Në MPB u përpoqën ta bindin një turk të marrë pasaportë në gjuhë tjetër nëse dëshiron që ta marrë më shpejtë

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) Gostivar një qytetari nga Vrapçishti të përkatësisë etnike turke kanë refuzuar t’ia pranojnë kërkesën për dokument udhëtimi në gjuhën turke dhe maqedonase për shkak se nuk kanë blerë formularë të tillë dhe i kanë ofruar tjetër në çfarëdo gjuhe tjetër. Meqenëse personit në fjalë i është dashur të […]

tetor 11, 2024 - 22:00
 0  6
Në MPB u përpoqën ta bindin një turk të marrë pasaportë në gjuhë tjetër nëse dëshiron që ta marrë më shpejtë
Pasaporta e Maqedonisë së Veriut. Foto: Meta.mk

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) Gostivar një qytetari nga Vrapçishti të përkatësisë etnike turke kanë refuzuar t’ia pranojnë kërkesën për dokument udhëtimi në gjuhën turke dhe maqedonase për shkak se nuk kanë blerë formularë të tillë dhe i kanë ofruar tjetër në çfarëdo gjuhe tjetër. Meqenëse personit në fjalë i është dashur të udhëtonte urgjentisht, ai është detyruar të pranonte pasaportë në një gjuhë tjetër, të ndryshme nga gjuha e tij amtare, shkruan SDK, transmeton Portalb.mk.

Për këtë ai ka parashtruar ankesë më 4 korrik të këtij viti para Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi (KPMD), i cili tashmë kishte hapur një lëndë të madhe për këtë, pas një ankese të dorëzuar nga Partia Demokratike Turke për shkak të mungesës së formularëve për pasaportat për turqit shtetas të Maqedonisë së Veriut.

Komisioni bashkoi dy ankesat dhe konstatoi diskriminim të vazhdueshëm direkt, por edhe të tërthortë nga Ministria e Punëve të Brendshme ndaj këtyre pjesëtarëve të përkatësisë etnike turke.

“Konstatohet diskriminim i drejtpërdrejtë në baza etnike dhe gjuhësore ndaj një qytetari nga Vrapçishti në procesin e lëshimit të dokumenteve personale, i kryer nga Ministria e Punëve të Brendshme. Konstatohet edhe diskriminimi i vazhdueshëm i drejtpërdrejtë në bazë të përkatësisë etnike dhe gjuhësore ndaj shtetasve të Republikës së Maqedonisë së Veriut të përkatësisë etnike turke në procesin e dhënies së dokumenteve personale, i kryer nga Ministria e Punëve të Brendshme”, thuhet në vendimin e Komisionit.

Ankesa nga Partia Demokratike e Turqve është dorëzuar gjatë krizës më të madhe të pasaportave, më 30 janar të këtij viti, dhe në të pretendohet se pothuajse në të gjitha njësitë rajonale të Ministrisë së Punëve të Brendshme ku bëhen aplikime për lëshimin e dokumenteve personale (pasaporta, letërnjoftimet dhe patentë shoferët), shtetasit e përkatësisë etnike turke përballen me pamundësinë e marrjes së dokumenteve të kërkuara në gjuhën turke. Kjo ka një kohë të gjatë dhe turqit në Maqedoni nuk mund ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre ligjore për dokumente personale dygjuhësore.

“Njëherit, punonjësit e sporteleve në MPB i udhëzojnë qytetarët e përkatësisë etnike turke që të nxjerrin dokumente në gjuhë tjetër, me arsyetimin se do t’i nxjerrin shpejt dhe nëse duan të aplikojnë për dokumente në gjuhën turke do të duhet të presin më gjatë sepse nuk ka formularë”.

Parashtruesi konsideron se kjo praktikë e MPB-së paraqet diskriminim në bazë etnike ndaj qytetarëve të Maqedonisë me përkatësi etnike turke”, thuhet në ankesën e partisë politike.

Kur Komisioni i është drejtuar Njësisë për Çështjet Civile në Ministrinë e Brendshme, ata kanë kthyer përgjigje se nga 5 korriku i vitit 2021, në përputhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe ndryshimin e emrit kushtetues të shtetit, Ministria prokuron formularë për të gjitha minoritetet. Dhe, se në periudhën prej 05.07.2021 deri më 20.02.2024 janë parashtuar gjithsej 21.200 kërkesa për dokumente udhëtimi të tipit E (dokumenta në gjuhën turke). Gjatë kësaj periudhe janë lëshuar gjithsej 20.979 dokumente në gjuhën turke. Njësia thekson se nuk është përgjegjëse për prokurimin e formularëve të çfarëdo lloji.

Megjithatë, më 4 korrik është pranuar edhe një ankesë konkrete kundër MPB-së nga një turk i Maqedonisë i diskriminuar nga fshati Vrapçisht. Ai më 6 shkurt, në njësinë rajonale të MPB-së në Gostivar, ka tentuar të parashtrojë kërkesë për lëshimin e pasaportës, me kërkesë që formulari dhe përmbajtja e pasaportës të jenë në gjuhën maqedonase dhe turke.

“Zyrtarët në sportelin ku dorëzohet kërkesa për lëshimin e pasaportës e kanë njoftuar kërkuesin se më gjatë kohë nuk ka formularë në gjuhën turke dhe se nuk mund ta pranojnë kërkesën e tij për lëshimin e pasaportës në gjuhën maqedonase dhe turke. Ata i kanë thënë se mund të aplikonte për një pasaportë në një gjuhë tjetër. Për shkak të nevojës urgjente për të udhëtuar kërkuesi është detyruar të nxjerrë pasaportën në gjuhë tjetër”, thekson Komisioni Kundër Diskriminimit për rastin.

Për më tepër, parashtruesi në ankesë ka dorëzuar edhe deklaratën e 13 shtetasve të përkatësisë etnike turke, të cilëve në periudhën prej 5 janarit deri më 20 prill 2024 nuk u janë pranuar kërkesat për lëshimin e dokumenteve personale në gjuhën maqedonase dhe turke në njësinë rajonale të MPB-së në Gostivar, për shkak të mungesës së formularëve në gjuhën turke.

Departamenti për çështjet civile në MPB e ka dhënë të njëjtën mbrojtje si për ankesën e parë.

KPMD thotë se nuk ka dyshim se MPB-ja ka lëshuar pasaporta dygjuhësore për periudhën e përmendur, por në asnjë moment nuk jep përgjigje apo argument për ankesat e parashtruara për refuzimin e qytetarëve të përkatësisë etnike turke për të parashtruar kërkesa për lëshimin e dokumentave të udhëtimit në gjuhën maqedonase dhe turke gjatë periudhës janar-prill 2024, e as në parashtresat e përmendura nuk jep argument për mungesën e përmendur të formularëve të gjuhës turke.

“Janë pikërisht këto pretendime nga ankesat e parashtruesve që e bëjnë të mundshëm konstatimin e diskriminimit dhe ia bartin barrën e provës MPB-së, e cila nuk arrin të hedhë poshtë pretendimin e parashtruesve të ankesave. Ajo i vë pjesëtarët e bashkësisë etnike turke në një pozitë më të pafavorshme në krahasim me maqedonasit dhe shqiptarët etnikë, për të cilët ka formularë”, konstaton Komisioni.

Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi rekomandon që MPB-ja të sigurojë një numër të mjaftueshëm formularësh në gjuhën turke për lëshimin e letërnjoftimeve, patentë shoferëve dhe pasaportave në gjuhën turke, me qëllim përpunimin e pandërprerë dhe të vazhdueshëm të kërkesave për lëshimin e dokumenteve në gjuhën turke, brenda 90 ditëve nga pranimi i mendimit dhe rekomandimit dhe për këtë të njoftojë me shkrim Komisionin.

Rekomandohet që MPB-ja në mënyrë ta vazhdueshme dhe të pandërprerë të pranojë dhe të veprojë sipas kërkesave të qytetarëve për lëshimin e dokumenteve personale në gjuhë të tjera, në përputhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve.

Rekomandohet që Ministria e Punëve të Brendshme në të ardhmen në planet për prokurime publike të definojë saktësisht numrin e formularëve të nevojshëm për lëshimin e dokumenteve personale në gjuhë të tjera, me qëllim të lëshimit të pandërprerë dhe të vazhdueshëm të dokumenteve personale në përputhje me nenin 12 dhe nenin 14 të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, dhe në drejtim të parandalimit të diskriminimit në baza etnike dhe gjuhësore.

Kujtojmë se më 1 shkurt të këtij viti, Kuvendi miratoi në procedurë të shkurtuar ndryshimet ligjore sipas të cilave afati për ndërrimin e patentë shoferëve me emërtimin “Republika e Maqedonisë” do të jetë deri në fund të vitit, përkatësisht 31 dhjetor 2024.

Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë më 17 qershor 2018, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.