NP “Pyjet Kombëtare” në aksion: Janë konfiskuar drunj të prerë ilegalisht në rajonin Kumanovë-Likovë
Një aksion i madh për kapjen e prerjeve të egra është zhvilluar dje dhe pardje në rajonin Kumanovë-Likovë. Për aksionin përmes postimeve në rrjetet sociale ka njoftuar zëvendësdrejtori i Ndërmarrjes Publike “Pyjet Kombëtare”, Kire Mihailov, i cili ka shpërndarë edhe video nga angazhimi i ekipeve të ndërmarrjes mbi fshatin Nikushtak të komunës së Likovës, transmeton […]
Një aksion i madh për kapjen e prerjeve të egra është zhvilluar dje dhe pardje në rajonin Kumanovë-Likovë. Për aksionin përmes postimeve në rrjetet sociale ka njoftuar zëvendësdrejtori i Ndërmarrjes Publike “Pyjet Kombëtare”, Kire Mihailov, i cili ka shpërndarë edhe video nga angazhimi i ekipeve të ndërmarrjes mbi fshatin Nikushtak të komunës së Likovës, transmeton Portalb.mk.
Një nga videot tregon ekipet e ndërmarrjes duke prerë trungjet e pemëve me sharrë elektrike, për të cilën Mihailov thotë se janë vendosur pengesa në mënyrë që zyrtarët të mos arrijnë deri te pemët e prera në mënyrë të egër.
“Kemi një sasi të madhe të drurit të konfiskuar. Ekipet tona së bashku me policinë e krimit janë lart, por në momentin që skuadrat vijnë dhe marrin drunjt, rruga na bllokohet nga trungje të prera. Të tilla pengesa ka deri në fund dhe duhet të pastrojmë terrenin me ekipet për të shkuar te drunjt që do të konfiskohen”, thotë nëndrejtori i NP Pyjet Kombëtare.
Në postim ai u dërgon mesazh të gjithë atyre që merren me prerjet e paligjshme se krimi nuk do të jetë fitimprurës në të ardhmen.
“Kushdo që mendon se mund të punojë, ne do t’i gjejmë të inkorporohen në punë normale. E gjithë kjo nuk do t’i sjellë askujt të ardhura. Ne do të luftojmë çdo krim. Do të ketë zero tolerancë për krimin. Kjo është ajo që ne bëjmë. Pa dallim ku në Maqedoni, aty ku do të zbulojmë raste të tilla, ne do të veprojmë”, thotë Mihailov.
Drejtori i NP “Pyjet Kombëtare” dje pasdite njoftoi se aksioni ka përfunduar dhe se drunjt e sekuestruar tashmë janë në depon e ndërmarrjes në Kumanovë.
“Përkundër sfidave të mëdha dhe pamundësisë së rrugëve hyrëse mbi fshatin Nikushtak, e gjithë sasia e drurit që është prerë ilegalisht është konfiskuar dhe tashmë gjendet në depon e NP “Pyjet Kombëtare” në Kumanovë. Falënderoj kolegët e NP “Pyjet Kombëtare” nga filialet e Kumanovës dhe Shkupit për angazhimin e tyre në dy ditët e kaluara”, ka shkruar Mihailov në Facebook.
Në aksion kanë marrë pjesë pjesëtarë të policisë pyjore dhe ekipe të Sektorit të Punëve të Brendshme Kumanovë, me ndihmën dhe logjistikën të të cilëve është realizuar aksioni.
Për aksionin ka informuar drejtori i Qendrës për menaxhim me kriza (QMK), Stojançe Angelov.
“Zjarret shkatërrojnë pyjet gjatë verës, por hajdutët e drurit i shkatërrojnë ato gjatë gjithë vitit”, thotë ai.
Për momentin nuk ka numër të saktë se sa drunj të prerë ilegalisht janë sekuestruar në aksionin e NP “Pyjet Kombëtare”.
Kujtojmë se që nga fillimi i kësaj vere, më shumë se 85.000 hektarë tokë janë djegur në vend, sipas të dhënave të publikuara nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), një komponent i shërbimit të menaxhimit të emergjencave Kopernik. Një pjesë e madhe e këtyre sipërfaqeve ishin edhe pyje, siç ishin rastet e maleve Sertë, Galiçicë, Mukos e të tjerë. Shifra e saktë se sa pyje janë djegur këtë vit do të duhet të dihet deri në fund të vitit dhe sipas shifrave të fundit të pakonfirmuara bëhet fjalë për rreth 8000 hektarë.