Nuk është e vërtetë se të dyshuarit për zjarrin e Koçanit nuk po arrestohen dhe se qeveria po vendos censurë
Nuk është e vërtetë se për tragjedinë e Koçanit nuk është arrestuar asnjë autor, apo të dyshuar dhe se gazetarët janë duke u burgosur. Siç ka njoftuar Prokurori Publik i Shtetit më 20 mars, në statusin e të dyshuarve janë 28 persona, tre prej të cilëve në spital, 18 janë të ndaluar në procedurë paraprake, […]


Nuk është e vërtetë se për tragjedinë e Koçanit nuk është arrestuar asnjë autor, apo të dyshuar dhe se gazetarët janë duke u burgosur. Siç ka njoftuar Prokurori Publik i Shtetit më 20 mars, në statusin e të dyshuarve janë 28 persona, tre prej të cilëve në spital, 18 janë të ndaluar në procedurë paraprake, ndërsa shtatë policë janë nën hetim dhe po ashtu janë në paraburgim. Qeveria nuk dëshiron të vendosë censurë dhe apeli për një televizion që të mos raportojë për funeralet nuk është nga qeveria, shkruan Vërtetmatësi.
Ne analizojmë një postim në rrjetin social Threads që thotë:
Në vend që të arrestojnë përgjegjësit për tragjedinë e Koçanit, po i ndalojnë gazetarët. Më herët gjatë ditës, Kanal 5 pro regjimit kërkoi nga televizionet e tjera që të mos raportojnë për varrimin e nesërm të viktimave të zjarrit në Koçan. Qeveria po fut censurën, e cila është një hap drejt diktaturës. Dhe, ajo që është më e frikshme, me ndihmën e “mediave” mbi të cilat kanë kontroll absolut.
Nuk është e vërtetë se për tragjedinë e Koçanit nuk është arrestuar asnjë autor, apo të dyshuar dhe se gazetarët janë duke u burgosur.
Siç ka njoftuar Prokurori Publik i Shtetit më 20 mars, në statusin e të dyshuarve janë 28 persona, tre prej të cilëve në spital, 18 janë të ndaluar në procedurë paraprake, ndërsa shtatë policë janë nën hetim dhe po ashtu janë në paraburgim.
Dëshmitë mblidhen në deklarata dhe në formë materiale, por edhe në formë ekspertize në fusha të caktuara. Të gjitha këto prova të deritanishme nxjerrin në pah dyshimin për një krim themelor – krime të rënda kundër sigurisë publike për shkak të rrezikimit të drejtpërdrejtë të jetës dhe trupit të personave, për të cilat parashikohet dënim deri në 20 vjet. Po hetojnë edhe dhënien dhe marrjen e ryshfetit, paligjshmëritë në blerjen e mjeteve piroteknike, si dhe disa vepra të tjera kriminale, tha Kocevski, përcjell MIA.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në një konferencë për media më 19 mars, informoi se janë arrestuar 26 persona, 18 personave u është caktuar paraburgim dhe se hetimet do të zgjerohen.
Prokuroria më 20 mars njoftoi se ekipet policore me urdhër të Prokurorisë Themelore Publike (PPO) në Koçan kanë kryer një aksion për ndalimin e personave të dyshuar për përfshirje në procedurën lidhur me zjarrin në diskotekën “Pulse”. Siç raportojnë disa media, janë arrestuar kryetari i Komunës së Koçanit që dha dorëheqje, Ljupço Papazov, si dhe ish-kryetarët Ratko Dimitrovski dhe Nikolço Iliev.
Pra, nuk është e vërtetë që përgjegjësit apo të dyshuarit për zjarrin tragjik në Koçan nuk po arrestohen, siç dëshiron ta paraqesë njoftimi që po analizojmë.
Sa i përket ndalimit të gazetarëve, që përmendet në njoftim, një gjë e tillë nuk ka pasur. Konkretisht, më 18 mars, kur u mbajt tubimi për nder të viktimave të Koçanit në sheshin Maqedonia në Shkup, siç raportuan disa media, dy gazetarë të Televizionit 21 dhe një gazetar i agjencisë Reuters, shtetas i Republikës së Serbisë, u morën dhe u ndaluan në stacionin policor “Qendër” atë mbrëmje, sepse po filmonin protestën në sheshin “Maqedonia” në Shkup.
Nga MPB, siç raporton SDK.mk, kanë konfirmuar se disa gazetarë janë thirrur në pyetje për shkak se nuk kanë pasur leje për të filmuar me dron.
Pra, nuk ka pasur burgosje, por janë thirrur për intervistë informative.
Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punëtorëve të Medias (SPGPM) dhe Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) konfirmuan se gazetarët janë thirrur për intervistë informative, por nuk janë ndaluar.
Konfirmimin se ata nuk janë ndaluar apo arrestuar kanë ardhur edhe nga vetë gazetarët e TV 21, të cilët në një video në Facebook kanë shpjeguar se pse janë thirrur në intervistë.
Më tej, në njoftim thuhet se Qeveria me ndihmën e një mediumi ka dashur të vendosë censurë për funeralin e të vrarëve tragjikisht nga zjarri, që ishte një hap drejt diktaturës.
Dhe kjo nuk është e vërtetë. Përkatësisht, televizioni Kanal 5, më 19 mars, ka bërë thirrje për të gjitha mediat që të mos dërgojnë asnjë aparat fotografik/kamerë/mikrofon për të incizuar kortezhin mortor në Koçan dhe qytete të tjera të enjten.
Ky apel i Televizionit Kanal 5 nuk ka të bëjë fare me Qeverinë dhe as me futjen e ndonjë censure. Në të njëjtën ditë, Qeveria në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) dhe në konsultim me Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), si dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punëtorëve të Medias (SPGPM), shpalli protokoll sigurie gjatë raportimit për varrimin e viktimave të zjarrit të tmerrshëm në diskotekën e Koçanit.
Për përfaqësuesit e mediave që raportojnë për ngjarjen, shërbimet e policisë do të ofrojnë një zonë të veçantë përgjatë rrugës së kortezhit, 300 metra nga hyrja në kishëz deri në varrezat e qytetit në Koçan. Kjo hapësirë do të sigurohet nga pjesëtarë të Ministrisë së Brendshme për të garantuar rendin dhe sigurinë në zonën e caktuar. Në këtë zonë do të zbatohet edhe ndalimi i operimit të mjeteve ajrore pa pilot (dronë), njoftoi Qeveria.
Pra, Qeveria në asnjë moment nuk e ka ndaluar raportimin për funeralet, pra nuk ka futur censurë, siç thuhet në njoftim.
Nga të gjitha sa më sipër, mund të konkludojmë se njoftimi që po analizojmë ka për qëllim manipulimin, përfitimin e poenëve politik, ndaj dhe e vlerësojmë si të pavërtetë.