Nuk ka tregje të reja për produktet bujqësore, Kasami i premtoi por tani arsyetohet 

Ndërtimi i tregjeve komunale për shitjen e produkteve bujqësore në Tetovë mbetet premtim i pa realizuar i Komunës së Tetovës, shkruan Portalb.mk.  Në programin zgjedhor ‘Me ka krejt për Tetovën’ 2021-2025 me të cilin kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami garoi dhe fitoi në zgjedhjet e fundit lokale tetorin e vitit 2021, mes tjerash përmend edhe krijimin e […]

Mars 6, 2025 - 09:00
 0  10
Nuk ka tregje të reja për produktet bujqësore, Kasami i premtoi por tani arsyetohet 
Tregu i Gjelbër - Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ndërtimi i tregjeve komunale për shitjen e produkteve bujqësore në Tetovë mbetet premtim i pa realizuar i Komunës së Tetovës, shkruan Portalb.mk. 

Në programin zgjedhor ‘Me ka krejt për Tetovën’ 2021-2025 me të cilin kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami garoi dhe fitoi në zgjedhjet e fundit lokale tetorin e vitit 2021, mes tjerash përmend edhe krijimin e tregjeve për shitjen e produkteve bujqësore. 

Te pjesa e urbanizmit, konkretisht në faqe 23 thuhet:

“Ndërtimin e tregjeve komunale ku do të shiten produktet e bujqve të Tetovës dhe rrethinës”. 

Por, tre vite e disa muaj më vonë prej kur Kasami erdhi në krye të Komunës së Tetovës, kjo pikë e programit nuk është realizuar në terren.

E pyetëm Kasamin se pse nuk është realizuar kjo pikë, ai u arsyetua se ka një serrë problemesh me tregun aktual të cilin e menaxhon Ndërmarrja Publike Komunale. 

“Për shkak të dukurive që ne ende nuk mund t’i vendosim në sistem të shitjes së produkteve edhe jashtë hapësirave të tregut, nuk ka ndonjë interesim nga operatorë privatë që pjesë tjera të ofrojnë për menaxhim si treg i gjelbër, edhe është ajo si dukuri që në shumë pjesë të qytetit në lokacione më të vogla veç më funksionojnë si tregje më të vogla ku shiten produkte bujqësore, për momentin nuk kemi pasur ndonjë kërkesë nga ndonjë operator privat për të menaxhuar me ndonjë hapësirë si treg i gjelbër”, tha Kasami. 

Ai edhe më tej shtoi s sa i përket Ndërmarrjes Komunale ‘nuk ja vlen barra qiranë’.

“Domethënë edhe tregu aktual nuk i plotëson kushtet për të qenë efikas në funksionimin e tij, të hyrat që kemi nga tregu nuk i mbulojnë harxhimet, prandaj si ndërmarrje komunale nuk ka ndonjë llogari për të zgjeruar veprimtarinë e saj, nga privatët nuk kemi pasur ndonjë kërkesë”, u arsyetua Kasami. 

Ai ju bëri ftesë të gjithë operatorëve privatë që e shohin si mundësi Komuna e Tetovës është e gatshme që këtë si përgjegjësi publike të ua përcjellë në një marrëveshje për partneritet privato-publik. 

Përndryshe, një ditë në javë (të enjten) qytetarët prodhimet e tyre bujqësore i shesin në trotuarin përgjatë Tregut të Gjelbër, ku krijohen tollovi. Ndërkaq problematikë mbetet edhe shitja e shpezëve dhe e kafshëve, ku krijohen mbeturina dhe kundërmon erë e keqe.