Rifilloi gjykimi për zjarrin në modular: U prezantuan video dëshmitë, të akuzuarit nuk ndjejnë faj
Në Gjykatën e Tetovës sot ka rifilluar gjykimi për zjarrin në spitalin modular të Tetovës ku vdiqën 14 persona. Të akuzuarit thanë se nuk ndjehen fajtorë, ndërkaq prokuroria ka paraqitur titujt e provave dhe prezantoi video dëshmitë, për të cialt pati kundërshtime nga avokatët. Është ndryshuar edhe gjykatësi i lëndës, shkruan Portalb.mk. Në gjykatë u […]


Në Gjykatën e Tetovës sot ka rifilluar gjykimi për zjarrin në spitalin modular të Tetovës ku vdiqën 14 persona. Të akuzuarit thanë se nuk ndjehen fajtorë, ndërkaq prokuroria ka paraqitur titujt e provave dhe prezantoi video dëshmitë, për të cialt pati kundërshtime nga avokatët. Është ndryshuar edhe gjykatësi i lëndës, shkruan Portalb.mk.
Në gjykatë u paraqitën të akuzuarit: Florin Besimi, Artan Etemi, përfaqësues të Spitalit të Tetovës, avokatët e të akuzuarve si dhe avokatët e familjarëve të dëmtuar.
Në ndërkohë është ndryshuar edhe gjykatësi i lëndës, nga shërbimet e gjykatës na njoftuan se gjykatësi paraprak Jordan Vellkovski nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe lëndët e tij janë shpërndarë te gjykatësit e tjerë, rasti i modularit i ka rënë gjyqtarit Rexhep Musa
Avokatët kërkuan që Prokuroria të precizojë lëndën, ndërkaq edhe që të ju dorëzohen dëshmitë elektronike, në mënyrë që mund të njihen me ata.
Avokatët e të akuzuarve kërkuan që gjykata të shtyjë seancën në mënyrë që mbrojtja t’i shqyrtojë dëshmitë e marra sot.
Megjithatë, gjykatësi vendosi që të njëjtat të prezantohen në seancën e sotme.
Florin Besimi, Artan Etemi dhe përfaqësuesit e Spitalit të Tetovës u deklaruan se nuk ndjejnë fajësi për rastin.
“Nuk ndjehem fajtor”, tha Florin Besimi.
“Nuk ndjehemi fajtorë”, tha përfaqësuesja e spitalit, Adile Rexhepi.
Etemi tha se nuk e kupton aktakuzën të gjithë sepse është në gjuhën maqedonase, në ndërkohë shërbimi për përkthim i gjykatës ja përktheu gjatë seancës.
“Gjatë përkthimit të akuzës nga ana e përkthyesit, nuk dua ta akuzoj, kishte përkthim bukfal që nuk mundja ta kuptoj, veç se i kuptoja gjërat bukfale: të vdekur, gaz, aparate kundër zjarrit e kështu me radhë, këto gjëra më kthyen tre vite e gjysmë pas, ku nga thirrja e një personeli nga Klinika e Teto ës për tre minuta kam qenë te vendi i ngjarjes… Veçanërisht kur e kam parë dokumentarin e IRL-së jam i bindur se nuk jam fajtor”, tha Etemi.
Gjatë seancës u hapën dëshmitë e listuara nga Gjykata e Shkallës së dytë.
Për disa orë u prezantuan video-pamje nga objekti i djegur i spitalit modular pas tragjedisë, kohën kur ka shpërthyer zjarri, nga pamjet e video kamerave pak minuta më vonë pas shpërthimit të zjarrit dukej edhe Artan Etemi i cili tentonte të ndihmojë në shuarjen e zjarrit.
U prezantua edhe një material ku tregoheshin hapësirat brenda sipitalit modular të incizuara paraprakisht nga një kronikë televizive 01.09.2021.
Mbrojtja insistoi që ti marrin dëshmitë që t’i shqyrtojnë vetë materialet.
Seanca e sotme zgjati nga ora 10:00 deri më 15:30, e njëjta u ndërpre, për të vazhduar më 3 prill në ora 10:00.
Seancën tjetër pritet të prezantohen dëshmitë e dhëna nga dëshmitarët.
Rasti rigjykohet pasi Gjykata e Apelit të Gostivarit e ka kthyer lëndën në Gjykatën Themelore në Tetovë. Megjithatë, të akuzuarit nuk akuzohen për shkaqet e zjarrit por për vepra tjera penale.
Besimi dhe Etemi, akuzohen për veprën penale “Krime të rënda kundër sigurisë publike”, ndërsa ISHP Spitali Klinik i Tetovës për veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Deri më tani seancat e rigjykimit janë anuluar katër herë.
Më 15 janar 2025 seanca u anulua pasi gjykatësi Jordan Vellkovski ishte në pushim mjekësor.
Më 5 nëntor 2024 seanca u shty për shkak të mungesës së gjyqtarit Jordan Vellkovski.
Më 25 shtator 2024 seanca nuk u mbajt për shkak të mungesës së avokatit të njërit prej të akuzuarve.
Më 26 qershor 2024 seanca u shty për shkak të mungesës së përfaqësuesve të Spitalit Klinik të Tetovës.
Pse erdhi deri te rigjykimi?
Pas gjykimit të parë në Gjykatën e Tetovës i cili përfundoi në qershor 2023, ku në bankën e të akuzuarve ishin ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës dhe ish drejtori ekonomik, mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit dhe Spitali i Tetovës, Gjykata e Apelit në Gostivar në maj 2024 vendosi që ta kthejë nga fillimi procedurën ndaj drejtorëve, pasi aktgjykimi i parë ka qenë i paqartë.
Prokuroria ka kërkuar që drejtorëve tu jepen dënime më të ashpra, ndërsa aktgjykimi lirues për mjekun të anulohet dhe lënda të kthehet në rigjykim.
Në rigjykim kthehet një pjesë e lëndës kundër dy ish drejtorëve të spitalit të Tetovës. Ndërsa aktgjykimin lirues për mjekun Boban Vuçevski e konfirmoi edhe Gjykata e Apelit në Gostivar.
Nga Gjykata e Apelit në aktgjykim kanë theksuar se Gjykata e Tetovës “nuk ka vepruar me kujdesin e duhur që të mund t’i vërtetojë me siguri të gjitha faktet juridike relevante”.
“Aktgjykimi është i paqartë, i pakuptueshëm dhe i papërshtatshëm për shqyrtim”, thuhet në atkgjykimin e Apelit.
Gjykimi i parë, jo për shkaqet e zjarrit
Në lidhje me zjarrin në modular pati një proces të gjatë gjyqësor me disa seanca, megjithatë askush nuk u thirr në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, por për vepra të tjera penale.
Me 1 vit e 6 muaj burg me kusht u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës dhe ish drejtori ekonomik, kjo domethënë se ata nuk do të burgosen nëse për 3 vjet nuk kryejnë vepër të re penale. Mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit u lirua nga akuza. Ndërkaq, Spitali i Tetovës mori dënim prej 1 milion denarësh.
Drejtorët u dënuan në shkallën e parë sepse në spitalin modular nuk ka pasur aparate për fikjen e zjarrit, ndërsa mjeku u lirua nga përgjegjësia sepse në spitalin për Kovid-19 kishte futur njerëz nga jashtë.
Prokuroria ngriti aktakuzë për shkak se nuk ka pasur aparate për shuarjen e zjarrit, por jo edhe për shkaqet e zjarrit.
Për mos thirrjen në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, Portalb.mk ka raportuar vazhdimisht.
Asgjë të re nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion
Ende nuk ka vendim nga Prokuroria Publike për hetimin e dytë i cili zhvillohet për zjarrin në spitalin modular, pavarësisht se ka kaluar më shumë se një vjet që kur në gusht 2023 deklaruan se Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është duke zhvilluar hetim tjetër për këtë tragjedi. Ky rast sipas Prokurorisë është në fazën e para marrjes së vendimit. Ndërkaq nga Prokuroria në dhjetor 2024 njoftuan se ende nuk kanë arritur të sigurojnë dokumentacionin shtesë.
Dokumentari i IRL-së, nxori në pah “të palarat”
Dokumentari “Vrasje në Tetovë”, të cilin IRL e publikoi në gusht 2023 tregon për një sërë lëshimesh gjatë ndërtimit të spitalit modular që sollën deri tek shpërthimi i zjarrit, edhe pse autoritetet u përpoqën ta përshkruajnë atë si një aksident të shkaktuar nga një lidhje e shkurtër e kabllos vazhduese.
Lëshime u konstatuan edhe në specifikimin teknik, në ndërtim, por edhe më pas në hetim. Në vend se si ndërtim, spitali është evidentuar si pajisje urbane, për të cilën nuk ka nevojë të respektohet ligji për ndërtim.
Shumë protesta për drejtësi
Në lidhje me mos sjelljen e drejtësisë për zjarrin e modularit dhe pas dokumentarit të IRL-së, familjarët dhe qytetarët kanë organizuar disa protesta.
Në protesta u kërkua të hapet procesi gjyqësor për shkaqet e zjarrit, rishqyrtim dhe shqyrtim të vendimeve nga hetimi paraprak në Gjykatën e Tetovës.
Familjarët e viktimave janë shprehur se nëse rasti përfundon këtu, do të shkojnë edhe në Gjykatën e Strazburgut apo e njohur ndryshe si Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Çfarë ndodhi?
Me 8 shtator 2021 në spitalin modular të Tetovës ku trajtoheshin pacientët me Kovid-19 ra një Zjarri i tmerrshëm dhe që mori me vete 14 jetë të pacientëve, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht.