Osmani pas mbledhjes së kryesisë së BDI-së: Marrim thirrje nga qytetarë maqedonas që thonë “ç’është kjo çmenduri”
Kryesia qendrore e Bashkimit Demokratik për Integrime (BDI) gjatë ditës së sotme mbajtën mbledhje në Tetovë, ku diskutuan për hapat e mëtejshëm që do t’i ndërmarrin për Ligjin e Gjuhëve. Bujar Osmani tha se kjo iniciativë, siç e quan ai, për mbrojtjen e gjuhës shqipe, është mbipartiake dhe mbietnike dhe se i janë bashkuar edhe […]
Kryesia qendrore e Bashkimit Demokratik për Integrime (BDI) gjatë ditës së sotme mbajtën mbledhje në Tetovë, ku diskutuan për hapat e mëtejshëm që do t’i ndërmarrin për Ligjin e Gjuhëve. Bujar Osmani tha se kjo iniciativë, siç e quan ai, për mbrojtjen e gjuhës shqipe, është mbipartiake dhe mbietnike dhe se i janë bashkuar edhe persona që nuk janë të përfshirë në politikë, transmeton Portalb.mk.
“Kjo kauzë nuk është e BDI-së, është e çdo njeriu të vullnetit të mirë, shqiptar apo maqedon. Ne po marrim thirrje nga një numër i madh i qytetarëve maqedonas që thonë ç’është kjo çmenduri. Kush janë këta njerëz që mendojnë se në vitin 2024 do të vijnë do të demontojnë Marrëveshjen paqësore të vitit 2001, prandaj “Roja e Gjuhës” është diçka mbi BDI-në, mbi Frontin Evropian, është zëri i arsyes për të ruajtur të ardhmen e përbashkët të këtij shteti”, tha Osmani.
Nga BDI-ja përmes një komunikate njoftuan shkurt se liderët e Frontit Evropian do t’i bashkohen nismës.
“Ju njoftojmë se liderët e partive politike të Frontit Evropian, pas mbledhjes urgjente të koordinimit të mbajtur në Tetovë, do t’i bashkohen sot “Rojës së Gjuhës” për të përkrahur mbrojtësit e ligjit dhe të barazisë”, thonë nga BDI.
Nga ana tjetër liderët e VLEN-it, sot gjithashtu kanë mbajtur takim koordinues ku kanë diskutuar për ngjarjet e fundit politike. Ata kërkuan që qytetarët të jenë të qetë dhe thanë se “gjuha shqipe nuk do të preket”.
“Shqiptarët le të rrinë të qetë. Gjuha shqipe do të mbrohet. Truket e BDI-së për t’u paraqitur në mënyrë të rreme si shpëtimtarë të problemeve të vetëshkaktuara nuk kalojnë. Ata morën karton të verdhë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, tani është koha për kartonin e kuq. Kjo parti së pari miratoi Ligj për gjuhët me anomali. Së dyti, e dërguan ligjin në Komisionin e Venecias, i cili e kontestoi ligjshmërinë e tri neneve kyçe. Së treti, pasi kuptuan që do të jenë në opozitë, përmes instalimeve në Gjykatën Kushtetuese dëshiruan të shkaktojnë tensione ndëretnike për të shmangur përgjegjësinë për ish-funksionarët e tyre të korruptuar. Dhe tani, me tenda duan të paraqiten si shpëtimtarë të gjuhës shqipe”, thanë nga VLEN.
Kujtojmë se dje, përpara objektit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut Fronti Evropian bashkë me një turmë qytetarësh prezantoi nismën “Roja për Gjuhën” ku do të qëndrojnë para Gjykatës Kushtetuese ditë dhe natë, me shatorë e karrige. Kjo vjen si formë proteste ndaj seancës së Gjykatës Kushtetuese e cila më 11 dhjetor pritet të vendosë për disa dispozita të Ligjit të Gjuhëve.
Lënda e Ligjit për Gjuhët u formua nga 13 nisma nga qytetarë, parti dhe shoqata të ndryshme në vitin 2019, por u aktivizua këtë vjeshtë, pas vërejtjeve të Komisionit të Venecias.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve, në procedurë kuvendore ka hyrë më 5 shtator të vitit 2017-të, ndërkaq në fuqi ka hyrë në janar të vitit 2019-të.
Shtatë vjet pas miratimit të Ligjit të gjuhëve në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë, në Gjykatën Kushtetuese më 11 dhjetori do të vendoset shfuqizimi i plotë ose i pjesshëm i këtij ligji.