Punësimet në Kuvend, kabineti i Gashit: Konkursi për të cilin akuzon BDI, i takon periudhës kur ata udhëhiqnin me Kuvendin
Opozita shqiptare ka kritikuar se Kuvendi i Maqedonisë së Veriut po diskriminon shqiptarët, sidomos me konkursin e fundit ku nga 23 të punësuar vetëm 3 janë shqiptarë. Ndërkaq, nga Kabineti i kryetarit të Kuvendit i cilësojnë akuzat e opozitës si të paqëndrueshme, pasi sipas tyre procesi i punësimit ende nuk ka përfunduar, shkruan Portalb.mk. Së […]
Opozita shqiptare ka kritikuar se Kuvendi i Maqedonisë së Veriut po diskriminon shqiptarët, sidomos me konkursin e fundit ku nga 23 të punësuar vetëm 3 janë shqiptarë. Ndërkaq, nga Kabineti i kryetarit të Kuvendit i cilësojnë akuzat e opozitës si të paqëndrueshme, pasi sipas tyre procesi i punësimit ende nuk ka përfunduar, shkruan Portalb.mk.
Së fundmi, eksponentë të Bashkimit Demokratik për Integrim, në rrjete sociale, por edhe nga vetë partia kanë dalë me reagim ndaj konkursit të fundit në Kuvend. Ata thonë se nga 23 të pranuar, vetëm 3 janë shqiptarë, duke dëshmuar një përjashtim të qartë dhe të qëllimshëm të tyre nga institucionet shtetërore.
“Kjo praktikë është një goditje ndaj përfaqësimit të drejtë dhe proporcional, duke i kthyer shqiptarët në qytetarë të dorës së dytë në shtetin e tyre. Për më tepër, vendimet e punësimit në Kuvend po lëshohen vetëm në gjuhën maqedonase, duke injoruar detyrimin ligjor për përdorimin e gjuhës shqipe. Ky është një akt i papranueshëm që minon parimet e barazisë dhe dërgon një mesazh të qartë për mosrespektimin e të drejtave të shqiptarëve. BDI dënon këtë qasje diskriminuese dhe kërkon ndalimin e menjëhershëm të përjashtimit të shqiptarëve nga institucionet shtetërore si dhe zbatimin e plotë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve”, thanë nga BDI.
Nga zyra e Kabinetit të kryetarit të kuvendit, Afrim Gashi, për Portalb.mk thonë se konkursi për të cilin akuzon BDI, i takon periudhës kur BDI udhëhiqte me Kuvendin.
“Akuzat e opozitës janë të paqëndrueshme, pasi që procesi i punësimit ende nuk ka përfunduar, ndaj është e padrejtë të nxjerrim përfundime paraprake. Ndërkaq, duhet gjithashtu të theksojmë se vendimi për hapjen dhe planifikimin e këtij konkursi për të cilin flasin i takon periudhës kur BDI udhëhiqte me Kuvendin. Vlerësojmë se dhënia e një dimension tendencioz ndaj një procesi që është ende në zhvillim, është vetëm një përpjekje e qartë për të shpërqendruar opinionin publik”, thuhet në përgjigjen e kabinetit të kryekuvendarit Gashi.
Pas shfuqizimit të balancuesit nga ana e Gjykatës Kushtetuese në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk ka zgjidhje ligjore që do të mbrojë shqiptarët apo etnitetet tjera që të mos diskriminohen gjatë punësimit.
Partneri shqiptar në koalicionin qeverisës, VLEN ka siguruar se po punohet në Ligj që do jetë më në nivel se balancuesi, ndërkaq kryeministri Hristijan Mickoski kërkon durim që ligji i radhës të mos jetë vetëm një implant që duhet pastaj të hidhet, por një zgjidhje ligjore adekuate dhe në përputhje me Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.
- LEXO: Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, Mickoski: Nuk duam të sjellim një implant që pastaj ta hedhim
- LEXO: VLEN: Inspektorati Shtetëror i Administratës do të sanksionojë shkeljet e Ligjit të ri për përfaqësim të drejtë dhe adekuat
- LEXO: Nga vrulli në prolongim, VLEN i hëngri disa herë fjalët e veta: Nuk u bëhet vonë për Ligjin për përfaqësim të drejtë
- LEXO: RMV, Balancuesi iku në histori: Si e arsyetoi Kostadinovski vendimin dhe cilat janë pasojat eventuale?