Partitë në RMV përplasen për çmimet e shtrenjta të vajit, vezëve, sheqerit, kaçkavallit dhe orizit

VMRO-DPMNE dhe LSDM kanë akuzuar njëra tjetrën për pakujdesinë ndaj mirëqenies së qytetarëve dhe çështjet ekonomike në përgjithësi. Nga LSDM thonë se masat ekonomike të qeverisë nuk po japin rezultat. Nga ana tjetër, VMRO- DPMNE lavdërohet se në gjashtë muajt e parë të marrjes së përgjegjësisë për drejtimin e Qeverisë, ndaloi rënien e lirë të […]

Jan 11, 2025 - 19:00
 0  4
Partitë në RMV përplasen për çmimet e shtrenjta të vajit, vezëve, sheqerit, kaçkavallit dhe orizit
Blerje ushqimesh në market. Foto: Nodar Chernishev në Canva

VMRO-DPMNE dhe LSDM kanë akuzuar njëra tjetrën për pakujdesinë ndaj mirëqenies së qytetarëve dhe çështjet ekonomike në përgjithësi. Nga LSDM thonë se masat ekonomike të qeverisë nuk po japin rezultat. Nga ana tjetër, VMRO- DPMNE lavdërohet se në gjashtë muajt e parë të marrjes së përgjegjësisë për drejtimin e Qeverisë, ndaloi rënien e lirë të ekonomisë dhe këtë vit tashmë do të punohet për ringjalljen e saj, shkruan Portalb.mk.

“Në tregje realiteti është se vetëm qumështi ka zbritje simbolike për disa denarë, ndërsa produktet tjera nuk kanë fare zbritje. Vaji është ende me çmim të rritur dhe varion nga 89 deri në 96 denarë, ndonëse në disa markete para 2 muajsh shitej për 82 denarë. Vezët janë sërish rreth 100 denarë, ndërsa kushtonin 75 denarë. Sheqeri dhe kaçkavalli janë më të shtrenjta, por edhe thjerrëzat (169 denarë), fasulet (143 denarë), orizi (135 denarë), dhe bizelet. Për ato produkte që kanë të njëjtin çmim, është vërejtur se kanë rënie në peshë (gramazhë)”, thuhet në reagimin e LSDM.

Ndërkaq, VMRO- DPMNE akuzon LSDM-në se janë ata që e varfëruan popullin.

“LSDM është ajo që në vend që të kujdeset për qytetarët, u interesua vetëm për pasurimin e të ashtuquajturës elitë të tyre, e cila përfitoi miliona përmes marrëveshjeve të dyshimta dhe tender;ve të negociuar privatisht. LSDM janë ata që gjatë qeverisjes së tyre shtatëvjeçare nxorën nga kufiri i varfërisë mbi 500 mijë qytetarë maqedonas dhe me 150 denarë në ditë. LSDM-ja është ajo që nga pozita e pushtetit ka rritur TVSH-në për produktet ushqimore, e cila ka kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve. LSDM janë ata që shkatërruan ekonominë, duke dhënë mbështetje financiare për kompanitë e afërta me to, ndërsa biznesmenët e vërtetë u lanë më vete të përballojnë sfidat e krizës ekonomike dhe energjetike sa më mirë që munden. Kjo ka sjellë drejtpërdrejt uljen e standardit të jetesës së qytetarëve”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

Në lidhje me rritjen e çmimeve të produkteve, partia qeverisëse VMRO DPMNE zotohet se, qeveria po merr masa specifike si kufizimi i marzhave të fitimit dhe shporta e produkteve që përfshijnë mbi një mijë produkte me çmime të reduktuara të shitjes.0

Kujtojmë se, vetëm për një vit në Maqedoninë e Veriut çmimet e produkteve bujqësore u rritën për 18 përqind. Në nëntor vitit të kaluar, 2024, është regjistruar rritje e produkteve bujqësore për 18 përqind, krahasuar me vitin 2023.