Parandalohet tragjedia në një shkollë në Oklahoma, drejtori përballet me sulmuesin

Është parandaluar një tragjedi e mundshme në një shkollë të mesme në Oklahoma, ku drejtori i institucionit u përball me një person të armatosur. Ngjarja ndodhi më 7 prill në “Pauls Valley High School”, ku 20-vjeçari Victor Lee Hawkins hyri i armatosur me dy pistoleta gjysmëautomatike, duke terrorizuar personat që ndodheshin brenda. Daily Mail ka publikuar pamjet […]

Prill 15, 2026 - 15:00
Parandalohet tragjedia në një shkollë në Oklahoma, drejtori përballet me sulmuesin

Është parandaluar një tragjedi e mundshme në një shkollë të mesme në Oklahoma, ku drejtori i institucionit u përball me një person të armatosur.

Ngjarja ndodhi më 7 prill në “Pauls Valley High School”, ku 20-vjeçari Victor Lee Hawkins hyri i armatosur me dy pistoleta gjysmëautomatike, duke terrorizuar personat që ndodheshin brenda. Daily Mail ka publikuar pamjet e marra nga kamerat e sigurisë, ku i riu shihet duke tentuar të qëllojë me armë një nxënës, por arma u bllokua.

Pasi e rregulloi defektin, i riu qëlloi në drejtim të një tjetër adoleshenti, por pa e prekur plumbi. Pas kësaj nxënësit filluan të largoheshin nga vendngjarja.

Pamjet tregojnë se drejtori i shkollës, Kirk Moore, del me vrap nga një zyrë aty pranë dhe përballet me të armatosurin. Ai arrin ta neutralizojë duke e përplasur në tokë dhe duke i marrë armën nga duart, por gjatë përleshjes plagoset në këmbë.

Ndërkohë, një tjetër punonjës i shkollës ndërhyn menjëherë dhe arrin t’i largojë armën 20-vjeçarit, duke e vënë situatën nën kontroll.

Autoritetet bëjnë me dije se i dyshuari, ish-nxënës i shkollës, kishte deklaruar se shënjestra e tij ishte edhe drejtori i institucionit. Ai ndodhet tashmë në paraburgim dhe përballet me disa akuza të rënda, përfshirë tentativë vrasjeje.

Sakaq mësohet se drejtori është jashtë rrezikut për jetën dhe në proces shërimi, ndërsa është vlerësuar si hero nga komuniteti lokal për ndërhyrjen e tij që, sipas policisë, ka parandaluar një masakër të mundshme.