Në kundërshtim me Marrëveshjen e Prespës flamuri me diellin e Vergjinës valon përkrah flamurit të Komunës së Kumanovës (FOTO)

Flamuri me diellin e Vergjinës edhe pse i ndaluar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sipas Marrëveshjes së Prespës, valon përkrah flamurit të Komunës së Kumanovës, përballë gjykatës në Kumanovë, shkruan Portalb.mk. Nga Komuna e Kumanovës nuk janë përgjigjur se a qëndron komuna prapa vendosjes së flamurit me diellin e Vergjinës afër objektit të Komunës, […]

shkurt 25, 2025 - 13:00
 0  7
Në kundërshtim me Marrëveshjen e Prespës flamuri me diellin e Vergjinës valon përkrah flamurit të Komunës së Kumanovës (FOTO)
Flamuri me diellin e Vergjinës përball gjykatës, valon përkrah flamurit të Komunës së Kumanovës/ FOTO: Portalb

Flamuri me diellin e Vergjinës edhe pse i ndaluar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sipas Marrëveshjes së Prespës, valon përkrah flamurit të Komunës së Kumanovës, përballë gjykatës në Kumanovë, shkruan Portalb.mk.

Nga Komuna e Kumanovës nuk janë përgjigjur se a qëndron komuna prapa vendosjes së flamurit me diellin e Vergjinës afër objektit të Komunës, respektivisht përballë objektit të gjykatës.

Detyrimi ligjor për mospërdorimin e ish flamurit shtetëror të Maqedonisë së Veriut, me diellin e Vergjinës në mes, del nga neni 8 paragrafi 3 i Marrëveshjes së Prespës, i cili thotë:

“Pala e dytë nuk do ta përdorë përsëri në çfarëdo lloj mënyre dhe në çfarëdo lloj forme simbolin e paraqitur në flamurin e saj shtetëror. Në afat prej gjashtë muajsh pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje, Pala e dytë do ta nisë procedurën për heqjen e simbolit të paraqitur në flamurin e saj të mëparshëm shtetëror nga të gjitha vendet publike dhe nga përdorimi publik në territorin e sajë. Artefaktet arkeologjike nuk janë të përfshira në këtë dispozitë”.

Flamuri me diellin e Vergjinës përball gjykatës, valon përkrah flamurit të Komunës së Kumanovës/ FOTO: Portalb
Flamuri me diellin e Vergjinës përball gjykatës, valon përkrah flamurit të Komunës së Kumanovës/ FOTO: Portalb

Ndryshe, pala greke disa here ka reaguar zyrtarisht për mosrespektim të Marrëveshjes, ndër ta ishte ajo e ish kryediplomatit grek, para disa vitesh, kur tërhoqi vërejtjen se ende po përdoret emri Maqedoni dhe se flamuri me diellin e Vergjinës ende është prezent në vende publike.

“Nga njëra anë, zbatimi dhe përdorimi i vazhdueshëm i emrit nga të gjitha institucionet publike dhe subjektet privat, përfshirë ueb sajtet, nga ana tjetër, çrrënosja e problemit të antikuizimit, heqja e diellit nga Vergjina nga të gjitha hapësirat dhe përdorimi publike, si dhe riemërimi i rrugëve dhe objekteve publike”, pat thënë në një takim me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Bujar Osmani, kryediplomati grek Nikos Dendias.

Marrëveshja e Prespës, në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, është nënshkruar më 17 qershor 2018, në fshatin e vogël Nivici (Psarades) në bregun e liqenit të Prespës në anën greke.

Kujtojmë se, Marrëveshja e Prespës, i ka dhënë fund një kontesti plot 27 vjeçar mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Kontest që vendin tonë e ka penguar në rrugëtimin euroatlantik për afro tre dekada, pasi që Greqia pretendonte se emri dhe flamuri i shtetit të Maqedonisë janë simbole greke dhe se në të ardhmen Maqedonia mund të ketë pretendime territoriale ndaj një rajonit të saj, e cila gjithashtu quhet Maqedoni.