Raportohet se Kushtetuesja as nuk do ta shfuqizojë dhe as nuk do ta ndalë zbatimin e Ligjit të gjuhëve
“Gjykata nuk duhet të inicojë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve”. Ky është rekomandimi në referatin e gjyqtarit raportues, në të cilin “360 Gradë” ka pasur qasje, lidhur me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve që ka hyrë në fuqi në vitin 2019 dhe për të cilin Gjykata Kushtetuese do të […]
“Gjykata nuk duhet të inicojë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve”. Ky është rekomandimi në referatin e gjyqtarit raportues, në të cilin “360 Gradë” ka pasur qasje, lidhur me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve që ka hyrë në fuqi në vitin 2019 dhe për të cilin Gjykata Kushtetuese do të vendosë të mërkurën, transmeton Portalb.mk.
Sipas abstraktit, i cili është përgatitur nga një gjyqtar kushtetues, nuk do të fillojë procedurë, sepse Ligji për përdorimin e gjuhëve bazohet në Kushtetutë.
“Përmbajtja e Ligjit të kontestuar për përdorimin e gjuhëve në tërësi ka bazën dhe arsyetimin e vet kushtetues në Amendamentin V të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Prandaj, besojmë se kushtetutshmëria e tij nuk mund të vihet në pikëpyetje as me këtë amendament, as me nenin 51 paragrafët 1 dhe 2, nenin 8 paragrafi 1, siç thuhet në nismë”, thuhet në dokument.
Kjo do të thotë se të mërkurën nuk do të ketë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit në tërësi.
Ajo për të cilën propozohet të fillojë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë janë formulime të përgjithshme në disa nene të ligjit, si dhe dy dispozita specifike – për simbolet në para dhe për zhvillimin e proceseve gjyqësore. Nenet apo pjesët e neneve për të cilat propozohet nisja e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë janë gjithashtu pjesë e vërejtjeve të Komisionit të Venecias në opinionin e tij për ligjin e vitit 2019.
Nga BDI-ja, të cilët tani po bëjnë “roje” para Gjykatës Kushtetuese, para miratimit të ligjit, pohuan se janë pajtuar që në të të inkorporohen komentet e Komisionit të Venecias.
Tekstin e plotë të 360 Gradë mund ta lexoni KËTU.
Lënda e Ligjit për Gjuhët u formua nga 13 nisma nga qytetarë, parti dhe shoqata të ndryshme në vitin 2019, por u aktivizua këtë vjeshtë, pas vërejtjeve të Komisionit të Venecias.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve, në procedurë kuvendore ka hyrë më 5 shtator të vitit 2017-të, ndërkaq në fuqi ka hyrë në janar të vitit 2019-të.
Shtatë vjet pas miratimit të Ligjit të gjuhëve në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë, në Gjykatën Kushtetuese më 11 dhjetori do të vendoset shfuqizimi i plotë ose i pjesshëm i këtij ligji.