Ngërç politik apo zgjedhje të reja? Afati për presidentin po afrohet

Pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese që përcakton afatin për zgjidhjen e çështjes së presidentit, njohës të zhvillimeve politike në vend vlerësojnë se skena politike po karakterizohet nga mungesa e seriozitetit dhe e gatishmërisë për kompromis. Në deklaratat e tyre, profesori i shkencave politike Dritëro Arifi dhe politologu Melazim Koci kanë ngritur shqetësime për

Mars 31, 2026 - 17:00
Ngërç politik apo zgjedhje të reja? Afati për presidentin po afrohet
ngerc-politik-apo-zgjedhje-te-reja?-afati-per-presidentin-po-afrohet

ngerc-politik-apo-zgjedhje-te-reja?-afati-per-presidentin-po-afrohet

Pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese që përcakton afatin për zgjidhjen e çështjes së presidentit, njohës të zhvillimeve politike në vend vlerësojnë se skena politike po karakterizohet nga mungesa e seriozitetit dhe e gatishmërisë për kompromis.

Në deklaratat e tyre, profesori i shkencave politike Dritëro Arifi dhe politologu Melazim Koci kanë ngritur shqetësime për qasjen e partive politike dhe rrezikun e thellimit të krizës institucionale. Arifi vlerëson se qasja aktuale e partive, në veçanti e Lëvizjes Vetëvendosje, nuk është serioze dhe mund të çojë në zvarritje të procesit.

“Pas vendimit gati 1 javë të Gjykatës Kushtetuese për një afat 34 ditor për zgjidhjen e çështjes së presidentit, nuk po shoh seriozitet të theksuar të partive politike e posaçërisht të LVV-së sepse ata i kanë dy kandidatë të cilët nuk i kanë 80 vota, dhe mënyra sesi po tentohet që kinse me ftesa të shohim sesi do të vazhdoj, kjo po tregon edhe një qasje më joserioze se herën e parë”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, situata politike po perceptohet negativisht dhe mund të prodhojë pasoja të mëtejshme institucionale.

“Lëvizja Vetëvendosje po na tregon që Kosova është një cirk me shumë palaço brenda këtij cirku, kështu po e perceptojnë politikën kosovare. Po vërehet se kjo qasje mund të na dërgoj edhe te një zvarritje përtej atij 45 ditëshit për shkak se presidentes i skadon mandati me 4 prill dhe mandej mund të sfidohet ky afat kushtetues që është dhënë që nëse deri më 28 prill nuk ka president duhet të shkohet në zgjedhje brenda 45 ditëve, por a do të ndodh kjo është pikëpyetje andaj thash kjo qasje nuk po më duket serioze derisa nuk ka seriozitet me kërku një emër konsensual derisa nuk janë votat për dy kandidatët e parë atëherë gjithçka po na dërgon të një skenar që vetëm z,Kurti e din të tjerët po qëndrojnë në pritje se çka do të ndodh tutje”, është shprehur Arifi.

Në anën tjetër, politologu Melazim Koci thekson mungesën e komunikimit dhe gatishmërisë për kompromis ndërmjet partive politike.

“Një javë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e dekretit të Presidentes Osmani, partitë politike nuk kanë bërë asnjë lëvizje në drejtim të komunikimit rreth zgjedhjes së Presidentit/es. Kjo nuk është shumë e habitshme, sepse klasa jonë politike tash 12 muaj na e ka dëshmuar se nuk është e gatshme për të biseduar dhe aq më pak të bëjë hapa në drejtim të një kompromisi”, tha Koci.

Ai theksoi se çështja e Presidentit/es nuk do të mund të tejkalohet nëse partitë politike vazhdojnë të insistojnë në emra partiak.

“Kompromisi do të ishte nëse VV dhe opozita pajtohen që emri i Presidentit/es të gjendet nga sfera jo partiake. Pra, të jetë dikush që nuk është nga radhët e VV dhe as nga radhët e partive opozitare. A mund ta jetësojnë partitë tona politike një konsensus të tillë? Në këto çaste gjasat janë 50 : 50. Rrjedhimisht nuk jam shumë optimist”, ka thënë ai.

Melazim Koci

Koci shton se pozicionet e ngurta politike dhe mungesa e kulturës së kompromisit po e vështirësojnë zgjidhjen e krizës.

“Lëvizje drejt një marrëveshje politike nuk ka, sepse pozicionet e palëve janë ngurtësuar. Partitë tona politike nuk kanë nivel të kulturës politike që do kultivonte marrëveshje dhe kompromis. Ato kanë llogaritë e veta fillimisht dhe vetëm pastaj interesin e Kosovës. Situatën tash e ka ndërlikuar edhe vendimi i drejt i Gjykatës Kushtetuese që të refuzojë kërkesën e VV me të cilën kërkohej që deputetët të obligohen të qëndrojnë në sallën e Kuvendit dhe të votojnë. Kjo ishte kërkesë që nuk bënte sens, sepse nuk ka një demokraci parlamentare në Evropë që obligon deputetët se si të veprojnë”, u shpreh politologu.

Tutje ai shtoi se ata kanë mandat të lirë dhe veprojnë sipas ndërgjegjes dhe përgjegjësisë së tyre morale dhe politike.

“Do të kishte qenë absurde nëse Gjykata Kushtetuese do të kishte vendosur ndryshe. Kërkesa e VV ka pasur edhe një rrezik tjetër: nëse do të miratohej, Lista Serbe praktikisht do të fitonte të drejtën e vetos në procesin e konstituimit të institucioneve të Kosovës”, ka deklaruar Koci.

Duke folur për mundësinë e zgjedhjeve të reja, ai paralajmëron pasoja për vendin.

“Zgjedhjet tjera janë një nga mundësitë reale dhe nuk duhet përjashtuar. Duke njohur nivelin e papërgjegjësisë së klasës tonë politike, ato duken bukur reale. Kush do të përfitonte? Askush sepse rezultati do të sillet diku ndërmjet epilogut të zgjedhjeve të shkurtit dhe dhjetorit të vitit 2025. Por, do të kishim një humbëse të madhe – Kosovën. Zgjedhjet e treta parlamentare brenda 14 – 15 muajsh janë kompromituese për kredibilitetin e Kosovës në përmasa ndërkombëtare.

Ato do të ishin në favorin e të gjithë atyre në arenën ndërkombëtare që janë kundër pavarësisë së Kosovës. Në 120 vitet e fundit, Serbia në arenën ndërkombëtare tezë kryesore kundër Kosovës ka pasur pohimin e shpifur për gjoja paaftësinë e shqiptarëve të Kosovës për të bërë shtet. Zvarritja deri në pafundësi e kompletimit të institucioneve dhe zgjedhjet e përsëritura mjerisht ushqejnë këtë narrativë djallëzore dhe të shpifur të Serbisë”, ka përfunduar Koci.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese më 25 mars publikoi një aktgjykim për çështjen e presidentit, duke thënë se deputetët kishin 34 ditë kohë, përkatësisht deri më 28 prill, që të zgjidhnin presidentin e ri, në të kundërtën vendi shkon automatikisht në zgjedhje.

Çështja u dërgua në Kushtetuese nga Qeveria pasi më 6 mars, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, nxori një dekret për shpërndarjen e Kuvendit, një ditë pasi deputetët dështuan të zgjidhnin pasardhësin e Osmanit. Kushtetuesja gjeti se dekreti i Osmanit nuk ka prodhuar ndonjë efekt juridik.

Në këtë aktgjykim, gjykata sqaroi gjithashtu se Kuvendi i Kosovës shpërndahet në tri raste: nëse brenda 60 ditësh nga data e caktimit të mandatarit nga presidenti nuk formohet Qeveria, nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë 2/3 e të gjithë deputetëve dhe nëse brenda 60 ditësh nga data e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjidhet presidenti i Kosovës.

Sipas Gjykatës Kushtetuese procedura për zgjedhjen e presidentit, që nuk mund të zgjasë më shumë se 60 dit, duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. /Telegrafi/