Nisma “Të gjithë për Palestinën” i dërgoi një notë proteste MPJ-së: Ndaloni mbështetjen e gjenocideve në emrin tonë
Nisma qytetare “Të gjithë për Palestinën” i ka dërguar sot një notë proteste Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme lidhur me votimin në Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, transmeton Portalb.mk. “Ju drejtohemi në lidhje me votën tuaj zyrtare në seancën e 58-të të rregullt të Këshillit të […]


Nisma qytetare “Të gjithë për Palestinën” i ka dërguar sot një notë proteste Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme lidhur me votimin në Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, transmeton Portalb.mk.
“Ju drejtohemi në lidhje me votën tuaj zyrtare në seancën e 58-të të rregullt të Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, mbajtur më 4 prill 2025, ku vendi ynë votoi kundër dy rezolutave për Palestinën, të miratuara nga shumica e anëtarëve”, thuhet në letrën e protestës.
Rezoluta A/HRC/58/L.31, për të cilën Maqedonia votoi kundër së bashku me vetëm një vend tjetër – Republikën Çeke, dënon praktikat koloniale izraelite në territoret e pushtuara palestineze dhe mbështet të drejtën e patjetërsueshme për vetëvendosje të popullit palestinez. Kjo rezolutë u miratua me 43 vota pro, ndërsa dy shtete abstenuan.
“Dëshirojmë t’ju kujtojmë se Maqedonia kurrë nuk ka votuar kundër të drejtës për vetëvendosje të popullit palestinez. Gjithashtu duam t’ju kujtojmë se lufta për të drejtën për vetëvendosje është e rrënjosur thellë në historinë e popullit maqedonas dhe se vetë duhet të jetë një kujtesë gjithnjë e pranishme e solidaritetit dhe empatisë ndaj të gjithë popujve që ndajnë të njëjtën betejë”, thanë nga “Të gjithë për Palestinën”.
Sipas tyre, ky vendim është thellësisht i turpshëm dhe nuk është në përputhje me vullnetin, ndërgjegjen dhe vlerat e njerëzve që jetojnë në këtë territor. Nisma kërkon sqarim urgjent për këtë votim.
“Ne kërkojmë që të ndaloni së mbështeturi gjenocidet në emrin tonë. Ne kërkojmë që votat në seancat e OKB-së të pasqyrojnë vlerat reale të popullit tonë. Ne kërkojmë solidaritet për Palestinën dhe popullin palestinez”, theksojnë në notën e protestës.
Të premten e katër prillit, në fund të sesionit të tij të 58-të, Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut miratoi dy rezoluta të paraqitura nga Shteti i Palestinës, duke riafirmuar paligjshmërinë e praktikave koloniale izraelite në territorin e pushtuar palestinez, duke përfshirë Jeruzalemin Lindor, dhe duke përsëritur të drejtën e Palestinës për vetëvendosje. Vetëm 2 shtete ishin kundër Maqedonia e Veriut dhe Çekia.
Edhe përkundër reagimeve në opinion pas votimit të Maqedonisë së Veriut në OKB, kundër të drejtës për vetëvendosje të popullit palestinez, Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut hesht kur pyetet se çfarë përfaqëson vendi me këtë votë.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut, edhe në shtator të viti 2024 pati abstenuar rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që kërkonte që Izraeli t’i japë fund prezencës së tij të paligjshme në Gaza dhe Bregun Perëndimor.
Maqedonia e Veriut abstenoi nga votimi, së bashku me Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Italinë, Holandën, Austrinë, Zvicrën, Suedinë, Danimarkën, Kroacinë, Bullgarinë, Rumaninë, Poloninë, Sllovakinë, Lituaninë, Ukrainën, Serbinë, Shqipërinë, Kanadanë, Indinë, Australinë, dhe vende të tjera.
Maqedonia e Veriut, votoi e përmbajtur edhe në tetor 2023 në miratimin e rezolutës me të cilën bëhej thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës. Rezoluta e cila ishte propozim i Jordanit, u miratua me 120 vota “për”, me 14 “kundër” dhe 45 “të përmbajtur”. Maqedonia e Veriut ishte në mesin e vendeve e cila ishte e përmbajtur për rezolutën me të cilën dënohen të gjitha aktet e dhunës kundër civilëve palestinez dhe izraelit, si dhe sulmet terroriste dhe joselektive, ndërsa gjithashtu bënte thirrje për ndihmë të papenguar dhe mbrojtje të civilëve.