Pas shumë zvarritjeve u lëshua në përdorim çerdhja “Rilindja”, hapja zyrtare pritet të bëhet në fund të janarit

Pas shumë premtimeve dhe zvarritjeve të procedurave, sot u hapën dyert e çerdhes së re “Rilindja” në Tetovë për vogëlushët, shkruan Portalb.mk.  Edhe pse ndërtimi ka përfunduar që në vitin 2023, zvarritja e procedurave nga institucionet ka mbajtur peng hapjen e kësaj çerdheje. Edhe pse u lëshua në përdorim, hapja zyrtare siç informuan nga Komuna […]

dhjetor 16, 2024 - 20:00
 0  4
Pas shumë zvarritjeve u lëshua në përdorim çerdhja “Rilindja”, hapja zyrtare pritet të bëhet në fund të janarit
Çerdhja "Rilindja" në Tetovë. Foto: Bilall Kasami/Facebook

Pas shumë premtimeve dhe zvarritjeve të procedurave, sot u hapën dyert e çerdhes së re “Rilindja” në Tetovë për vogëlushët, shkruan Portalb.mk

Edhe pse ndërtimi ka përfunduar që në vitin 2023, zvarritja e procedurave nga institucionet ka mbajtur peng hapjen e kësaj çerdheje.

Edhe pse u lëshua në përdorim, hapja zyrtare siç informuan nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk pritet të bëhet pas 20 janarit.

“Me ministrin e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani dhe drejtoreshën, Fatlinda Jaja lëshuam në përdorim çerdhen “Rilindja” në Tetovë. Me hapjen e kësaj çerdheje, lista e fëmijeve që janë në pritje për t’u regjistruar do të ulet”, tha Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.

Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë Fatmir Limani, së bashku me kryetarin e Komunës së Tetovës sot vizituan objektin e ri “Rilindja” pranë Institucionit Publik “Mlladost” me qëllim të inspektimit të aktiviteteve.

“Gjatë vizitës u konstatua se kopshti ka përfunduar plotësisht”, thanë nga Ministria e Politikës Sociale. 

Për këtë çerdhe tani më është siguruar punësimi për 29 persona. 

Hapja e çerdhes do mundësojë hyrjen e 165 fëmijëve nga 0 deri në moshën 6 vjeç në procesin parashkollor. 

Objekti i “Rilindja” ka sipërfaqe prej 1644 metra katrorë në parcelën prej 6852 metra katrorë. 

Ky objekt është bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian nëpërmjet Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit (IPA). 

Çerdhja “Rilindja” premtohet prej vitit 2019, kurse u ndërtua në prill të vitit 2023. Portalb.mk i ka dokumentuar të gjitha zvarritjet.