Një defekt i madh la gjysmën e Maqedonisë pa energji elektrike, shumë vende janë ende pa rrymë
Një pjesë e madhe e Maqedonisë mbeti pa energji elektrike mëngjesin e sotëm për shkak të një ndërprerjeje të papritur të energjisë elektrike që filloi rreth orës 5 të mëngjesit. Qytetarë nga qytete dhe rajone të shumta, përfshirë Kërçovën, Prilepin, Manastirin, Ohrin, Shtipin, Strumicën, Koçanin, Krushevën, Shkupin, Gjevgjelinë dhe Kumanovën, kanë raportuar për ndërprerje të […]


Një pjesë e madhe e Maqedonisë mbeti pa energji elektrike mëngjesin e sotëm për shkak të një ndërprerjeje të papritur të energjisë elektrike që filloi rreth orës 5 të mëngjesit. Qytetarë nga qytete dhe rajone të shumta, përfshirë Kërçovën, Prilepin, Manastirin, Ohrin, Shtipin, Strumicën, Koçanin, Krushevën, Shkupin, Gjevgjelinë dhe Kumanovën, kanë raportuar për ndërprerje të rrymës përmes rrjeteve sociale, transmeton Portalb.mk.
Në disa lagje të Shkupit energjia elektrike erdhi rreth orës 6 të mëngjesit, dhe në rajone të tjera rreth orës 7 të mëngjesit, por në shumë vende furnizimi me energji elektrike ende nuk është normalizuar.
Qytetarët që arritën të kontaktojnë qendrën e kontaktit të EVN-së thonë se u është thënë se bëhet fjalë për një defekt të madh.
Nga SHA MEPSO kanë thënë se konsumi i ulët i energjisë elektrike gjatë fundjavës është arsyeja e ndërprerjes së energjisë elektrike.
Ata shtuan se ka tensione të larta në rrjet në të gjithë rajonin, të cilat ndikuan edhe në sistemin tonë dhe çuan në një ndërprerje.
“Sot në orët e para të mëngjesit, ndodhi një defekt dhe ndërprerje afatshkurtër në rrjetin e transmetimit 110 kV. Arsyeja për këtë ndërprerje janë tensionet e larta në rrjetin 400 kV në të gjithë rajonin, të cilat ndikuan në sistemin tonë dhe shkaktuan ndërprerje afatshkurtër të transformatorëve të fuqisë 400/110 kV në stacionet e transformatorëve. Ky është një problem rajonal dhe evropian me të cilin përballen pothuajse të gjithë operatorët e sistemit të transmetimit për shkak të tranzitit dhe konsumit të ulët të energjisë elektrike gjatë orëve të natës dhe fundjavave gjatë kësaj periudhe të vitit”, njoftoi MEPSO.
Më tej kanë shtuar se, po vazhdojnë punimet për stabilizimin e plotë të sistemit ndërsa paralelisht realizohen investime të reja në bashkëpunim me operatorët fqinjë me qëllim forcimin e qëndrueshmërisë së rrjetit.
“MEPSO njofton po ndjek me vigjilencë situatën dhe vazhdon koordinimin e ngushtë me sistemet transmetuese të rajonit për të garantuar siguri dhe stabilitet të furnizimit me energji për qytetarët”, theksuan nga kjo kompani.