Osmani: Nuk është “Ligj për përfaqësim të drejtë”, por “Ligj për majorizimin e meritokracisë”

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka reaguar ashpër ndaj propozimit për ligjin e ri për përfaqësim të drejtë në administratë. Ai ka dekalruar se ky ligj rrezikon të institucionalizojë një formë të re të majorizimit përmes parimit të meritokracisë. Sipas Osmanit, vendosja e “meritës” si kriter primar, pa mekanizma të fortë garantues për […]

Prill 9, 2026 - 22:00
Osmani: Nuk është “Ligj për përfaqësim të drejtë”, por “Ligj për majorizimin e meritokracisë”

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka reaguar ashpër ndaj propozimit për ligjin e ri për përfaqësim të drejtë në administratë.

Ai ka dekalruar se ky ligj rrezikon të institucionalizojë një formë të re të majorizimit përmes parimit të meritokracisë.

Sipas Osmanit, vendosja e “meritës” si kriter primar, pa mekanizma të fortë garantues për përfaqësimin e drejtë të komuniteteve joshumicë, përbën një kthim prapa në praktikat e së kaluarës, kur përfaqësimi ishte i pabalancuar dhe i kontrolluar nga shumica.

Reagimi i plotë:

Pse “Ligji i ri për majorizim” nuk guxon të kalojë në Kuvend

Vendosja e sistemit të “meritës” si kriter primar, pa mekanizma të fortë që garantojnë përfaqësim të drejtë për komunitetet joshumicë (jo vetëm për shqiptarët), na kthen prapa në kohën kur kishim një realitet të institucionalizuar të “majorizimit përmes meritokracisë”.

Pyetja është: si arriti OBRM-PDUKM t’ia “hedh” këtë mangësi Vlen-it?

Mbrojtja nga majorizimi nënkupton ekzistencën e një mekanizmi (siç ishte Balancuesi) që i pamundëson komunitetit shumicë të përdorë në mënyrë të shtrembëruar parimin e meritokracisë për të favorizuar veten në punësime.

Kur në një ligj i jepet përparësi ekskluzive asaj që quhet “kriter primar” kompetencës, profesionalizmit, poenave, ndërsa përfaqësimi i drejtë lihet si “kriter sekondar”, atëherë majorizimi legalizohet ligjërisht.

Ligji e thotë qartë: vetëm në rastet kur kandidatët kanë numër të barabartë pikësh, atëherë aktivizohet “kriteri sekondar”, që supozohet të mbrojë komunitetet e nën-përfaqësuara.

Çfarë do të thotë kjo në praktikë? Komisionet e përzgjedhjes, ku zakonisht dominon komuniteti shumicë, duhet vetëm t’i sigurojnë një pikë më shumë kandidatit të preferuar, dhe mekanizmi i mbrojtjes bie automatikisht.

Prandaj, emërtimi real i këtij ligji nuk është “Ligj për përfaqësim të drejtë”, por “Ligj për majorizimin e meritokracisë”.