Paraburgim për dy të dyshuar për djegien e një shtëpie pushimi në rajonin e Velesit, po kërkohet i dyshuari tretë
Prokuroria Themelore Publike e Velesit ka nisur një hetim kundër tre të dyshuarve – dy nga Prilepi dhe një person nga fshati Oreshe – për shkaktimin e zjarrit që dogji një shtëpi pushimi në fshatin Kapinovë, komuna Çashkë, transmeton Portalb.mk. Ngjarja ka ndodhur më 10 maj, kur të dyshuarit, kanë ardhur te shtëpia e pushimit […]


Prokuroria Themelore Publike e Velesit ka nisur një hetim kundër tre të dyshuarve – dy nga Prilepi dhe një person nga fshati Oreshe – për shkaktimin e zjarrit që dogji një shtëpi pushimi në fshatin Kapinovë, komuna Çashkë, transmeton Portalb.mk.
Ngjarja ka ndodhur më 10 maj, kur të dyshuarit, kanë ardhur te shtëpia e pushimit me një automjet me targa të Prilepit, kanë hyrë me forcë në objekt dhe qëllimisht kanë shkaktuar zjarr me një lëndë të djegshme. Në momentin e incidentit, pronarët nuk kanë qenë të pranishëm, por objekti është përfshirë plotësisht nga zjarri, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Nuk ka të lënduar.
Zjarri është shuar nga Njësia Territoriale e Zjarrfikësve të Velesit, ndërsa pas një hetimi të kryer nga Sektori i Punëve të Brendshme (SPB) Veles, në bashkëpunim me shërbimet kriminalistike të Byrosë për Siguri Publike (BSP) dhe SPB Prilep, është konstatuar se të dyshuarit janë: Gj.R. (56) nga Oresha, S.M. (40) dhe D.D. (37), të dy nga Prilepi.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, dy nga të dyshuarit, Gj,R. dhe D.D., janë arrestuar më 16 maj dhe janë mbajtur në stacionin policor, ndërsa po merren masa për të gjetur dhe arrestuar S.M., i cili është në arrati.
Prokurori publik i ka paraqitur gjykatës kompetente një propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të tre të dyshuarit. Për dy prej tyre, masa e paraburgimit ka hyrë menjëherë në fuqi, ndërsa për të dyshuarin e tretë do të zbatohet pas kapjes së tij.