Pas revoltës publike për vdekjen e Frosinës, Qeveria e RMV-së paralajmëroi ndryshime ligjore
Protestat dhe revolta e qytetarëve dhanë rezultat. Shumica qeverisëse ka iniciuar procedurë ligjore për rritjen e sigurisë së qytetarëve pas vdekjes së 22-vjeçares Frosina Kulakova, e cila u vra javën e kaluar në një vendkalim për këmbësorë në Shkup, transmeton Portalb.mk. “Shumica qeverisëse do të kërkojë rregullimin dhe precizimin e rregullimit ligjor. Është koha për […]
Protestat dhe revolta e qytetarëve dhanë rezultat. Shumica qeverisëse ka iniciuar procedurë ligjore për rritjen e sigurisë së qytetarëve pas vdekjes së 22-vjeçares Frosina Kulakova, e cila u vra javën e kaluar në një vendkalim për këmbësorë në Shkup, transmeton Portalb.mk.
“Shumica qeverisëse do të kërkojë rregullimin dhe precizimin e rregullimit ligjor. Është koha për zgjidhje sistematike, siguria e qytetarëve duhet të jetë prioriteti ynë, e kjo do të thotë ndryshime në ligje që do të jenë parandalim dhe mbrojtje. Synimi për debat ekspertësh është prioritet dhe nuk do të lejojmë politizimin e kësaj teme”, tha Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
Debati publik do të mbahet të premten dhe prej tij duhet të dalin udhëzime për përmirësimin e kuadrit ligjor në fushën e sigurisë qytetare.
Revolta publike u shtua pasi u konstatua se shoferi, 20-vjeçari Vasil Jovanov, nuk kishte patentë shofer, drejtonte me 130 kilometra në orë, ishte nën efektin e alkoolit, por edhe se më parë kishte kryer vepra penale për të cilin gjykata e dërgoi në institucion korrektues dhe jo në burg.
“Sot mora vendim për shkarkimin nga anëtarësimi në një grup pune në Ministrinë e Drejtësisë, gjyqtaren, emri i të cilës po diskutohet në opinion. Gjyqtarja ishte pjesë e grupit të punës që u formua në dhjetor 2020 për ndryshimin e Kodit Penal dhe ishte pjesë e grupit të optimizuar të punës për ndryshimet e shpejta të Kodit Penal, me të cilin presim që të eliminohen pasojat e dëmshme të shkaktuara nga ndryshimet në 2023”, tha dje ministri i Drejtësisë Igor Filkov.
Disa nga partitë politike kërkojnë shkarkimin e gjyqtares.
“Këshilli Gjyqësor duhet të shkarkojë gjyqtaren që liroi shoferin vrasës dhe PTHP duhet të hapë një hetim ndaj saj. Shoferi vrasës që vrau të renë Frosina Kulakova duhet të ishte sot në burg në vend se në veturë, nëse gjyqtarja Daniela Aleksovska Stojanovska do ta dërgonte në burg në vend të institucionit korrektues, siç duhej të bënte sipas ligjit”, tha Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE.
Këshilli Gjyqësor tani për tani është i përmbajtur – thonë se po e monitorojnë situatën.
“Do të duhej, nuk e di, të shohim faktet, gjithçka do të kalojë në një procedurë. Jemi duke monitoruar me vigjilencë, po, që nuk do të thotë se do të hapim apo nuk do të hapim procedurë ndaj gjyqtarit”, tha Aleksandar Kambovski, kryetar i Këshillit Gjyqësor.
Prokuroria Publike thotë se po merren të gjitha masat për sigurimin e dëshmive të ngjarjes.
Prokuroria vlerëson se padyshim është një krim i kryer me qëllim.
“Prandaj në këtë rast Prokuroria po zhvillon procedurë kundër të dyshuarit për veprën më të rëndë nga sfera e sigurisë në komunikacion”, tha prokurori publik Ljupço Kocevski.
Ndryshe, Frosina Kulakova ka ndërruar jetë më 29 janar pasi ishte goditur me veturë në një vendkalim për këmbësor nga 20-vjeçari . Prokuroria kishte sqaruar që paraprakisht është bërë kallëzim edhe për një aksident tjetër të ndodhur më 04.11.2022 nga po i njëjti person, pas së cilës një person ka mbetur i lënduar.
Para vendkalimit të këmbësorëve të rregulluar me semaforë që punonin në rregull në momentin e aksidentit, ai ka vazhduar lëvizjen me semafor të kuq të ndezur dhe ka goditur trupin e këmbësores-viktimës Frosina Kulakova me pjesën e përparme të majtë të veturës.