Paraburgim për të gjithë 16 të dyshuarit dhe bastisje në Komunën e Koçanit, Bekteshi dhe Trajkovski përfunduan në Shutkë

Ish-ministri i Ekonomisë Kreshnik Bektesi, ish-drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut Goran Trajkovski dhe 14 të dyshuar të tjerë janë në paraburgim prej 48 orësh për zjarrin në diskotekën “Pulse” në Koçan, transmeton Portalb.mk. “Ekipi i prokurorit i ngarkuar për veprimet në kuadër të hetimeve paraprake për aksidentin në Koçan po vazhdon veprimet. Edhe gjatë […]

Mars 18, 2025 - 18:00
 0  3
Paraburgim për të gjithë 16 të dyshuarit dhe bastisje në Komunën e Koçanit, Bekteshi dhe Trajkovski përfunduan në Shutkë
Paraburgim për ish-ministrin Kreshnik Bekteshin (Pamje nga Telma)

Ish-ministri i Ekonomisë Kreshnik Bektesi, ish-drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut Goran Trajkovski dhe 14 të dyshuar të tjerë janë në paraburgim prej 48 orësh për zjarrin në diskotekën “Pulse” në Koçan, transmeton Portalb.mk.

“Ekipi i prokurorit i ngarkuar për veprimet në kuadër të hetimeve paraprake për aksidentin në Koçan po vazhdon veprimet. Edhe gjatë ditës së sotme, prokurori publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ljupço Kocevski, është duke koordinuar aktivitetet në Koçan. Nga provat e siguruara po shqyrtohet roli i 16 personave për të cilët prokuroria ka kërkuar dhe është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Bastisje sot është kryer edhe në hapësirat e Komunës së Koçanit. Prokuroria Themelore Publike e Koçanit sot pasdite do të dorëzojë në gjykatën kompetente propozim për caktimin e paraburgimit afatshkurtër për një person tjetër”, thonë nga Prokuroria.

Gjykata e Koçanit thotë se po vepron sipas sugjerimeve të Prokurorisë, në lidhje me zjarrin në “Puls” të Koçanit, ku 59 persona humbën jetën dhe 155 u lënduan.

Ljupço Kocevski dje ka njoftuar se në lidhje me aksidentin në klubin e natës “Pulse” në Koçan, po punohet për ndjekjen e menjëhershme të 14 të dyshuarve.Ai bëri me dije se dyshohen për “krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” nga neni 292 i Kodit Penal me dënim me burg prej të paktën tre vjet pa kufi të sipërm, i cili mund të shkojë deri në 20 vjet. Njëkohësisht ai tha se po hetohen aktet e marrjes dhe dhënies së ryshfetit si dhe prokurimi i paligjshëm i mjeteve piroteknike.

“Deri në këtë pikë janë duke u proceduar gjithsej 14 persona të siguruar me veprimet tona të deritanishme. Nga inspektimi i kryer mund të them se janë siguruar të gjitha faktet dhe provat e rëndësishme relevante në vendin e ngjarjes dhe vijojnë analizat shtesë dhe raportet e ekspertëve nga zona përkatëse”, tha Kocevski, duke shtuar se gjatë kësaj jave ka mundësi për fillimin e procedurës hetimore.

Bekteshi, Trajkovski dhe një person tjetër janë sjellë mbrëmë para gjykatës në Koçan. Pas marrjes në pyetje ata janë dërguar në Burgun e Paraburgimit Shkup. Së bashku me ta janë marrë edhe tre persona të tjerë. Të tjerët janë në repartin e paraburgimit në burgun e Kumanovës.

Paraprakisht është marrë në pyetje edhe kryetari i Komunës së Koçanit, Ljupço Papazov, i cili siç ka njoftuar Prokuroria do të merret vendim për statusin e tij të mëtutjeshëm në procedurë.

“Është bërë marrja në pyetje e kryetarit të komunës, i cili ka dhënë sqarime dhe informacione të caktuara. Një deklaratë e tillë krahasohet me materialin dëshmues dhe me kompetencat e komunës, pas së cilës do të vendoset për statusin e tij të mëtutjeshëm në procedurë”, njoftuan nga Prokuroria.

Në zjarrin e ndodhur më 16 mars kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa mbi 140 të lënduar janë trajtuar brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.