William L. Downing, ish-gjykatësi amerikan për Portalb: Pushteti ekzekutiv në Maqedoninë e Veriut të qëndrojë larg gjykatësve

Sa më pak transparencë, sa më të fshehta proceset dhe vendimet gjyqësore në Maqedoninë e Veriut, aq më e ulët do të jetë besueshmëria në gjyqësor, tha në një intervistë për Portalb.mk ish-gjykatësi amerikan, William Lansing Downing. Ai shërbeu për 28 vite si gjykatës ndërsa për disa vite ka qenë edhe prokurorë, në Washington Seattle […]

dhjetor 10, 2024 - 12:00
 0  8
William L. Downing, ish-gjykatësi amerikan për Portalb: Pushteti ekzekutiv në Maqedoninë e Veriut të qëndrojë larg gjykatësve
Gjykatësi William Lansing Downing, foto: NW progressive.org.

Sa më pak transparencë, sa më të fshehta proceset dhe vendimet gjyqësore në Maqedoninë e Veriut, aq më e ulët do të jetë besueshmëria në gjyqësor, tha në një intervistë për Portalb.mk ish-gjykatësi amerikan, William Lansing Downing. Ai shërbeu për 28 vite si gjykatës ndërsa për disa vite ka qenë edhe prokurorë, në Washington Seattle ndërsa në masë njihet si ndër gjykatësit më neutral dhe të drejtë.

Me gjykatësin William Lansing Downing biseduam për gjendjen në të cilën ndodhet gjyqësori në Maqedoninë e Veriut. Përvojë gati tre dekadëshe në këtë sferë e gjykatësit Downing ndihmoi që të jep pikëpamje më racionale për këtë.

E pyetëm se si të sigurojmë një gjyqësor më efikas dhe profesional në Maqedoni.

“Sigurimi i efikasitetit dhe pavarësisë nuk është diçka që gjyqësori mund ta arrijë i vetëm. Kjo duhet të ndërtohet me një përpjekje të përbashkët të të gjitha pushteteve, si dhe të sistemit arsimor dhe medias. Pushteti ekzekutiv dhe legjislativ duhet t’i përcjellë publikut mesazhin që i pranojnë dhe i respektojnë të gjitha vendimet gjyqësore, edhe nëse atyre këto vendime mund të mos ju pëlqejnë.” tha gjykatësi William L. Downing.

Ai përmendi rëndësinë që kanë mediat dhe intelektualët në këtë drejtim, potencoi se këta të fundit duhet t’i ndihmojnë publikut që të kuptojë rolin e gjykatave ndërkaq gjykatësit i porositi që të qëndrojnë larg përplasjeve politike.

“Nga ana e tyre, gjyqtarët duhet të qëndrojnë larg përplasjeve politike. Ata duhet të flasin dhe të shkruajnë hapur dhe qartë, me të vetmin qëllim nxitjen e besimit të publikut duke ju spjeguar atyre se si merren vendimet gjyqësore. Sa më pak fshehtësi ose sekrete të ketë rreth veprimeve të gjykatës, aq më e gjerë do të jetë pranueshmëria e publiku.” tha Downing.

Pushteti ekzekutiv duhet t’i mbajë duart larg gjykatësve dhe gjyqësorit

Sipas Downing, gjykatësit për punën e tyre duhet t’i përgjigjen vetëm publikut dhe në rast të shkeljeve, atyre që i kanë emëruar, në rastin tonë Këshillit Gjyqësor, por assesi ekzekutivit.

“Pavarësisht se si arrijnë në pozitat e tyre, gjyqtarët nuk duhet të ndihen – apo të veprojnë – nën ndonjë ndjenjë detyrimi ndaj pushtetit ekzekutiv. Vendimet e një gjyqtari nuk duhet të varen në asnjë mënyrë nga pikëpamjet aktuale pushtetit ekzekutiv. Gjyqtarët duhet të jenë përgjegjës vetëm ndaj publikut (nëse janë të zgjedhur ose subjekt votimit për t’u shkarkuar) ose ndaj procedurës së shkarkimit nga pushteti legjislativ (për shkelje ligjore, jo për vendimet e tyre) dhe nuk duhet të jenë kurrë subjekt i shkarkimit, rirregullimit ose uljes së pagës nga pushteti ekzekutiv.” tha gjykatësi Downing.

Hulumtimet tregojnë që në Maqedoninë e Veriut se më pak se 4 përqind e popullit i besojnë gjyqësorit. Pushteti ekzekutiv asnjëherë s’i ka mbajtur duart larg gjyqësorit, shembull kemi rastin e fundit ku kryeministri Mickoski komentoi epilogun e mundshëm të ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Gjyqësor, gjykata, drejtësi
Gjyqësor, foto: Meri Jordanovska

Për këtë, gjykatësi Downing thotë se transparenca është kyçe, sipas tij, përpos që çdo dokument gjyqësor duhet të jetë publik, gjykatësit duhet të gjejnë edhe forma tjera për të folur me masën.

“Për të fituar besimin e publikut, në fakt, gjykatat duhet të jenë të denja për besim. Proceset dhe dokumentet gjyqësore duhet (me përjashtime shumë të vogla) të jenë të hapura dhe të qasshme për publikun. Gjyqtarët duhet t’i shpjegojnë qartë vendimet e tyre, në mënyrë që arsyetimi i tyre të kuptohet lehtësisht nga të gjithë. Gjyqtarët duhet të inkurajohen të flasin jashtë sallës së gjyqit dhe të shkruajnë, si p.sh, editoriale, gjithmonë me synimin për të shpjeguar rolin gjyqësor dhe procedurat gjyqësore, pa folur për gjykimet aktuale, të kaluara ose të ardhshme.” tha gjykatësi Downing.

Lëndët gjyqësore që të akuzuar kanë ish-funksionarë të lartë kryesisht kanë fjetur në sirtaret e gjykatësve deri në vjetërsimin ligjor të tyre. Gjykatësi Downing thotë se këto raste janë edhe më të rëndësishme, pasi bëhet fjalë për të mirat publike që janë rrezikuar.

“Këtu bëhet fjalë për idealet e një shteti, të cilat janë në rrezik andaj publiku në këto raste duhet të mbahet i informuar në mënyrë të vazhdueshme. Të gjitha veprimet gjyqësore duhet të jenë të hapura. Nëse një prokuror ose gjyqtar ka vepruar në një mënyrë kundër interesit publik, ai individ duhet të ekspozohet dhe, nëse është e mundshme, të ndiqet penalisht. Ligjet gjithashtu duhet të përfshijnë masa të forta mbrojtëse për sigurinë fizike të të gjithë të përfshirëve. Çdo përpjekje për të korruptuar, kërcënuar ose dëmtuar akterët gjyqësorë, gazetarët ose burimet tjera duhet të ndëshkohet ashpër.” tha gjykatësi Downing.

Që Maqedonia e Veriut të hapërojë drejt një sistemi gjyqësor të besueshëm dhe të pavarur, sipas gjykatësit William Lansing Downing çelësi për këtë qëndron tek edukimi publik, përmes shkollave dhe mediave. Thotë se gjykatësit më shpesh duhet të shfaqen dhe të flasin për proceset gjyqësore dhe punën e tyre.

Gjyqësori në Maqedoninë e Veriut është thuajse sektori më i kritikuar në çdo raport ndërkombëtar. Pushteti aktual deri tani ka paralajmëruar disa herë masa ‘rigoroze’ kundër gjykatësve të korruptuar por asgjë nuk është ndërmarrë.

Nuk ka pasur përparim në gjyqësor gjatë periudhës raportuese. Këshilli Gjyqësor duhet të përpiqet të mbrojë integritetin dhe pavarësinë e gjyqtarëve dhe institucioneve dhe duhet t’i rezistojë çdo ndikimi të jashtëm. Shkarkimi i diskutueshëm i Kryetarit të Këshillit Gjyqësor ngriti shqetësime për ndikim të padrejtë politik.” shkruan raporti më i ri i KE-së për RMV-në.