Paga e 13-të dhe çmimi i naftës, hidhet poshtë kërkesa e Mustafës që në rend dite në Komision të ketë pika shtesë
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, në Komisionin për Buxhet ka kërkuar që në rendin e ditës të shtohen edhe tri pika shtesë, përfshirë diskutimin për pagën e 13-të dhe çmimet e derivateve të naftës. Por, këto pika nuk u futën ne rend dite, pasi me tre vota për, asnjë kundër dhe pesë


Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, në Komisionin për Buxhet ka kërkuar që në rendin e ditës të shtohen edhe tri pika shtesë, përfshirë diskutimin për pagën e 13-të dhe çmimet e derivateve të naftës.
Por, këto pika nuk u futën ne rend dite, pasi me tre vota për, asnjë kundër dhe pesë abstenime, kjo kërkesë u hodh poshtë.
Ndërsa, Mustafa tha se kjo kërkesë vjen pasi i pranishëm në mbledhjen e Komisionit, do të jetë edhe ministri i Financave, Hekuran Murati.
“Edhe javën e kaluar edhe këtë javë kemi ftuar dy takime me urgjencë, pra 24 orë nga ftesa e takimit në takim, që është parimisht në rregull kur ka raste e situata emergjente, jam dakord.Por edhe të premten që fatkeqësisht nuk arrita të jem në takim, por edhe sot shpresova që do të shoh disa pika, veçanërisht një që mendoj që është me urgjencë në këtë situatë ekonomike.
Prandaj desha edhe të propozoj tri pika në rend të ditës, pasi që e kemi… po shfrytëzoj rastin pasi që e kemi Ministrin e Financave prezent. Nëse më lejoni të propozoj: Pika e parë: Është çështja e çmimeve të naftës dhe të energjisë, të cilat kanë një reflektim pastaj edhe tek çmimet e të gjitha produkteve të tjera dhe tek vështirësimi i standardit të jetesës së qytetarëve të Kosovës. Pra thjesht kërkojmë një raportim nga Ministri i Financave se çka ka bërë deri tash Qeveria e Kosovës ose çka po planifikon që të bëjë për të mbrojtur dhe për të përkrahur qytetarët e Kosovës ndaj këtyre çmimeve. Pika e dytë: Është çështja e pagave të 13-ta të RTK-së. Kemi raporte nga vetë zyrtarët e RTK-së që një gjë e tillë nuk është realizuar për ta. Thjesht një raportim nga ana e Ministrit, pse qëndron kjo dhe a ka ndonjë plan për të përmirësuar këtë për RTK-në, për pagën e 13-të për RTK-në. Pika e tretë: Po ashtu, në media kemi parë edhe raportime se po ashtu sektori shëndetësor nuk ka pranuar, ose në masë të madhe ose në tërësi, pagën e 13-të. Pra, një raportim nga Ministri i Financave, a qëndron kjo, nëse po pse, dhe çka do të bëjë Ministria e Financave për të rregulluar këtë çështje”, tha Mustafa.
Ndërsa, kryetari i Komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Enver Haliti fillimisht tha se këto pika mund të diskutohen në seancën që LDK ka thirrur për të premten.
“Në bazë të praktikës kur ftohen mbledhje të jashtëzakonshme është e paracaktuar rendi i ditës dhe sipas praktikave nuk lejohet që të përfshihen pikat e tjera të diskutimit.
Unë me sa jam i njoftuar, Lidhja Demokratike e Kosovës ka ftuar një seancë për të premten që prekin këto pika që ju po kërkoni që të futen në rend dite të mbledhjes së komisionit. Kështu që unë mendoj që është mjaftueshëm hapësirë për ju si deputetë, por edhe për të gjithë partitë politike që përfaqësohen në Kuvend, që të premten në seancë të Kuvendit të debatohen dhe të shtrohen pyetjet për secilën nga këto tema që i ngrite ju sot në komision. Kështu që me mirëkuptimin tuaj, nuk po i hedhim fare në votim për shkak se besoj të premten, pasnesër, do të jepet mundësia që të merrni përgjigje jo vetëm nga ministri i Financave, por edhe nga kryeministri dhe nga të gjithë dikasteret të tjerë që përmendët ju në kërkesat që keni për këtë rend dite”, tha Haliti.
