Nga problemet e transportit publik nxënësit e Haraçinës harxhojnë para për taksi për të arritur në shkollë, shpesh edhe vonohen
Tani më dy muaj nxënësit nga Komuna e Haraçinës nuk kanë transport publik për të arritur në shkollën e mesme të Qytetit të Shkupit “Marija Kiri Skllodovska”. Në mungesë të linjës së autobusit ata detyrohen të udhëtojnë me taksi apo prindërit t’i dërgojnë në shkollë. Autoritetet nuk marrin përgjegjësi, shkruan Portalb.mk. “Mbi 400 denarë vajtje-ardhje” […]
Tani më dy muaj nxënësit nga Komuna e Haraçinës nuk kanë transport publik për të arritur në shkollën e mesme të Qytetit të Shkupit “Marija Kiri Skllodovska”. Në mungesë të linjës së autobusit ata detyrohen të udhëtojnë me taksi apo prindërit t’i dërgojnë në shkollë. Autoritetet nuk marrin përgjegjësi, shkruan Portalb.mk.
“Mbi 400 denarë vajtje-ardhje”
Nxënësja e vitit të katërt A.J. nga Haraçina thekson se nga mungesa e linjave direkte nga Haraçina deri në shkollë detyrohet të paguajë taksi çdo ditë shuma e të cilës arrin në mbi 400 denarë vajtje-ardhje, e cila sipas saj është e papërballueshme.
“Të gjithë nxënësit që mësojmë në shkollën e mesme “Marija Kiri Skllodovska” kemi probleme me transportin publik. Autobusi nuk vjen rregullisht dhe është shumë e vështirë deri sa të arrijmë në shkollë, duhet të paguaj taksi çdo ditë. Kërkojmë që sa më shpejtë të zgjidhet ky problem sepse po vjen fundi i gjysmë vjetorit të parë ne ende nuk kemi transport gjë e cila kushton shumë dhe është e papërballueshme”, tha A.J.
Nxënësja e vitit të tretë Q.S. theksoi se nga mungesa e autobusit prindërit e tyre detyrohen t’i dërgojnë në shkollë.
“Në shumicën e rasteve prindërit tanë janë të detyruar të na dërgojnë deri në shkollë. Për arsye se autobusi me numër 55 nuk vjen rregullisht, ose mund të them që s’vjen fare. Kurse ka raste që duhet të marrim taksi dhe të paguajmë gjë e cila kushton shtrenjtë për ne. Është mirë që ky problem të zgjidhet më sepse jemi lodhur, dhe jemi të shqetësuar shumë nga kjo gjë”, tha Q.S.
Kurse nxënësja N.Xh. nga fshati Haraçinë theksoi se mezi arrijnë në orën e parë të mësimit.
“Mund të them se prej në fillim të vitit shkollor ne kemi probleme me transportin publik. Unë çdo ditë jam në ankth deri sa të shkojë në shkollë, dhe me frikë se a do të mund të arrijë me kohë në klasë, dhe ta kapi orën e parë të mësimit. Kërkoj nga institucionet përkatëse që sa më shpejtë të bëjnë zgjidhje të këtij problem”, tha N.Xh.
Ka pasur vonesa të nxënësve në orët mësimore
Që kjo problematikë ekziston e konfirmojnë edhe nga Shkolla e Mesme e Qytetit të Shkupit “Marija Kiri Skllodovska”, ata theksuan se vonesa nga nxënësit ka pasur mirëpo kanë qenë tolerant duke pasur parasysh gjendjen aktuale të transportit publik në qytet.
“Si shkollë kemi qenë të shqetësuar për nxënësit që vijnë nga Komuna e Haraçinës dhe me të njëjtën problematikë janë përballur edhe nxënësit e Çairit, Butelit, Sarajit, Hasanbegut e kështu me radhë. Prindërit me mundësitë e tyre i kanë sjellë fëmijët në shkollë duke mos humbur asnjë ditë nga procesi arsimor. Shkolla i ka duart e lidhura dhe nuk është përgjegjëse për transportin e nxënësve. Përgjegjësia bie mbi Qytetin e Shkupit për organizimin e transportit publik”, tha zëvendës-drejtori i shkollës Samet Ismaili.
Kaos në Qytetin e Shkupit
Edhe pse Qyteti i Shkupit na konfirmoi se do të prononcohet për këtë problem në pyetjet gazetareske, edhe pas disa ditëve pritje deri në publikimin e këtij teksti përgjigje nuk morëm.
Ndërkaq, nga Ndërmarrja e Transportit Publik duke iu përgjigjur shkurt pyetjeve tona gazetareske në lidhje me problemin e transportit publik të nxënësve theksuan se nuk ka linjë direkte prej në Haraçinë deri në shkollën e mesme të Qytetit të Shkupit “Marija Kiri Skllodovska” dhe se linja me numër 55 është në pronësi të transportuesve privatë.
Një nga transportuesit private me të cilët bisedoi Portalb.mk theksoi se problemet me linjat e autobusëve në Shkup datojnë gati tre vite.
“Nxënësit e shkollës së mesme të Qytetit të Shkupit “Marija Kiri Skllodovska është normale që t’i ndërrojnë nga dy autobusë si gjithë të tjerët që jetojnë nëpër fshatra. Por për shkak se ka dy muaj që nuk ka pasur autobusë në Haraçinë, ata është dashur të shkojnë deri në Hasanbeg me veturë dhe të marrin linjën me numër 65, dhe ky është një problem që me transportin publik ende nuk kemi arritur të kemi marrëveshje. Ndërsa për momentin hasemi me probleme të tjera që janë të ditura për opinionin dhe presim që t’i rregullojmë këto probleme sepse mbetën ende të pa zgjidhura dhe sa i përket linjave të reja për momentin nuk ka shanse”, tha një nga transportuesit privat.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës e pyetur për këtë problem të nxënësve theksoi se transporti publik i nxënësve të kësaj shkolle nuk është në kompetencat e tyre.
Kujtojmë se së fundmi transporti publik në kryeqytet ka qenë në kolaps. Problemi kulmoi me 20 nëntor pasi për shkak të mungesës së naftës, shumica e autobusëve të NTP-së mbetën të parkuar në bazat e tyre.
Prej se Danella Arsovska është kryetare, transporti publik në Shkup është kolaps dhe nuk funksionon në mënyrë të rregullt.