Pas dorëheqjes së deputetit Sulejmani, VLEN-i 10 deputetë, ASH pa grup parlamentar

Pas dorëheqjes së deputetit të Aleancës për Shqiptarët, krahu i Arben Taravari, Salim Sulejmani nga pozita e deputetit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ASH-ja ka mbet me katër deputetë dhe me këtë, nuk mund të formojë grup parlamentarë, shkruan Portalb.mk. Sipas listës së kandidatëve për deputetë që kishte VLEN në zgjedhjet parlamentare, […]

maj 18, 2025 - 19:00
 0  5
Pas dorëheqjes së deputetit Sulejmani, VLEN-i 10 deputetë, ASH pa grup parlamentar
VLEN - Saranda Imeri Stafai. Foto nga koalicioni

Pas dorëheqjes së deputetit të Aleancës për Shqiptarët, krahu i Arben Taravari, Salim Sulejmani nga pozita e deputetit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ASH-ja ka mbet me katër deputetë dhe me këtë, nuk mund të formojë grup parlamentarë, shkruan Portalb.mk.

Sipas listës së kandidatëve për deputetë që kishte VLEN në zgjedhjet parlamentare, pas Salim Sulejmanit vjen pediatrja Valbona Adili-Emini, e cila është kuadër e Lëvizjes Besa. Me këtë, VLEN do të ketë 10 deputetë, pasi grupi parlamentar edhe zyrtarisht u riformatua dhe në të, nuk bëjnë më pjesë deputetët e ASH-së.

Me qëndrim të tij rreth zhvillimeve të fundi në partinë e Taravarit, sot doli edhe zëvendëskryeministri, Arben Fetai. Nëpërmjet një video të publikuar në profilin e tij në Facebook, e me të cilën iu drejtohet mbështetësve të kësaj partie, ai ka thënë se, është kundër bashkëpunimit me BDI-në duke thënë se rruga e Arbërit asnjëherë nuk mund të kalojë përmes rrugës së Ali Ahmetit.

“Sot, bashkë, jemi në një udhëkryq historik. Një vit më parë, morëm një vendim të guximshëm – t’i prijmë ndryshimit të shumëpritur, por assesi të vonuar. Sot, gati një vit më vonë, kemi po të njëjtin guxim. Po të njëjtin vizion. Por sot, nuk mund të jetojmë në të kaluarën. Duhet të ndërtojmë të ardhmen – me qëndrueshmëri, me dinjitet. Anëtarësia po flet. Votuesit po flasin. Zëshëm, qartë, me kërkesë për drejtësi dhe për rrugë të pastër. Dhe unë ju them sot, me bindje të plotë: Jam këtu, në krah të secilit prej jush që nuk e pranon poshtërimin e shpresës sonë”, ka thënë Fetai.

Ai ka shtuar se, nuk do ta lejojnë BDI-në të kthehet si të mos ketë ndodhur asgjë.

“Ata duhet të përballen me të vërtetat që i kanë shmangur për dy dekada me radhë. Këtu nuk bëhet fjalë për individin. Këtu është në pyetje dinjiteti jonë kolektiv. Zëri im është zëri juaj. Zëri i Aleancës që nuk dorëzohet. Që nuk shitet. Që nuk frikësohet. Ne jemi zëri i rrugës së Arbnit. Dhe ajo rrugë nuk kalon kurrë nga Ali Ahmeti, e as nga askush që nuk ia do të mirën shqiptarëve”, ka theksuar Fetai.

Nga ana tjetër, Aleanca për Shqiptarët, krahu i Zijadin Selës, se, anëtarët e pakënaqur ’mund të kthehen në shtëpinë e tyre, aty edhe nga ku kanë dalë’.

“Jemi të bindur që këtë e keni ndier dhe ai vazhdon të gëzojë respektin e njëjtë edhe te ju. Nuk ju ftojmë në shtëpinë tuaj, sepse kjo është shtëpia juaj dhe ju këtu e keni vendin. Vetëm duam t’ju riktujojmë se ju presim, ju besojmë dhe vazhdojmë të jemi të bindur se ju do të riktheheni aty ku gjithmonë keni ndier ngrotësinë, drejtësinë, pastërtinë, guximin dhe krenarinë e vërtetë”, kanë thënë nga ASH-ja e Selës.

Kujtojmë se turbulencat në koalicionin VLEN dhe në Qeveri u shkaktuan nga krahu i Aleancës për Shqiptarët në partnerin qeveritar VLEN, kur kjo e fundit vendosi të dilte me listat e veta të këshilltarëve në zgjedhjet lokale në tetor.

Kjo nuk u pranua nga partnerët e tij të koalicionit në VLEN. Kjo u pasua nga largimi i Taravarit nga koalicioni VLEN, dhe në publik lindën spekulime se ai po negocionte me kreun e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti.