja e mjedisit dhe natyrës” e parashikuar në nenin 218 të Kodit Penal, në mënyrë që në periudhën e kaluar sasia e ujit në rrjedhën e lumit Drini i Zi është reduktuar ndjeshëm, duke shkatërruar kështu florën dhe faunën, si dhe ka pasur rrezik për shëndetin e njerëzve. Zyra e Jashtme për Çështje Kriminale Strugëe ka njoftuar Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit, Komunën e Strugës – Inspektoratin e Mjedisit dhe më 27.09.2021 dhe 06.12.2021 janë dorëzuar njoftime në Prokurorinë Publike të Strugës.
Në vitin 2024 është paraqitur vepra penale “Ndotja e mjedisit dhe e natyrës” e parashikuar në nenin 218 të Kodit Penal, në periudhën nga data 23.06.2024 deri më 04.07.2024 për shkak të rënies së nivelit të në lumin Drini i Zi Drim dhe pastrimi i skajeve ka bërë që shtrati i lumit të thahet me çka është dëmtuar biodiversiteti dhe për shkak të kësaj është ndotur mjedisi dhe dëmtuar flora dhe fauna në lumë. Zyra e Jashtme për Çështje Kriminale Strugë e ka njoftuar Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit, Komunën e Strugës – Inspektoratin e Mjedisit dhe me datë 08.07.2024 është dorëzuar njoftim në Prokurorinë Publike të Strugës”, thanë nga Ministria e Brendshme.
Nga ana tjetër Prokuroria Publike na tha se nuk mban evidencë të veçantë të rasteve sipas lokacionit ku është kryer një krim i mundshëm.
“Kërkimi i lëndëve në Prokurorinë Themelore Publike të Strugës sipas përshkrimit që ju e jepni nuk na ka dhënë rezultate që përputhen plotësisht me rastet e përmendura”, thanë nga Prokuroria Publike.
Komunat arsyetohen
Lumi ‘Drini i Zi’ kalon në territorin e disa komunave të mëdha në vend.
Nga Komuna e Ohrit thonë se si komunë “nuk kanë asnjë kompetencë në këtë drejtim”.
“Ju sugjerojmë të kontaktoni Komunën e Strugës”, na thanë nga Komuna e Ohrit.
Pavarësisht se urat e shumta që lidhin dy brigjet e ‘Drinit të Zi’ i japin Strugës epitetin “Qyteti i Urave”, nga Komuna e Strugës nuk u përgjigjën në pyetjet tona gazetareske.
Kurse nga Komuna e Dibrës thonë se si komunë po e trajtojnë seriozisht këtë problema, si çështje prioritare të mjedisit.
Noli Osmani nga Komuna e Dibrës na tha se inspektorati komunal nuk ka identifikuar deri tani ndotës të lumit, dhe automatikisht as nuk ka shqiptuar gjobë ndaj dikujt.
Ai theksoi se prioritet të rëndësishëm ka edhe trajtimi i ujërave të zeza, që përfshin ndërtimin e rrjetit të kanalizimit dhe qendrave përkatëse për trajtimin e ujërave të zeza.
“Qendrat të fjalë paraqesin një investim të madh të pa përballueshëm për buxhetin e pushtetit lokal, mirëpo Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor e ka përfshirë Komunën e Dibrës në listën e komunave ku parashikohet projektimi dhe ndërtimi i impianteve të këtilla. Shpresojmë që të vendosemi në listën e zbatimit të projektit sa më para që të jetë e mundur”, tha Noli Osmani.
Problemet me ndotjen i pranoi edhe Ministria e Bujqësisë
Ndotja e lumit ‘Drini i Zi’ nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave thonë se është një problem i rëndësishëm mjedisor që po e ndjekin me vëmendje.
“Jemi të vetëdijshëm për sfidat që ndikojnë në cilësinë e ujit, i cili ka ndikim të drejtpërdrejtë në mjedis, bujqësi dhe mirëqenien e qytetarëve. Në këtë drejtim, Ministria merr masa dhe harton plane dhe projekte specifike për përmirësimin e gjendjes së lumenjve dhe burimeve ujore në vend”, thanë nga Ministria e Bujqësisë.
Ata theksuan se planifikojnë të shtojnë aktivitetet me projekte të reja për edukimin dhe mbështetjen e fermerëve mbi praktikat e qëndrueshme që do të kontribuojnë në uljen e ndotjes.
Pavarësisht ndotjes, institucionet tjera thonë se cilësia e ujit është e mirë
Në kuadër të Departamentit të Ujërave në Ministrinë Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, ekziston një departament i veçantë përgjegjës për menaxhimin e pellgut të lumit ‘Drini i Zi’.
Në këtë drejtim janë përgatitur disa dokumente strategjike, për masat dhe aktivitetet nga këto dokumente janë përgjegjëse disa institucione shtetërore si dhe komunat e prekura në rajon (Struga dhe Debërca).
“Sipas raportit të fundit vjetor 2023 për cilësinë e mjedisit jetësor në Republikën e Maqedonisë së Veriut, përgatitur nga Qendra Informative e Maqedonisë për mjedisin jetësor në vitin 2024, uji i lumit ‘Drini i Zi’ ka status ekologjik të mirë”, thanë nga Ministria e Mjedisit Jetësor.
Për të mbrojtur cilësinë e ujit në Liqenin e Ohrit, duke përfshirë edhe lumin ‘Drini i Zi’, pra pastrimin e ujërave të zeza, që nga viti 1988 ekziston një impiant për trajtimin e ujërave të zeza në fshatin Vranishtë të Strugës.
Në kuadër të projekt dokumentit RIMSYS “Sistemi për monitorimin e lumenjve në Maqedoni” në vitin 1999 është realizuar projektimi i rrjetit të stacioneve për matjen dhe monitorimin e cilësisë së ujërave sipërfaqësore në vend. Ku janë përcaktuar 20 pika matëse që përfshijnë brigjet e disa lumenjve, mes të cilëve edhe ‘Drini i Zi’.
Nga dokumenti i projektit RIMSYS në pellgun e lumit ‘Drini i Zi’ i përkasin dy pikave matëse HEC Shpilje – lumi ‘Drini i Zi’ dhe Boshkov Most – lumi Radika (degë e ‘Drinit të Zi’).
Sipas shkallës së pastërtisë, ujërat sipërfaqësore dhe nëntokësore në RMV ndahen në pesë klasa, nga shumë i pastër në shumë të ndotur.
Nga Drejtoria për Çështje Hidrometeorologjike sqaruan se cilësia e trupave ujorë sipërfaqësorë sipas treguesve fiziko-kimikë, në pikat matëse Shpilje dhe Boshkov Most në pellgun e lumit ‘Drini i Zi’ tregon status të mirë në vitet 2019, 2020, 2022 dhe 2023.
“Në vitin 2021, për sa i përket treguesve fiziko-kimikë, ka një ndryshim në statusin e lokacionit matës në Shpilje, ku ne kemi status të pranueshëm, ndërsa lokacioni matës Boshkov Most tregoi status të dobët”, thanë nga Drejtoria për Çështje Hidrometeorologjike.
Ata shtuan se cilësia e trupave ujorë sipërfaqësorë sipas treguesve kimikë, në pikat matëse Shpilje dhe Boshkov shumica në periudhën 2019-2023 tregojnë një gjendje të mirë.
“Gjendja ekologjike e trupave ujorë sipërfaqësorë sipas elementeve biologjike për cilësinë e ujit, në pikat matëse Shpilje dhe Boshkov Most në pellgun e lumit ‘Drini i Zi’ tregojnë një status të mirë në vitin 2019, 2020. Në vitin 2021 ka një përkeqësim të cilësisë së ujit në pikën matëse të Shpiljes ku kemi status të dobët, ndërsa në pikën matëse Boshkov Most kemi marrë status të pranueshëm. Në vitin 2022 ka një përmirësim të cilësisë së ujit, kështu që në vitin 2023 në lokacionin matës në Shpilje do të kemi sërish status të mirë mjedisor (G), pra përmirësim të cilësisë së ujit sipas treguesve biologjikë”, thanë nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike.
Nga aty shtuan se gjendja ekologjike e trupave ujorë ndryshon gjatë gjithë vitit, pasi është e zakonshme që në muajt e pranverës, kur ka reshje të bollshme dhe fluks më të madh të ujit për shkak të shkrirjes së borës nga malet dhe hyrjes nga lumenjtë më të vegjël, trupat ujorë kanë një gjendje më të mirë ekologjike, ndërsa në muajt e verës dhe të vjeshtës kur niveli i ujit është ulur, si dhe ndikimet e aktiviteteve bujqësore, gjendja ekologjike e trupave ujorë po përkeqësohet.
Nga Instituti i Shëndetit Publik nuk arritën të na sigurojnë të dhëna.
“Për të dhënat e kërkuara për cilësinë e lumit ‘Drini i Zi’ , është e nevojshme të kontaktoni Qendrën Rajonale për Shëndet Publik të Ohrit, e cila është përgjegjëse për testimin e cilësisë së ujërave që i mbulon territorialisht dhe administrativisht. Instituti i Shëndetit Publik nuk ekzaminon ujërat sipërfaqësore të lumit ‘Drini i Zi’ dhe as nuk merr të dhëna për cilësinë e tij nga ISHP Ohër”, thanë nga Instituti i Shëndetit Publik.
Por, nga ISHP Ohër nuk na u përgjigjën në pyetjet gazetareske.
Statistika për ndotjen e ‘Drinit të Zi’ nuk ka as Enti Shtetëror i Statistikave. Ata na njoftuan se disponojnë me të dhëna vetëm për përqindjen e ujërave të zeza të patrajtuara në vend të cilat janë mbledhur nga dy anketa statistikore.
“Përqindja e ujërave të zeza të patrajtuara në vitin 2023 është 72.2%, kjo përqindje i referohet sasisë së ujit të shkarkuar nga familjet, ekonomia dhe përdoruesit e tjerë. Përqindja e ujërave të zeza të patrajtuara në vitin 2023 është 88.0%, kjo përqindje i referohet sasisë së ujit të shkarkuar vetëm nga industria (Miniera dhe Gurore, Industria Përpunuese dhe Furnizimi me Energji Elektrike, Gaz, Avull dhe Kondicioner)”, thanë nga Enti Shtetëror i Statistikave.
Kujtojmë që Maqedonia e Veriut mori kritika në fushën e mjedisi jetësor konkretisht për menaxhimin e ujërave edhe në Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2024 mbi në rrugën e RMV-së drejt Bashkimit Evropian.