Osmani uron Prebrezën për fitoren në Fushë Kosovë
Besnik Osmani i LDK-së, i cili ishte në garë për të parin e Fushë Kosovës, ka uruar fituesit e zgjedhjeve në balotazhin e 9 nëntorit, duke përfshirë këtu edhe kundërkandidatin e tij nga VV, Valon Prebrezën. Përmes një postimi në Facebook, Osmani falënderoi çdo qytetarë që e përkrahu atë në rundin e dytë të zgjedhjeve


Besnik Osmani i LDK-së, i cili ishte në garë për të parin e Fushë Kosovës, ka uruar fituesit e zgjedhjeve në balotazhin e 9 nëntorit, duke përfshirë këtu edhe kundërkandidatin e tij nga VV, Valon Prebrezën.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani falënderoi çdo qytetarë që e përkrahu atë në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
“Nga zemra ju falënderoj secilin prej jush që më qëndroi pranë në këtë rrugëtim të bukur e plot emocione. Kjo garë ishte më shumë se një proces zgjedhor – ishte një udhëtim bashkë me njerëzit që duan përparim dhe më shumë dashuri për komunën tonë”.
“Edhe pse nuk arrita të fitoj për ta udhëhequr Fushë Kosovën, ndihem thellësisht mirënjohës për përkrahjen, besimin dhe përkushtimin tuaj të sinqertë. Jam krenar për çdo aktivist, çdo familje dhe çdo qytetar që kontribuoi me shpirt e zemër. Uroj me sinqeritet fituesit e zgjedhjeve – me dëshirën që të punojnë me ndershmëri, përkushtim dhe rezultate që do t’i ndiejnë qytetarët në përditshmërinë e tyre”, ka shkruar Osmani.
