Nga Pusteci te Zvërneci e konsullata serbe: kur Tirana hesht, të tjerët marrin zemër

Fejzi HAJDARI Reagimi skajshmërisht i butë, joadekuat, joproporcional – ose, më saktë, absurd – i Ministrisë së Jashtme shqiptare ndaj mosintonimit të Himnit Kombëtar Shqiptar gjatë një eventi të pakicës maqedonase në Pustec, ku ishte i pra...

gusht 21, 2026 - 14:00
Nga Pusteci te Zvërneci e konsullata serbe: kur Tirana hesht, të tjerët marrin zemër

Fejzi HAJDARI
Reagimi skajshmërisht i butë, joadekuat, joproporcional – ose, më saktë, absurd – i Ministrisë së Jashtme shqiptare ndaj mosintonimit të Himnit Kombëtar Shqiptar gjatë një eventi të pakicës maqedonase në Pustec, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, nuk është thjesht një reagim diplomatik i vakët. Është një mesazh politik, madje do të thoja i guximshëm, sepse një gjë e tillë nuk e di nëse dikush do të guxonte ta bënte në Serbi, madje as t’i shkonte ndër mend! Reagimet absurde të Ministrisë së Jashtme shqiptare, të tipit “sa për sy e faqe”, nuk pinë më ujë…

Dhe mesazhi është i qartë: simbolet shqiptare mund të anashkalohen, dinjiteti kombëtar mund të relativizohet dhe Tirana zyrtare, në vend se të ngrejë zërin, zgjedh të flasë me pëshpërimë.
Dhe, problemi s’është vetëm një himn. Problemi është standardi.

Kur bëhet fjalë për simbolet kombëtare shqiptare, Tirana sillet sikur çdo reagim i fortë është një teprim, një incident që duhet minimizuar, një çështje që duhet futur nën qilim për të mos prishur marrëdhëniet me fqinjët.

Por kur dikush prek simbolet, interesat apo dinjitetin e të tjerëve, a do të imagjinonte dikush një reagim kaq të vakët?

Pusteci nuk është thjesht një pikë në hartë. Është territor i Republikës së Shqipërisë. Dhe një event i një pakice kombëtare, sado e rëndësishme të jetë ajo, nuk mund të shndërrohet në hapësirë ku simbolet e shtetit pritës trajtohen sipas dëshirës së organizatorëve.

Këtu duhet të bëhet një dallim i qartë: respektimi i pakicave është detyrim demokratik; respektimi i simboleve të shtetit ku zhvillohet aktiviteti është gjithashtu detyrim institucional.

Të dyja gjërat mund dhe duhet të bashkëjetojnë.

Por Tirana zyrtare duket se ka zgjedhur një filozofi tjetër: të mos zemërojë askënd jashtë kufirit, edhe nëse për këtë duhet të zhgënjejë shqiptarët brenda dhe jashtë tij.

Dhe këtu Pusteci lidhet me Zvërnecin.

Lidhet edhe me konsullatën serbe.

Lidhet me mënyrën se si hapësira publike shqiptare po trajtohet gjithnjë e më shumë si një territor ku të tjerët mund të ushtrojnë simbolikën, ndikimin dhe interesat e tyre, ndërsa shteti shqiptar shpesh sillet sikur duhet të kërkojë leje për të mbrojtur të vetat.

Pusteci, Zvërneci, konsullata serbe – tri episode të ndryshme, por një pyetje e njëjtë: ku është shteti shqiptar kur preken simbolet, hapësira publike dhe dinjiteti kombëtar?

Shteti nuk matet vetëm me fjalimet në konferenca ndërkombëtare., por Shteti matet edhe me momentin kur duhet të thuash: mjaft!

Nëse Himni Kombëtar Shqiptar mund të mos intonohet në një aktivitet të zhvilluar në territorin e Shqipërisë dhe përgjigjja zyrtare është një reagim i vakët, atëherë çfarë sinjali po i dërgohet opinionit shqiptar?

Se nuk ia vlen të reagosh, se simbolet janë thjesht dekor? Se për të ruajtur marrëdhëniet diplomatike duhet të heshtësh edhe kur cenohet një parim elementar?

Kjo nuk është diplomaci e mençur, por diplomaci e frikësuar. Dhe diplomacia e frikësuar, herët a vonë, prodhon mungesë respekti.

Prandaj nuk është çështja vetëm pse nuk u intonua Himni Kombëtar. Çështja është pse Tirana zyrtare nuk e ndjeu të nevojshme të tregonte se simbolet kombëtare shqiptare kanë peshë.

Kur shteti nuk i mbron vetë simbolet e tij, mos u habitni kur të tjerët fillojnë t’i trajtojnë ato si diçka të parëndësishme.

Nga Pusteci te Zvërneci, e deri te konsullata serbe: ndoshta problemi nuk është se të tjerët po bëhen gjithnjë e më të guximshëm. Ndoshta problemi është se Tirana po bëhet gjithnjë e më e heshtur.


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.