Paga minimale në Kosovë: Drejt dinjitetit në punë apo përballë realitetit ekonomik?

Paga minimale është një nga instrumentet më të rëndësishme të politikës sociale dhe ekonomike. Ajo përcakton kufirin më të ulët të kompensimit që një punëtor mund të marrë për punën e tij, duke synuar një jetesë dinjitoze dhe mbrojtjen nga shfrytëzimi. Në Kosovë, ku papunësia dhe informaliteti janë ende të larta, paga minimale mbetet më

tetor 30, 2025 - 17:30
 0
Paga minimale në Kosovë: Drejt dinjitetit në punë apo përballë realitetit ekonomik?
Paga minimale në Kosovë: Drejt dinjitetit në punë apo përballë realitetit ekonomik?

Paga minimale në Kosovë: Drejt dinjitetit në punë apo përballë realitetit ekonomik?

Paga minimale është një nga instrumentet më të rëndësishme të politikës sociale dhe ekonomike. Ajo përcakton kufirin më të ulët të kompensimit që një punëtor mund të marrë për punën e tij, duke synuar një jetesë dinjitoze dhe mbrojtjen nga shfrytëzimi. Në Kosovë, ku papunësia dhe informaliteti janë ende të larta, paga minimale mbetet më shumë çështje e drejtësisë shoqërore sesa thjesht një instrument ekonomik.

Koncepti i pagës minimale daton që nga shekulli XIV, kur në Angli, pas murtajës që uli ndjeshëm numrin e punëtorëve, u miratua Statuti i Punëtorëve nga mbreti Eduard i Tretë për të kufizuar pagat dhe mbrojtur shtresat e varfra. Në shekullin XIX, me revolucionin industrial dhe politikat e tregut të lirë, pabarazitë u thelluan, çka nxit ekonomistë si David Ricardo dhe John Stuart Mill të argumentonin për nevojën e një page minimale që të siguronte jetesën bazike. Shekulli XX e bëri pagën minimale standard ligjor: Zelanda e Re, Australia dhe më pas SHBA e përfshinë në politikat e tyre ekonomike, ndërsa presidenti Franklin D. Roosevelt theksoi se “asnjë biznes nuk ka të drejtë të ekzistojë nëse i paguan punëtorët më pak se ç’nevojitet për jetesën e tyre”.

Sot, mbi 90% e vendeve në botë kanë paga minimale të përcaktuara me ligj. Në Bashkimin Evropian, 21 nga 27 shtetet anëtare e kanë të institucionalizuar këtë mekanizëm. Sipas të dhënave për vitin 2024, paga minimale më e ulët në BE është në Bullgari me 477 euro, ndërsa më e larta në Luksemburg me 2,387 euro. Vendet si Suedia, Finlanda dhe Danimarka nuk kanë ligje për pagë minimale, por e përcaktojnë përmes marrëveshjeve kolektive mes sindikatave dhe punëdhënësve, duke reflektuar një dialog social të qëndrueshëm.

Në Kosovë, paga minimale u vendos për herë të parë në vitin 2011 me dy nivele diskriminuese sipas moshës: 130 dhe 170 euro. Vetëm në prill 2022 ajo u rrit në 264 euro bruto, ndërsa në shtator 2024 u bë rritja e fundit, duke e unifikuar pagën minimale në 300 euro bruto për të gjithë punëtorët, pa dallim moshe apo statusi. Edhe pse ky është një hap pozitiv, vlera mbetet shumë larg kostos reale të jetesës, e cila sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) dhe Bankës Botërore tejkalon 1,000 euro në muaj për një familje mesatare. Kështu, paga minimale aktuale mbulon më pak se një të tretën e nevojave bazike për jetesë në vend.

Ligji parashikon që paga minimale të përcaktohet nga Këshilli Ekonomiko-Social (KES), një trup tripalësh me përfaqësues nga qeveria, sindikatat dhe punëdhënësit. Por në praktikë, ky mekanizëm ka qenë jofunksional për më shumë se pesë vjet. Arsyeja qëndron në kufizimin ligjor të përfaqësimit: sipas Ligjit Nr. 04/L-008 për Këshillin Ekonomiko-Social, vetëm konfederatat sindikale dhe organizatat e punëdhënësve që përfaqësojnë së paku 10% të punëtorëve ose punëdhënësve në Kosovë mund të jenë anëtare të Këshillit. Në një vend ku mbi 95% e bizneseve janë të vogla dhe të mesme, ky kriter praktikisht e përjashton sektorin privat nga përfaqësimi real. Si pasojë, në Kosovë mungojnë sindikatat e sektorit privat dhe dialogu social dominohet nga përfaqësues të sektorit publik, duke e bërë procesin e vendimmarrjes të pjesshëm dhe të kufizuar.

Raportet e fundit e theksojnë këtë boshllëk institucional. Sipas Iniciativës Kosovare për Stabilitet (IKS), në publikimin “Kushtet e Punës në Zonat Industriale në Kosovë” (2023), në shumë zona industriale dhe në sektorë si gastronomia dhe ndërtimtaria, mbi 60% e punëtorëve punojnë pa kontrata të rregullta. Po sipas të dhënave të IKS, 56% e punëtorëve në sektorin privat punojnë shtatë ditë në javë, shpesh me orar të zgjatur dhe pa sigurime shëndetësore. Raporti tjetër i IKS “Monitorimi i Zbatimit të Ligjit të Punës në Kosovë” (2022) tregon se mungesa e inspektimeve dhe kontratat afatshkurtra kanë krijuar një treg pune të brishtë dhe të pasigurt.

Në të njëjtën linjë, Raporti i Organizatës Ndërkombëtare të Punës dhe Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për Tregun e Punës në Kosovë (2023) vlerëson se rreth 33% e punëtorëve në Kosovë punojnë pa kontrata formale. Ndërkohë, Inspektorati i Punës ka vetëm rreth 70 inspektorë aktivë për të mbikëqyrur afro 300 mijë punëtorë në sektorin privat. Kjo e bën pothuajse të pamundur monitorimin efektiv të zbatimit të ligjeve të punës dhe garantimin e pagës minimale. Në raportet e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (2024) theksohet se sektorët më të rrezikuar nga informaliteti dhe pagat nën minimum janë ndërtimtaria, prodhimi dhe tregtia me pakicë.

Debati mbi pagën minimale ndan ekonomistët. Disa mendojnë se një rritje e menjëhershme mund të rëndojë bizneset e vogla, ndërsa të tjerë argumentojnë se rritja graduale është e domosdoshme për të ulur varfërinë dhe për të nxitur konsumin. Analizat e IKS dhe të ekspertëve të tregut të punës sugjerojnë se një pagë minimale prej 350–400 euro, e shoqëruar me politika lehtësuese fiskale për bizneset, do të përmirësonte mirëqenien pa rritur papunësinë. Sindikatat kërkojnë që ajo të lidhet me koston reale të jetesës dhe të përditësohet çdo vit sipas inflacionit, si në vendet e BE-së.

Në fund, paga minimale në Kosovë nuk është vetëm një numër. Ajo është tregues i mënyrës se si shteti dhe shoqëria e trajtojnë punën dhe dinjitetin njerëzor. Një pagë që nuk mbulon nevojat elementare nuk mund të quhet minimale në kuptimin e plotë të fjalës. Prandaj, vendosja e një page minimale reale duhet të shihet si investim në kapitalin njerëzor dhe në stabilitetin e vendit, jo si barrë për bizneset. Vetëm përmes dialogut të mirëfilltë social, inspektimeve të rregullta dhe politikave që mbrojnë të punësuarit e sektorit privat, paga minimale mund të bëhet mjet i drejtësisë shoqërore dhe i zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm.

Autore: Brikena Hoxha
Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS)