OBSH: 5 milionë vdekje në të gjithë botën mund të parandalohen nga aktiviteti fizik

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vlerëson se rreth 5 milionë vdekje në vit mund të parandalohen plotësisht me aktivitet fizik të rregullt dhe të shtuar. Sipas Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), ekziston një prevalencë e lartë e inaktivitetit midis 30 përqind të të rriturve dhe 80 përqind të adoleshentëve në mbarë botën, transmeton Portalb.mk. “Ushtrimet […]

maj 9, 2025 - 19:00
 0  3
OBSH: 5 milionë vdekje në të gjithë botën mund të parandalohen nga aktiviteti fizik
Foto nga Jonathan Borba / Unsplash

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vlerëson se rreth 5 milionë vdekje në vit mund të parandalohen plotësisht me aktivitet fizik të rregullt dhe të shtuar. Sipas Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), ekziston një prevalencë e lartë e inaktivitetit midis 30 përqind të të rriturve dhe 80 përqind të adoleshentëve në mbarë botën, transmeton Portalb.mk.

“Ushtrimet fizike kanë një ndikim të rëndësishëm në shëndetin e zemrës, trupit dhe mendjes sonë, duke kontribuar në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, kancerit dhe diabetit, duke zvogëluar simptomat e depresionit dhe ankthit, si dhe duke siguruar rritjen dhe zhvillimin tek të rinjtë. Megjithatë, 1 në 4 të rritur nuk i përmbushin nivelet e rekomanduara të aktivitetit fizik”, thuhet në raportin e ISHP-së.

Aty thuhet se inaktiviteti fizik shkakton po aq shumë vdekje sa pirja e duhanit çdo vit, në mbarë botën.

“Është koha për të ndryshuar fokusin e promovimit të aktivitetit fizik: në vend që të synohen individët joaktivë, është koha për ta drejtuar të gjithë popullsinë më shumë drejt lëvizjes. Është e domosdoshme të merret në konsideratë konteksti në të cilin zhvillohet aktiviteti fizik dhe nëse ai praktikohet si domosdoshmëri apo si zgjedhje”, thuhet në raportin e ISHP-së.

Kujtojmë se në mars të këtij viti, Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) doli me një sërë propozimesh për shkak të të dhënave që tregojnë se rritja e konsumit të ushqimeve të përpunuara, reklamat agresive dhe aktiviteti i ulët fizik kontribuojnë në krizën në rritje. Obeziteti po bëhet një problem në rritje mes popullatës dhe ekspertët paralajmërojnë se përpjekjet e bëra deri tani nuk janë të mjaftueshme.