Çfarë duhet të bëjë një maturant që ta përfundojë shkollën e mesme dhe të regjistrohet në fakultet?
Përfundimi i arsimit të mesëm në Maqedoninë e Veriut është i rregulluar me ligj dhe përfshin më shumë detyrime që nxënësit e shkollave të mesme – maturantët duhet t’i përmbushin për të marrë një certifikatë ose diplomë dhe eventualisht ta vazhdojnë arsimin e lartë. Sipas Ligjit për Arsimin e Mesëm nxënësit duhet tu nënshtrohen provimeve […]


Përfundimi i arsimit të mesëm në Maqedoninë e Veriut është i rregulluar me ligj dhe përfshin më shumë detyrime që nxënësit e shkollave të mesme – maturantët duhet t’i përmbushin për të marrë një certifikatë ose diplomë dhe eventualisht ta vazhdojnë arsimin e lartë. Sipas Ligjit për Arsimin e Mesëm nxënësit duhet tu nënshtrohen provimeve të detyrueshme, të bëjnë detyra projektuese dhe të ndjekin procedura administrative që janë vendimtare për marrjen e statusit të maturantit dhe për regjistrimin në universitet, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Matura shtetërore u dedikohet nxënësve të gjimnazit dhe të arsimit të mesëm profesional katërvjeçar. Përveç asaj që paraqet pjesë përfundimtare të arsimit të mesëm ka për qëllim të shërbejë edhe për seleksionimin e kandidatëve për regjistrim në arsimin e lartë.
Provimi i maturës shtetërore në vendin tonë filloi të realizohet në vitin 2008 dhe nga ajo kohë ka pësuar disa ndryshime.
E ndërkohë që po përgatitet një koncept i ri për marrjen e provimit të maturës shtetërore, edhe këtë vit shkollor mbeten në fuqi rregullat nga vitet e kaluara.
Në konceptin për maturën e arsimit të mesëm janë paraparë tre modele të provimeve: matura shtetërore, matura shkollore dhe provimi përfundimtar.
Nxënësit e gjimnazeve dhe shkollave të mesme artistike mund të zgjedhin nëse do i nënshtrohen provimit të maturës shtetërore ose provimit shkollor, ndërsa ata të arsimit të mesëm profesional katërvjeçar mund të zgjedhin nëse do i nënshtrohen provimit të maturës shtetërore ose provimit përfundimtar.
E përbashkët për të gjitha llojet e provimeve është se secili prej tyre përbëhet nga tre pjesë – pjesës së detyrueshme, pjesës zgjedhore dhe detyrës projektuese.
Matura shtetërore
Koncepti i provimit të maturës shtetërore përfshin dy lëndë eksterne, gjegjësisht lëndë të detyrueshme për të gjithë nxënësit – nga shkollat e mesme, shkollat e arsimit profesional katërvjeçar dhe shkollat e artit. Lënda e parë obligative është gjuha amtare (gjuha dhe letërsia maqedonase, gjuha dhe letërsia shqipe, gjuha dhe letërsia turke ose gjuha dhe letërsia serbe), ndërsa për lëndën e dytë obligative nxënësit e shkollave të mesme mund të zgjedhin mes gjuhës së huaj (anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht) dhe matematikës.
Në Koncept thuhet se gjuhën amtare “duhet ta njohin mirë që të gjithë, pikërisht për shkak të mbiemrit “amtare”, ndërsa për gjuhët e huaja thuhet se “njohja e të paktën një gjuhe të huaj sot është e domosdoshme që çdo i ri të jetë i suksesshëm”.
Sa i përket matematikës, në Koncept thuhet se ajo është një nga lëndët themelore në arsimin fillor, ka “vlerë të lartë prognostike” dhe me të zhvillohet të menduarit logjik.
Provimet eksterne të maturës shtetërore ende realizohen me shkrim.
Krahas lëndëve eksterne (të detyrueshme), maturantët u nënshtrohen edhe dy lëndëve interne gjegjësisht lëndëve zgjedhore, ndërsa këtu mund të zgjedhin dy nga lëndët që i kanë mësuar në arsimin e mesëm në të paktën dy vite akademike, me të paktën dy orë mësimore në javë, ose një lëndë që është mësuar me të paktën gjithsej 138 orë fond të përgjithshëm.
Dallimi kryesor mes testimit për lëndët eksterne dhe testimit për lëndët interne është se lëndët eksterne vlerësohen nga vlerësues të përzgjedhur përmes një thirrjeje publike të shpallur nga Qendra Shtetërore e Provimeve (QShP), ndërsa vlerësimi i provimeve interne bëhet nga një komision intern i përbërë nga punonjës të shkollës në të cilën mëson vetë nxënësi.
Krahas katër lëndëve (dy eksterne dhe dy interne) dhe detyrës projektuese që janë paraparë në kuadër të provimit të maturës shtetërore, nxënësi ka të drejtë të zgjedhë edhe lëndë të tjera, maksimum dy nga lista e lëndëve për pjesën zgjedhore të provimit të maturës shtetërore. Këto lëndë shtesë nxënësit i mundësojnë parakushte më të gjera për hyrje në arsimin e lartë.
Matura shtetërore është një kusht për regjistrim në fakultet.
Matura shkollore
Maturës shkollore i nënshtrohen nxënësit e gjimnazeve ose shkollave të mesme artistike që nuk janë përcaktuar për provimin e maturës shtetërore, pra që nuk planifikojnë ta vazhdojnë në arsimin e lartë. Sipas QShP-së qëllimi i këtij provimi është pajisja me certifikatë për përfundimin e shkollës së mesme apo shkollës të mesme artistike. Me marrjen e provimit të maturës shkollore, maturantët zyrtarisht e përfundojnë procesin e tyre arsimor.
“Provimi i maturës shkollore jepet sipas programeve të veçanta të provimit që bazohen në objektivat e kurrikulave për lëndët mësimore përkatëse që janë të përfshira në listën e maturës shkollore”, thuhet në uebfaqen e Maturës shtetërore (matura.gov.mk).
Provimi përfundimtar
Ngjashëm me provimin e maturës shkollore, provimit përfundimtar i nënshtrohen nxënësit që nuk do t’i nënshtrohen provimit të maturës shtetërore, por në këtë rast ata të arsimit të mesëm profesional. Edhe në këtë rast, me marrjen e provimit përfundimtar, nxënësit marrin një certifikatë që shënon përfundimin e shkollimit të tyre, që do të thotë se me provim përfundimtar ata nuk mund të regjistrohen në fakultet.
Nxënësit e arsimit të mesëm profesional trevjeçar duhet të japin një provim përfundimtar, ndërsa ata të arsimit profesional katërvjeçar mund të zgjedhin mes provimit të maturës shtetërore dhe provimit përfundimtar.
Nxënësit e arsimit të mesëm profesional trevjeçar detyrimisht i nënshtrohen provimit përfundimtar, ndërsa ata të arsimit profesional katërvjeçar mund të zgjedhin mes provimit të maturës shtetërore dhe provimit përfundimtar.
Detyra projektuese
Pjesë përbërëse e provimit të maturës shtetërore, provimit të maturës shkollore dhe provimit përfundimtar është detyra projektuese. Ajo nënkupton studimin e një problemi që nxënësi e zgjedh nga një nga lëndët mësimore ose nga një fushë më e gjerë arsimore. Detyra projektuese, si pjesë përbërëse e provimit përfundimtar në arsimin e mesëm, shërben për të testuar aftësinë praktike të nxënësit për të kryer detyra në fushën e profesionit që ka zgjedhur.
Nxënësve u kërkohet të punojnë një projekt për një temë të caktuar, e cila përfshin hulumtim, analizë dhe prezantim para një komisioni. Kjo detyrë është e detyrueshme për përfundimin e arsimit të mesëm dhe mundëson një numër të caktuar pikësh.
Detyra projektuese përzgjidhet nga lëndët dhe fushat mësimore që i ka zgjedhur nxënësi.
Vlerësimi
Për ta kaluar cilin do prej provimeve (provimin e maturës shtetërore, provimin e maturës shkollore, provimin përfundimtar, detyrën projektuese), është e domosdoshme që nxënësi ë vlerësohet të paktën me një notë minimale – mjaftueshëm (2).
Rezultatet e kandidatëve që e kanë kaluar provimin shprehen me nota nga 2-5 dhe me përqindje në shkallë nga 0-100.
Rezultatet e kandidatëve që nuk e kanë kaluar provimin ekstern shprehen me pikë.
Bëhen të ditura datat e mbajtjes së provimeve eksterne të maturës shtetërore
Nxënësit duhet t’i paraqesin provimet e maturës përmes shkollës së tyre, ndërsa ky proces tashmë ka filluar. Ato do të duhet t’i zgjedhin lëndët zgjedhore të cilëve do ju nënshtrohen, të dorëzojnë një temë projektuese dhe t’i dorëzojnë të gjitha dokumentet e nevojshme të kërkuara nga shkolla.
Qendra Shtetërore e Provimeve (QShP) tashmë e ka publikuar kalendarin e mbajtjes së provimeve eksterne të maturës shtetërore për këtë vit shkollor. Kështu, në sesionin e qershorit provimi për gjuhën amtare do të mbahet më 31 maj, ndërsa ai i gjuhës së huaj ose matematikës më 11 qershor.
Në sesionin e gushtit provimi për gjuhën amtare do të mbahet më 12 gusht, ndërsa ai i gjuhës së huaj ose matematikës më 14 gusht.
Risi këtë vit është se maturantët që mësojnë në shkollat e mesme të qytetit të Shkupit provimeve shtetërore do t’u nënshtrohen në amfiteatrot dhe klasat në fakultetet e Universitetit “Sh, Kirili dhe Metodi” (UKM). Maturantët e Shtipit, nga ana tjetër, provimeve do t’u nënshtrohen në mjediset e Universitetit “Goce Dellçev” (UGD).
Kjo bëhet me qëllim që të zvogëlohet mundësia e kopjimit, dukuri kjo që çdo vit është gjithnjë e më e madhe.
Vitin e kaluar, në vend se në klasat e tyre, maturantët iu nënshtruan provimeve të maturës shtetërore në korridoret dhe sallat e sportit të shkollave.
Regjistrimi në fakultet
Që të mund të regjistrohen në fakultet, maturantët duhet të kalojnë provimin e maturës shtetërore, i cili është kusht për regjistrim në universitetet në Maqedoni. Regjistrimet në institucionet e arsimit të lartë në Maqedoni bëhen sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara nga vetë universitetet.
Si kriter bazë për pranim universitetet e marrin suksesin e provimit të maturës shtetërore, si dhe suksesin e përgjithshëm të arsimit të mesëm. Disa fakultete mund të zbatojnë provime shtesë për pranim ose testime praktike, sidomos ato në fushën e artit dhe ato të drejtimeve teknike.
Universitetet në Maqedoni çdo vit shpallin konkurs për pranim me të gjitha detajet për programet e disponueshme për studim, kuotat për pranimin e studentëve, kriteret për rangimin e kandidatëve dhe dokumentet e nevojshme për aplikim (diplomë e shkollës së mesme, dëftesa, vërtetim për marrjen e provimit të maturës shtetërore, etj.).
Konkurset shpallen në mjetet e informimit publik dhe në uebfaqet e universiteteve, zakonisht në qershor ose korrik para fillimit të vitit akademik.
Një koncept i ri për provimin e maturës shtetërore?
Në përgatitje e sipër është një koncept i ri për realizimin e provimit të maturës shtetërore. Sipas njoftimeve, provimi do të jetë ndryshe për nxënësit e arsimit të mesëm profesional dhe për gjimnazet, pra nuk do të jetë i unifikuar siç është tani.
Ndërkohë, është përmendur shumë herë edhe ideja e blerjes së bllokuesve që do të vendoseshin nëpër klasa dhe që do ta pamundësonin kopjimin, por Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk mund t’i blejë këto pajisje për momentin sepse ato janë shumë të kushtueshme.
Nota mesatare e arritur nga nxënësit e shkollave të mesme në provimin e maturës shtetërore vitin e kaluar shkollor ishte 3,25, që është më e ulët se ajo në dy vitet e mëparshme. Në vitin 2023 nota mesatare ishte 3,65, ndërsa në vitin 2022 – 3,78. Kjo, sipas Qendrës Shtetërore të Provimeve si institucion kompetent për zbatimin e procesit, është rezultat i masave më të rrepta gjatë provimit që janë ndërmarrë këtë herë.
Drejtoresha e Qendrës Shtetërore të Provimeve, Biljana Mihajllovska, atëkohë për Meta.mk informoi se 49 nxënës janë kapur duke e përdorur celularin gjatë zgjidhjes së testeve, ndërsa 4 nxënës janë kapur duke kopjuar zgjidhje të bazuara në përgjigjet e marra paraprakisht në pyetjet e parashtruara.
Gjatë vlerësimit të testeve, vlerësuesit kanë zbuluar 175 nxënës që kanë kopjuar në teste, si dhe 22 plagjiatura. 268 nxënësve u është shqiptuar masa e anulimit të provimeve të tyre.