Protesta, “Kush e ka radhën?” sot para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut
Lëvizja qytetare “Kush e ka radhën?” edhe sot organizon protestë në orën 11 që do të mbahet para Kuvendit. Nga aty, njoftojnë qytetarët që do të marrin pjesë të sjellin edhe nga një karrige, shkruan Portalb.mk. “Kur ata bëjnë gati valixhet, ne mbushim rrugën. Kur ata shkojnë nw pushime, ne vijmë në Parlament. Jo se […]


Lëvizja qytetare “Kush e ka radhën?” edhe sot organizon protestë në orën 11 që do të mbahet para Kuvendit. Nga aty, njoftojnë qytetarët që do të marrin pjesë të sjellin edhe nga një karrige, shkruan Portalb.mk.
“Kur ata bëjnë gati valixhet, ne mbushim rrugën. Kur ata shkojnë nw pushime, ne vijmë në Parlament. Jo se nuk kemi çfarë të bëjmë. Por, sepse kemi çfarë të themi. Qytetarët do flasin. Do kritikojnë. Do të mbështesin. Do thonë atë që ka zier prej shumë kohësh”, thuhet në njoftimin e tyre.
Ata bënë të ditur se mikrofoni është i hapur për çdo qytetar që dëshiron të shprehë mendimin e tij për kërkesat, apo të ndajë një pikëpamje të përgjithshme për situatën aktuale.
Kujtojmë se që nga tragjedia e Koçanit, Kuvendi ka hyrë në pauzën dyjavore të aktiviteteve të deputetëve.
Pyetjet e dyfishta të deputetëve e shtynë edhe një javë punën e Kuvendit, pasi kryeparlamentari Afrim Gashi, nënkryetarët dhe koordinatorët e grupeve parlamentare u pajtuan që më mirë të mos punohet se sa të ngrihen më tej tensioni dhe të ulet rejtingu i Kuvendit pas tragjedisë së Koçanit ku humbën jetën 59 të rinj në diskotekën Pulse. Kuvendi ndërpreu punën javën e kaluar kur u shpallën shtatë ditë zie. Sipas marrëveshjes, thonin burime të Sloboden Peçat, deputetët do të paraqiten në punë javën e ardhshme.
Nga Lëvizja “Kush e ka radhën?” dje dolën me qëndrim publik, ku ftuan partitë politike në pozitë e opozitë që mos t’i përdorin protestat për poentime partiake.
Marshi i fundit protestues i iniciuar nga “Kush e ka radhën” u mbajt më 24 mars. Organizatorët e protestës porositën se presin përgjegjësi për të gjithë të involvuarit me tragjedinë në Koçan, por edhe me të gjithë tragjeditë paraprake.
Më 24 mars u protestua edhe në Tetovë kundër korrupsionit i cili solli deri në katër tragjeditë e fundit në vend: Koçani, spitali modular, Besa Transi dhe Durmo Tursi,
Ditëve të kaluara janë mbajtur disa protesta paqësore për tragjedinë e Koçanit edhe atë në: Shkup, Kumanovë, Gostivar, Strugë, Koçan etj.
Në zjarrin e rënë në diskotekën “Pulse” më 16 mars 2025, jetën e humbën 59 persona, midis të cilëve 6 të mitur, u lënduan 196 persona të cilët trajtohen brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.
Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kanë identifikuar si të dyshuar gjithsej 34 persona dhe tre kompani për krime të rënda kundër sigurisë publike. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, në mesin e tyre ka ish-funksionarë shtetërorë. Në paraburgim janë 24 persona.
- LEXO: Mjaft ishim ne, sistemi është i radhës: Protestë në Shkup për jetët e marra nga korrupsioni (Foto – Video)
- LEXO: Që të mos “rrihen” për tragjedinë e Koçanit, do t’i heshtin pyetjet e deputetëve, Kuvendi dy javë në pauzë
- LEXO: Është zgjeruar në 11 ekipi i prokurorëve që hetojnë rastin në Koçan, do të merren në pyetje 300 dëshmitarë